Deklarata u bë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së, Ian Kelly, gjatë takimit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin për pasojat e ngërçit politik në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale të majit, të cilat po pengojnë më tej reformat që duhet të kryehen që Shqipëria të marë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Deklarata u bë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OSBE-së, Ian Kelly, gjatë takimit të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin e Partisë Socialiste për tu kthyer në Parlament. Uashingtoni i bën thirrje Partisë Socialiste të përmbushë angazhimin e saj për një pjesëmarrje të plotë dhe aktive në Parlament, si dhe të njejtën thirrje i drejton koalicionit qeverisës, që të krijojë një klimë politike më gjithpërfshirëse, deklaroi ambasadori Kelly.
Disa hapa në drejtimin e duhur janë marrë, si përputhja e legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar për anti-korrupsionin, si dhe vendosja e sistemit elektronik të tenderimeve. Por lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm nëse palët nuk e përdorin atë për të siguruar përfitime partiake, nënvizoi ai.
Ndërsa përsa i përket krimit të organizuar, zoti Kelly vlerësoi se Shqipëria ka arritur përparime në luftën kundër këtij fenomeni dhe trafikut të qënieve njerëzore.
Për ambasadorin amerikan në Vjenë, SHBA dhe Shqiperia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të dy vendet janë të angazhuara ti forcojnë më tej lidhjet mes qeverive dhe popujve të tyre.