Universiteti i Prishtinës (UP) ka vendosur të mos jetë më institucion i mëshirës. Rektorati i këtij universiteti nuk do të lejojë regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2011/12 pa pasur poenët e mjaftueshëm.
Anita Kadriu
Universiteti i Prishtinës (UP) ka vendosur të mos jetë më institucion i mëshirës. Rektorati i këtij universiteti nuk do të lejojë regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2011/12 pa pasur poenët e mjaftueshëm.
Praktika e mëparshme bazuar në memorandume të mirëkuptimit ndërmjet UP-së dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së që të regjistrohen studentë sipas listave të dërguara nga këto shoqata se i takojnë kategorisë së invalidëve të luftës, veteranëve, familjarë të dëshmorëve, apo invalidëve të luftës, është zhvlerësuar.
Përfaqësues të Rektoratit kanë paralajmëruar se nuk do të përsëritet më kjo praktikë dhe se nuk do të ketë falje të poenave. Zyrtari për informim në UP, Isuf Ibërdemaj, ka thënë për Zërin se universiteti nuk mund të falë dije dhe as të bëjë më diskriminim ndërmjet kandidatëve.
Sipas tij, askush nuk do të favorizohet më me pikë, gjatë pranimit në UP. Ky vendim, ai ka theksuar se, është marrë dhe do të zbatohet këtë vit. Përderisa vitin e kaluar UP-ja kishte lejuar si bonus nga dhjetë pikë shtesë për kandidatët e kategorive të dala nga lufta, Ibërdemaj ka bërë të ditur se ky bonus nuk vlen për sivjet.
Duhet të sqarohet mirë. Është punë e kryer ajo sa i përket faljes së pikëve. Nuk do të ketë më diçka të tillë në UP, ka thënë ai duke shtuar se ky universitet ndihmon studentët që vijnë nga kategoritë e dala nga lufta, duke iu mundësuar lirim nga pagesa e semestrit.
Në qoftë se vetëm nga një pikë u falet, i bie që në Fakultetin e Mjekësisë apo atë Ekonomik ku është konkurrenca e lartë, deri në 100-200 studentë të regjistrohen nga këto kategori dhe ky është një diskriminim i madh për kandidatët tjerë. Kemi vendosur që të gjithë të jenë të barabartë.
Ibërdemaj nuk ka mohuar se ky vendim është marrë edhe nën presion të KMDLNJ-së dhe organizatave të shoqërisë civile, e të cilat vitin e kaluar kritikuan UP-në dhe e akuzuan për diskriminim, kur ky universitet ndau bonus-dhjetë pikë të dedikuara të gjithë kandidatëve nga këto kategori.
Ky disponim i UP-së është konfirmuar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Muharrem Xhemajli, i ka thënë gazetës se për sivjet nuk ka marrë ndonjë premtim nga UP-ja se do të ndihmohen për regjistrim të rinjtë që vijnë nga kategoritë e luftës.
Megjithëse ka pohuar se ka marrë kërkesa nga konkurrentët se kanë rënë për një poenë apo dy. Marrëveshja me UP-në ripërtërihet për çdo vit, pas përfundimit të afatit të dytë të provimeve pranuese për lejimin e regjistrimit të kandidatëve që i takojnë kategorisë së luftës. Por, për sivjet nuk e dimë nëse do të ndodhë kjo. Ende nuk kemi bërë kërkesë, ka thënë ai duke shtuar se do të shqyrtohet mundësia e parashtrimit të një kërkese në adresë të Rektoratit, për të ndihmuar të rinjtë e kësaj kategorie në shtator.
Megjithëkëtë, përfaqësues të Lidhjes së Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës në Kosovë (LIVCLK), anëtarë të së cilës gjithmonë janë ndier të diskriminuar nga UP-ja në raport me ata të kategorisë së luftës, mendojnë se vlen bonusi dhjetë pikë edhe për këtë vit.
Sherif Shabani, kryetar i përgjithshëm i shoqatës, ka thënë se kjo iu mundësohet të rinjve të kësaj kategorie, por ata nuk vijnë të marrin vërtetime në shoqatë dhe të realizojnë të drejtën e tyre për regjistrim duke u ndihmuar me dhjetë pikë shtesë. Ai thotë se për këtë ka nënshkruar vjet një marrëveshje me krerët e UP-së.
Por, zyrtari për informim në UP mohon ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë.