Ikonë e stilit, gjithnjë e pranishme përkrah të shoqit, dashamirëse, e qeshur. Papritur zhduket, duke e lënë vetëm presidentin që të përballet me vështirësitë e postit. Skenat e xhelozisë në Shtëpinë e Bardhë
Të gjithë buzëqeshnin e gëzonin në festën e 50-vjetorit të Barack Obama-s. Marrëveshja e shumëpërfolur mbi borxhin publik u arrit dhe më në fund presidenti mund të kalonte një natë të qetë në folenë e tij në Çikago, i rrethuar nga ngrohtësia e miqve të vjetër dhe mbështetësit e përhershëm. Atë natë, vetëm buzëqeshja e një personi u zhduk papritur. Ishte buzëqeshja e Michelle Obama-s, Zonjës së Parë, të cilës iu lëndua krenaria si grua dhe bashkëshorte kur këngëtarja bukuroshe, Jennifer Hudson u shfaq në skenë për ti kënduar presidentit këngën Shumë urime për ty!. E veshur me një fustan të zi dhe këpucë me taka të larta, Jennifer bëri një performancë magjepsëse. I ngjante Marylin Monroe-së, kur bukuroshja e ndjerë i këndoi John F. Kennedy. Kaq mjaftoi për ta shndërruar buzëqeshjen vezulluese të Michelle-s në një maskë të frikshme.
Miqtë e saj thonë se Michelle u mërzit shumë me shikimin që i hodhi i shoqi këngëtares, mirësjelljen me të cilën e falënderoi për momentet magjike që i fali, atë dashamirësi që mungon prej ditës kur Mr Cool u shndërrua në Mr Cold (në një burrë të ftohtë) siç e ka cilësuar Washington Post. Mbrëmja publike nuk kishte se si të mos kthehej në një çështje të madhe, gjë që me të vërtetë nuk pritej nga Michelle.
Fytyra e trishtuar e Zonjës së Parë, dalja e menjëhershme nga salla, që mund ti ketë shpëtuar telekamerave, por jo syve të të pranishmëve, mosshfaqja përkrah presidentit janë shenja jo të mira. Dikur zonja Obama ishte shembull për të gjitha femrat me daljet e saj të thjeshta në publik. Ndoshta, edhe për arsye të tjera Michelle është zhdukur nga skena publike. Aktualisht po merret me një fushatë kundër obezitetit te fëmijët. Kujdeset vetëm për projektin shëndetësor Lets move!, një risi për ti nxitur të rinjtë e të rejat që të ushqehen në mënyrë të shëndetshme.
Janë të largëta kohët kur Michelle ishte simbol i rëndësishëm për njerëzit që e pëlqenin dhe e mbështesnin. Rrobat e bukura që vishte dikur, pushimet që kalonte me të bijat, thashethemet që bënte me Carla Bruni-n, e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm. Imazhi i Zonjës së Parë është copëtuar. Michelle është mbyllur në kopshtin e saj biologjik, duke mbjellë e prashitur perimet. Mesa duket, edhe për zonjën Obama perënduan kohët kur kritikët e kurorëzonin si ikonë të stilit. Megjithatë, ajo sërish di të tërheqë vëmendjen e publikut, edhe kur zhduket nga skena.
Dikur me dorën e mbështetur mbi shpatullën e mbretëreshës Elisabeta II (dhunim skandaloz i protokollit mbretëror: mbretëresha është e paprekshme), Michelle u cilësua si simbol i spontanitetit dhe një grua e thjeshtë që u bë bashkëshorte e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Nga naiviteti i saj u shfaq pamja e vërtetë e një zonje që gjithçka i falet, madje me shumë dëshirë. Të gjitha veshjet merrnin formë tjetër në trupin e Zonjës së Parë; edhe krahët e tonifikuar e të zhveshur që shfaqen në fotot zyrtare të Shtëpisë së Bardhë mishërojnë atë elegancën që e ka vetëm zonja më e famshme e Amerikës.
Ndryshimi i Michelle Obama-s nuk u ka rënë në sy vetëm njerëzve të thjeshtë, por edhe kritikëve. Duken të largëta kohët kur Zonja e Parë shfaqej në publik duke mbështetur të shoqin në garën për president. Tani Michelle gjendet në kurbën zbritëse të parabolës. Ka rrëshqitur ngadalë nga maja dhe ka gjasa që pas pak kohësh të bëhet gruaja e thjeshtë e Marthas Vineyard.