Sipas tij, këto sulme terroriste u drejtuan ndaj vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 10 vjetorit të sulmeve terroriste ndaj SHBA-ve, ka dërguar një mesazh, ku thuhet se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e saj dhe mbarë botën demokratike.
Sipas tij, këto sulme terroriste u drejtuan ndaj vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale.
Sulmet e 11 shtatorit e rikonfirmuan shpirtin e madh të kombit amerikan, që di ti përballojë tragjeditë, duke krijuar unitetin dhe solidaritetin e paparë për ti tejkaluar sfidat. Me sulmet e 11 shtatorit nuk u godit vetëm SHBA-ja, por edhe tërë bota demokratike, me simbolin e kullave binjake, duke bërë që dhembja të merr përmasa botërore, ashtu si dhe solidarizimi me fatin e viktimave tragjike, thuhet në mesazhin e kryeministrit Thaçi.
Ai më tej shton se sulmet e 11 shtatorit zbuluan fuqinë dhe potencialet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizionin dhe vendosmërinë për tiu kundërvënë së keqes, errësirës dhe atyre forcave që duan ta kthejnë mbrapshtë historinë e kulturës dhe civilizimit.
Sot, pas dhjetë vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dalin gjithnjë e më të fuqishme përballë forcave të organizuara terroriste, duke dëshmuar epërsinë e pakrahasuar të vlerave të demokracisë e të lirisë, duke përmbysur regjime diktatoriale, duke rritur hapësirën gjeografike dhe politike të shoqërive demokratike, citohet të ketë thënë Thaçi.
Dhjetë vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishte dhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë.
Qytetarët e Kosovës gjithmonë u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e dhënë në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë së shtetit tonë të ri, të lirë dhe të pavarur, ka thënë Thaçi.
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës shprehin besimin e plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përherë në ballë të betejave për mbrojtjen e lirisë, përhapjen e demokracisë, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkallë botërore.