Në shkollat e mesme në Maqedoni sot prej orës 9 deri në orën 12 po realizohet testimi për lëndën e dytë eksterne të maturës shtetërore. Maturantët me zgjedhjet e tyre e japin provimin për gjuhë të huaj (gjuhë angleze, gjermane, franceze apo ruse) ose matematikë (nivel fillestar apo të avancuar).
Për testimin për gjuhë të huaj janë paraqitur 12.728 nxënës, ndërsa për matematikë ka 4.627 kandidatë, prej të cilëve pjesa më e madhe janë të interesuar për nivel fillestar.
Në shkollat e artit të cilat këtë vit për herë të parë janë të përfshira në projektin maturë shtetërore, lëndën e dytë eksterne maturantët e zgjedhin mes gjuhës së huaj, estetikës apo filozofisë.
Dhënia e provimit të parë ekstern - gjuhë amtare (shqipe, maqedonase apo turke) pardje kaloi pa probleme në të gjitha shkollat e mesme. Rezultatet e dy testimeve Byroja për zhvillim të arsimit do t'i shpallë për një muaj.
Prej rreth 21.000 maturantëve, për maturën shtetërore që është kusht për regjistrim në fakulltet këtë vit janë paraqitur 17.528. Prej tyre 12.757 e japin provimin në gjuhën maqedonase, 4.457 në gjuhën shqipe dhe 314 në gjuhën turke.
Maturantët duhet të testohen edhe për dy lëndë interne, të cilët do të zgjedhin varësisht nga fakulteti në të cilin planifikojnë të regjistrohen. Ato, si dhe detyrën projektuese që e kanë dhënë në maj, i vlerësojnë komisionet në shkolla.
Testimi për dy lëndët eksterne në afatin e dytë të provimit është më 13 dhe 15 gusht.