Është një vend demokratik, ka shumë të rinj, flet anglisht. India është duke sfiduar Kinën: kërkon të bëhet ekonomia e parë e Lindjes. Për Perëndimin është shumë e qartë që qendra e historisë është zhvendosur, raportet e forcës kanë ndryshuar ashtu si edhe hierarkia e botës.
E ndërsa Perëndimi shqyrton çdo ditë se si duhet të dalë nga kriza dhe recesioni ekonomik që nuk po largohet prej tre vjetësh, krejt me të tjera gjëra merren ato që konsiderohen si vendet në zhvillim mes të cilave edhe India. Për Perëndimin është shumë e qartë që qendra e historisë është zhvendosur, raportet e forcës kanë ndryshuar ashtu si edhe hierarkia e botës. Sfidat e reja për lidershipin po zhvillohen brenda vendeve që nuk kanë lidhje fare me G7-n.
Ideja që India duhet tia kalojë Kinës për sa i përket zhvillimit është kthyer thuajse në një fiksim në Nju Delhi. Vetëm brenda një muaji Times e Indisë ka publikuar 57 reportazhe nga Kina. Në Indi, në takimin e pak ditëve më parë mbi zhvillimin ekonomik të vendit, Kryeministri foli haptazi: tani ne flasim hapur për tia kaluar Kinës. Jemi shumë afër. E përditshmja Indian Express boton vazhdimisht opinionet e ekonomistit të famshëm, Minxin Pei (i lindur në Kinë dhe prej vitesh në Amerikë) i cili konfirmon: Indianët tani nuk mendojnë për gjë tjetër veçse të kalojnë rivalin aziatik. Përkundrazi, kinezët nuk i shohin si kundërshtarë për momentin.
Në fakt, ata që e bëjnë më të besueshëm këtë fakt janë shumë ekspertë perëndimorë. Sipas The ekonomist që dy herë brenda vitit i ka dedikuar artikuj rritjes ekonomike të Indisë në vitet që do të vijnë Nju Delhi do të jetë një bombë demografike me një rritje të tillë të popullsisë që garanton një forcë të re pune, anglishtfolës dhe të kualifikuar. E kundërta do të ndodhë me Kinën e plakur nga politika e fëmijëve të vetëm dhe plakja e shpejtë e popullsisë. Fituesi indian i çmimit Nobel, Amartya Sen, i krahason të dyja vendet në fronte të tjera: arsimi, shëndeti, jetëgjatësia. Edhe pse është një demokrat i bindur, Sen duke përdorur statistikat e Bankës Botërore dhe të Kombeve të Bashkuara ai kujton një kinez ka një pritshmëri jete deri në 73 vjeç, ndërsa një indian 64 vjeç.
Vdekshmëria foshnjore është 66 fëmijë për 1 mijë të tillë në Indi dhe vetëm 16 në Kinë. Fëmijët indianë shkojnë në shkollë mesatarisht për 4 vjet e gjysmë, kurse ata kinezë për shtatë vjet e gjysmë. 74 për qind e popullsisë indiane di të shkruajë e të lexojë, por në Kinë kjo përqindje shkon në 94. Në vitin 2001 një ekonomist, i Goldman Sachs vendosi të studiojë ekonomitë e katër vendeve së bashku, Brazili, Rusia, Kina dhe India (BRIC), që mbulojnë rreth 25 për qind të sipërfaqes së planetit dhe kanë rreth 40 për qind të popullsisë botërore. Studimi i atëhershëm doli në përfundimin se këto vende në 2050 do ta kalonin shumën e GDP së shtatë vendeve më të industrializuara të botës. Në fakt, fotografia aktuale e shpejtësisë me të cilën rriten këto vende tregon se Kina ka një rritje rreth 10 për qind të GDP-së, ndjekur nga India me 8 për qind , Brazili me 5 dhe Rusia me 4 për qind. Në fund të 2011-s, FMN-ja parashikon që vendet anëtare të BRIC do të kenë një rritje 6.5 për qind kundrejt 2.5 për qind të vendeve të G7, një diferencë me 4 pikë. Kina në fakt e ka kaluar GDP e Japonisë dhe për atë amerikane, ekonomisë më të fuqishme të botës mendohet të ndodhë pas 5 vjetësh. India nga ana tjetër mund ta kalojë SHBA-në në vitin 2043.
Kalimi që BRIC mund tu bëjë vendeve të G7 është afruar për në 2032, 18 vjet më parë sesa e kishte parashikuar ONeill në vitin 2001. Një tjetër e dhënë e rëndësishme është se këtë vit vendet e BRIC kanë shënuar një rekord në krahasim me Bashkimin Europian për numrin e miliarderëve. Plot 301. Në forumin e fundit ekonomik botëror në Davos, një takim i përvitshëm ku diskutohen pikërisht këto tendenca, më shumë se një e treta e sipërmarrësve dhe bankierëve të pranishëm (365 në 100) vinin nga BRIC. Sot shumë shtete janë në garë për të qenë pjesë e BRIC: Turqia, Nigeria, Indonezia dhe Afrika e Jugut. Një datë e paharrueshme në historinë e BRIC është pikërisht 16 qershori i vitit 2009.
Atë ditë zyrtarisht sigla BRIC doli nga bota virtuale e skenarëve të parashikuar dhe u bë një entitet i vërtetë politik. 16 qershor 2009 është data kur u mbajt në Yekaterinburg, në Rusi një takim i thirrur nga Vladimir Putin për tu bashkuar pikërisht liderët e Kinës, Indisë dhe Brazilit. Që nga ajo kohë, vendet anëtare të BRIC kanë nisur të zhvillojnë takime të përvitshme ashtu si G8-a. Në 2010 u mbajt në Brazilia, këtë vit në ishujt kinezë të Hainan. Ndërkaq, në 24 dhjetor të 2010-s me presionin e ushtruar nga Rusia në gjirin e tyre u bashkua edhe Afrika e Jugut. Por, një gjë është e sigurt sot, rivaliteti elefant-dragua dominon skenën e ekonomisë botërore.