Rektori Reka, duke iu drejtuar studentëve të rinj dhe stafit akademik të USHT-së, theksoi se USHT këtë vit akademik e fillon me një armatë të madhe studentësh dhe studentesh të reja, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore që janë hapur dhe akredituar në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në të gjitha Fakultetet dhe Programet studimore të USHT-së gjatë ditës së sotme, 15.09.2011, filloi viti i ri akademik 2011/2012. Pritja qendrore e studentëve të rinj u bë në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, me çrast studentëve të rinj të Universitetit tonë, mirëseardhje u dëshiroi Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka.
Rektori Reka, duke iu drejtuar studentëve të rinj dhe stafit akademik të USHT-së, theksoi se USHT këtë vit akademik e fillon me një armatë të madhe studentësh dhe studentesh të reja, në të gjitha fakultetet dhe programet studimore që janë hapur dhe akredituar në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Universiteti ynë për çdo vit po e dëshmon se është vatër dhe alternativë e vetme e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe i vetmi Universitet i integruar me mësim në gjuhën shqipe që garanton studime më të lira, më cilësore dhe të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund të vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë të diplomuarit në këtë Universitet, sipas standardeve të kërkuara nga sistemi evropian i transferit të kredive dhe tregu global i punës.
Ju studentë të nderuar duhet ta ndjeni këtë universitet si pjesë të pandarë të jetës suaj, si institucion që do të ju pajis me dituri dhe shkathtësi të nevojshme për jetë më të lumtur dhe të ardhme më të ndritur, theksoi në mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka.
Ai, më pas shtoi se fillimi i këtij viti akademik në valën e madhe të konkurrencës mes institucioneve për arsim të lartë, na obligon të ofrojmë më shumë kualitet dhe vlera se institucionet tjera, që ta dëshmojmë se mesazhi ynë drejtuar studentëve të rinj është kuptuar drejtë nga ana e studentëve të rinj dhe të prindërve të tyre.
Kjo dëshmon edhe një herë se vizioni ynë për arsimimin e gjeneratave të reja është shumë i qartë. Universiteti ynë po dëshmon se është një vatër e madhe e diturisë, e cila i përgatit gjeneratat e reja për sfida të reja në jetë, prandaj këtë vit akademik e fillojmë me afër 4 mijë studentë të rinj, në 11 fakultete dhe 34 programe studimore, tha në fjalën e tij drejtuar studentëve të rinj, rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka.
I pranishëm në solemnitetin e sotëm me rastin e fillimit të vitit të ri akademik në USHT, ishte edhe zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Safet Neziri.
Në tre afatet e deritashme të regjistrimit, në USHT, janë regjistruar mbi 4000 studentë të rinj.
Fjala e Rektorit të USHT-së, Prof. Dr. Agron Reka, në ditën e fillimit të vitit të akademik 2011/2012 (Integrale)
I nderuari Zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës, zotëri Safet Neziri,
Të nderuar dekanë, profesorë dhe bashkëpunëtorë,
Të nderuar studente dhe studentë të rinj,
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Të nderuar pjesëmarrës dhe mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Në emër të stafit drejtues të Universitetit dhe në emrin tim personal, Ju dëshiroj të gjithë pjesëmarrësve mirëseardhje, ndërsa Ju studentëve të rinj Ju dëshiroj mirëseardhje dhe vit të mbarë e të suksesshëm me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, sepse së bashku me Ju dhe mësimdhënësit Tuaj po e hapim një faqe të re në historinë e bujshme të këtij tempulli të dritës dhe diturisë.
Në momentin kur Ju keni vendosur të studioni në këtë Universitet, keni qenë të bindur se kjo rrugë është e ardhmja Juaj dhe ne ua kemi hapur dyert me shpresë se do të jeni gjenerata e re më e suksesshme, e cila do të përgatitet profesionalisht për të qenë e aftë ti përballojë sfidat e ardhshme përmes përgatitjes Tuaj profesionale në programet studimore që keni zgjedhur dhe ku do të kualifikoheni për një të ardhme më të begatshme dhe më të sigurt.
Të nderuar studentë,
Këtë vit akademik e fillojmë me shpresa të mëdha se e ardhmja e këtij Universiteti është edhe e ardhmja e Juaj. Ne si udhëheqësi e Universitetit jemi angazhuar dhe do të angazhohemi për krijimin e kushteve sa më të mira, me sigurimin e kuadrit mësimdhënës sa më cilësor, të hapësirave më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor-shkencor dhe për krijimin lehtësimeve për standardin e studentëve.
Universiteti ynë për çdo vit po e dëshmon se është vatër dhe alternativë e vetme e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe i vetmi Universitet i integruar me mësim në gjuhën shqipe që garanton studime më të lira, më cilësore dhe të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund të vazhdojnë studimet ose të kërkojnë punë të diplomuarit në këtë Universitet, sipas standardeve të kërkuara nga Sistemi evropian i transferit të kredive dhe tregu global i punës.
Ju studentë të nderuar duhet ta ndjeni këtë universitet si pjesë të pandarë të jetës suaj, si institucion që do të ju pajis me dituri dhe shkathtësi të nevojshme për jetë më të lumtur dhe të ardhme më të ndritur.
Rezultatet e regjistrimit të studentëve të rinj në afatin e parë dhe të dytë për regjistrimin e studentëve të rinj, ku janë regjistruar gjithsej mbi 3500 studentë, nga 5340 studentë sa janë parashikuar të regjistrohen në 11 fakultetet dhe në programet studimore dhe studimet e disperzuara të këtij Universiteti, kanë dëshmuar se mesazhi ynë drejtuar studentëve të rinj është kuptuar drejtë nga ana e studentëve dhe prindërve të tyre.
Me realizimin edhe te afateve tjera, ne besojmë se do të arrijmë të përmbushim synimet tona për plotësimin e të gjitha vendeve të publikuara në Konkursin e këtij viti. Kjo dëshmon edhe një herë se vizioni ynë për arsimimin e gjeneratave të reja është shumë i qartë dhe siguron perspektivë të ndritur.
Të nderuar studentë,
Stafi drejtues i këtij Universitet është i vetëdijshëm se na presin edhe detyra të reja në të ardhmen, sidomos për sigurimin e hapësirave të nevojshme, kompletimin dhe furnizimin e laboratorëve; për pasurimin e bibliotekave me literaturë profesionale dhe sidomos për thellimin e bashkëpunimit me universitetet tjera në vend dhe në arenën ndërkombëtare, me qëllim të ngritjes së këtij Universiteti në nivel të universiteteve evropiane.
Në fund, edhe një herë Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe Ju uroj një vit të mbarë akademik me rezultate dhe suksese që do të na nderojnë neve, Universitetin tonë të ngritur me shumë mund dhe sakrifica, si dhe vetë Ju studentëve të ardhshëm.
Na priftë e mbara!