E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sfidat e Maqedonisë drejt integrimeve në strukturat euroatlantike, përfaqësimi i shqiptarëve në Armatë dhe Mbrojtje, regjistrimet në Akademinë Ushtarake, politika e Ministrisë së Mbrojtjes dhe për shumë tema tjera flet ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi
Sa mė parė tė bėhemi pjesė e NATO-s









Intervistë me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Besimi

Zejnulla Veseli


Nga ministër i Ekonomisë, u emëruat ministër i Mbrojtjes. Çfarë sfide paraqet për Ju si ekonomist Ministria e Mbrojtjes?

BESIMI: Integrimet euro-atlantike janë shumë të rëndësishme për Maqedoninë dhe për rajonin në drejtim të sigurimit të paqes dhe stabilitetit. Me këtë do të mundësohet zhvillim më i shpejtë ekonomik dhe një standard më i lartë i jetesës. Maqedonia është në një fazë të rëndësishme në proceset e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe kjo është prioritet strategjik për të ardhmen e vendit dhe rajonit. Duke u nisur nga këto aspekte, Ministria e Mbrojtjes është një sektor i rëndësishëm dhe konsideroj se ka mundësi që të bëhet diçka më shumë dhe besojë se me një përkushtim më të madh, do të arrijmë që sa më shpejt të bëhemi anëtare e plotë në NATO. Kjo është sfida kryesore për angazhimin tim në Ministri të Mbrojtjes dhe për mua paraqet një nder dhe njëkohësisht përgjegjësi të madhe. Megjithatë, gjërat janë të ndërlidhura, dhe për këtë arsye unë mendoj se në një farë mënyre do të ndihmoj edhe ekonominë. Siç theksova, mbrojtja, paqja dhe siguria janë parakusht themelor për rritje ekonomike më të shpejtë, sikurse që standardi më i lartë i jetesës është një parakusht për stabilitetin. Këto janë dy anët e të njëjtës medalje, dhe unë tani do të kontribuoj në anën tjetër të medaljes. Pra, do të punoj në realizim të reformave si dhe duhet të ruajmë kondicionin që këto standarde të reja të implementohen dhe Maqedonia të jetë e gatshme për të qenë anëtare e plotë e NATO-s.

Risia e emërimit Tuaj si ministër i Mbrojtjes është edhe fakti se ju jeni shqiptari i parë në Maqedoni që drejtoni këtë dikaster. Në opinion u komentua udhëheqja e këtij resori nga një kuadër shqiptar. Si e vlerësoni këtë ndryshim?

BESIMI: Ky është një hap i rëndësishëm për politikën në Maqedoni që tregon se dhjetë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të ashtuquajturat "vende të rezervuara" vetëm për maqedonasit do të i takojnë së kaluarës. Shqiptarët marrin përgjegjësi më të mëdha në udhëheqje me institucionet shtetërore dhe sfida është që të tregojmë kapacitete udhëheqëse të cilësisë më të lartë në të mirë të të gjithë qytetarëve. Të tregojmë se mundemi me sukses ta çojmë vendin përpara. Gjithashtu, kjo do t'i ndihmojë rritjes së besimit ndëretnik në Maqedoni.

Cilat do të jenë prioritetet e Juaja si ministër i ri i Mbrojtjes?

BESIMI: Prioriteti kryesor në ministri të Mbrojtjes në këtë mandat është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe, gjithashtu, ky është një nga pesë prioritetet strategjike të Qeverisë. Maqedonia me anëtarësimin në NATO do të përfitojë një stabilitet të qëndrueshëm dhe do jetë vend më i dëshiruar për investitorët, me çka do të hapen vende të reja pune dhe do të mundësohet një standard më i lartë i jetesës. Me fjalë tjera, të promovojmë Maqedoninë si një demokraci multietnike që i kontribuon paqes globale. Maqedonia si vend me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe vend në mesin të barabartëve në NATO dhe BE. Kjo besoj të realizohet me përkushtim maksimal në tre aspekte: ndërkombëtar, shtetëror dhe armatës. Në aspekt ndërkombëtar duhet të avancojmë imazhin si partner i paqes që duhet të rezultojë me anëtarësim në NATO kuptuar duke plotësuar standardet e nevojshme. Në aspekt shtetëror të bëjmë reformat dhe tregojmë rezultate që do të risin besimin ndëretnik me respekt të ndërsjellët dhe të jemi shembull pozitiv i integrimeve duke përmirësuar edhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe etniteteve tjera në strukturat e mbrojtjes dhe atë jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi, gjegjësisht në strukturat udhëheqëse. Në aspektin e armatës do të kontribuojmë në avancimin e profesionalizmit dhe standardit të ushtarëve. Me këto besoj do të kemi një qasje të integruar që do jep rezultate.

Tre vite me parë, Maqedonia humbi shansin të jetë pjesë e NATO-s për shkak të vetos greke. Si janë gjasat që tani, kur Ju do udhëhiqni me këtë ministri, Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-së?

BESIMI: Pyetja implikon një përgjigje më komplekse për shkak se jeta nuk është 'bardh e zi'. Ne u besojmë integrimeve, një Maqedoni multietnike pjesëtare e barabartë në NATO dhe BE. Aleanca veri-atlantike do të garantojë siguri dhe paqe për vendin duke rritur siguri për investitorët. Në këtë mënyrë do të krijohet një standard më i lartë për jetesë. Kjo është ajo në të cilën ne besojmë dhe punojmë. Kyçja e drejtpërdrejtë në këto institucione tregon se angazhimi ynë drejtpërdrejtë politik në proceset që nënkuptojnë arritjen e të gjitha standardeve në kuadër të ministrisë së Mbrojtjes dhe NATO-s, avancimi i komunikimit apo diplomacisë së mbrojtjes qoftë në aspektin e NATO-s qoftë në aspektin bilateral me të gjitha vendet. Problemi me emrin nuk do na dekurajojë, përkundrazi ne do të punojmë dhe jam optimist se me një përkushtim që kjo çështje do të zgjidhet e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë palët e involvuara. Personalisht, besoj se nuk ka çështje të sajuar nga njeriu e që nuk mund të zgjidhet. Historia na ka mësuar se edhe shtetet më të armiqësuara në të kaluarën sot përbëjnë aleanca të forta, si p.sh BE dhe NATO.

E dimë se moszgjidhja e kontestit të emrit edhe më tej mbetet pengesa kryesore që Maqedonia të jetë jashtë strukturave euroatlantike. Në këtë drejtim, Ju si ministër i Mbrojtjes dhe BDI, do të ushtroni trysni ndaj kryeministrin Gruevski që të zgjidh çështjen e emrit me Greqinë dhe Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-së?

BESIMI: Si kalojnë vitet e pavarësimit të Maqedonisë, zhvillohet demokracia dhe rritet cilësia e punës dhe përgjegjësisë së politik bërësve ndaj qytetarëve dhe opinionit. Edhe kjo qeverisje ka në vete një cilësi të re të demokracisë në Maqedoni, e ai është programi i përbashkët qeveritar. Ky është një fakt që do të shënojë një hap të ri të demokracisë në Maqedoni e cila dallon nga e kaluara dhe në pesë prioritetet e qeverisë ku është theksuar qartë se orientim strategjik të kësaj qeverie është integrimi në NATO dhe BE. Sa u përket diskutimeve publike, ato vlerësoj se janë legjitime në një sistem të hapur demokratik. Zgjidhja e kontekstit të emrit nuk është e pyetjes a do bëhet ose jo, por më tepër është çështje kohe që kërkon lidership dhe menaxhim të mirëfilltë dhe të kujdesshëm me një konsensus politik dhe ndëretnik. Është me rëndësi që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Edhe përkundër faktit se Maqedonia nuk është pjesë e strukturave euroatlantike, shumë ushtarë nga Maqedonia marrin pjesë në misionet paqësore. Sa në mesin e tyre ka dhe ushtarë dhe eprorë shqiptarë?

BESIMI: Maqedonia ka marrë pjesë në disa misione siç janë në Afganistan, Irak, Liban dhe Bosnjë e Hercegovinë. Është një formë e bashkëpunimit edhe me KFOR-in në Kosovë. Me gjitha kapacitetet që ka Maqedonia, marrim pjesë dhe këtë status që ka në NATO, marrim pjesë në këto misione, ku gjithashtu ka pasur ushtarë dhe eprorë shqiptarë, të cilët kanë qenë aktiv në këto formacione paqësore të NATO-s.

Pas apelit Tuaj, sa pritni që shqiptarët ti përgjigjen pozitivisht ftesës që të konkurrojnë në afatin e tretë në Akademinë Ushtarake?

BESIMI: Akademia Ushtarake është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë që duan të nisin karrierë profesionale ushtarake, duke pasur parasysh edhe anëtarësimin e vendit në NATO në të ardhmen. Me përfundimin e Akademisë Ushtarake, ato bëhen oficer ushtarak dhe kanë vend pune të siguruar. Fatkeqësisht, në të kaluarën pak është promovuar kjo mundësi për rininë shqiptare, prandaj edhe nuk ka pasur interesim të mjaftuar. Këtë vit akademik, nga 41 gjithsej, kemi paraparë që 14 shqiptarë të regjistrohen në Akademinë Ushtarake. Me qëllim që të paraqiten më shumë kandidatë, dhamë mundësi në tre afate të paraqiten edhe përkundër faktit që kishte kandidat të mjaftueshëm nga etnitetet tjera që të plotësohet numri i përgjithshëm i paraparë për këtë vit akademik. Shpresoj që në afatin e tretë, të jenë paraqitur më shumë kandidat shqiptar dhe të jetë cilësia në nivel të duhur.

Si e keni gjetur përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion. Ka informacione se në disa struktura më të larta të këtij dikasteri, kjo përqindje është zero?

BESIMI: Përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 17 për qind në kuadër të armatës, ndërsa në nivel të ministrisë, përfaqësimi arrin 10 për qind. Por, nëse shikohet në aspekt të hierarkisë ushtarake, kjo përqindje bie, ndërsa në disa struktura më të larta edhe në zero për qind. Dhe mu për këtë, si prioritet kryesor - përveç NATO-s do të jetë edhe sigurimi i normës kushtetuese ligjore - përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në Armatën e Republikës së Maqedonisë që do të reflektonte strukturën e popullsisë në Maqedoni dhe jo vetëm në aspektin kuantitativ, por edhe në aspekt të cilësisë në të gjitha nivelet e hierarkisë. Ky nuk është proces i lehtë që do ndodhë brenda dite, por do të bëjmë një program disa-vjeçar me planifikim buxheti dhe trajnime adekuate profesionale për avancime në karrierë dhe në struktura më të larta të armatës sipas standardeve të NATO-s. Në përmirësimin e strukturës etnike, në armatë do të bëjmë hapa konkret edhe muajt që vijnë do të hapim konkurse për ushtarë profesional dhe deri në fund të këtij viti, planifikojmë të pranohen 75-80 ushtarë profesional shqiptar. (Koha)

Publikuar: 19.09.2011 | 19:06
Lexuar: 1918 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime