Avokati i tij, Tomë Gashi, ka njoftuar se deputeti i PDK-së dhe ish-ministri Limaj ka marrë ftesën nga Prokuroria që më 20 shtator të paraqitet për intervistim. Ftesa e Prokurorisë Speciale për Limajn, sipas avokatit Gashi, ka të bëjë me dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transportit.
Besa Kalaja
Afër tetëmbëdhjetë muaj pas bastisjeve në Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Prokuroria Speciale e Kosovës do të marrë në pyetje sot (e martë) ish-ministrin Fatmir Limaj, që tani është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Avokati i tij, Tomë Gashi, ka njoftuar se deputeti i PDK-së dhe ish-ministri Limaj ka marrë ftesën nga Prokuroria që më 20 shtator të paraqitet për intervistim. Ftesa e Prokurorisë Speciale për Limajn, sipas avokatit Gashi, ka të bëjë me dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transportit.
Gati tre muaj më herët kemi marrë ftesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Sipas kësaj ftese, Limaj do të merret në pyetje rreth dyshimeve për korrupsion. Ftesa saktësisht na ka arritur më 30.06. 2011, ka thënë Gashi.
Ndërlidhur me këtë çështje, pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me sqarimin e imunitetit të deputetëve, është thënë se Kushtetuesja do të marrë vendim më 19 shtator, një ditë para se deputeti Limaj të merret në pyetje. Por, gjykata nuk ka dalë me sqarim, e bile nuk ka dhënë as një datë kur mund të bëhet kjo.
Zyrtarë të kësaj gjykate kanë mohuar të jetë përcaktuar ndonjë datë për dhënie të sqarimit nga gjykata, por nuk kanë dhënë hollësi për fazën në të cilën po zhvillohet procesi.
Nuk ka ndonjë datë se kur gjykata do të dalë me sqarim rreth kërkesës së qeverisë rreth çështjes së imunitetit të deputetëve, thotë Veton Dula, zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata, sipas tij, është duke e shqyrtuar kërkesën në përputhje me Kushtetutën dhe do të marrë vendim meritor kur rasti të jetë i përgatitur për vendosje.
Sqarimi i gjykatës për imunitet pritet ti përcaktojë procedurat ligjore, të cilat do të ndiqen në rastin e çështjes Kleçka, përfshirë edhe fletarrestimin për deputetin Fatmir Limaj.
Ne do te paraqitemi atje (në prokurori) e nëse Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me çështjen e imunitetit, Fatmir Limaj nuk do të ndalohet pasi atë e mbron imuniteti i deputetit. Por, Limaj do të paraqitet në prokurori sa herë që i kërkohet, ka thënë avokati i Limajt, Tomë Gashi.
Në prill të vitit të kaluar prokuroria e EULEX-it kishte bastisur Ministrinë e Transportit, pronat e Limajt dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie. Prej atëherë ish-ministri Limaj kurrë nuk ishte ftuar në prokurori që të merrej në pyetje, por është thirrur atje për një çështje tjetër, për dyshimet për krime lufte.
Ndryshe prej rastit të ministrisë, procedura në rastin për krime lufte ka qenë shumë më e shpejtë dhe vetëm brenda pak muajsh është ngritur aktakuza dhe është konfirmuar ajo.
Nuk është thënë kurrë hapur, por letra e EULEX-it drejtuar Kuvendit të Kosovës rreth imunitetit të deputetëve është dërguar pikërisht për deputetin Limaj, i cili nuk mund të arrestohet pasi e mbron imuniteti.
Kjo pati nxitur reagime të ndryshme dhe këmbënguljen e kryekuvendarit Jakup Krasniqi se çështja është shumë qartë e përcaktuar me Kushtetutë.
Pas këtij kundërshtimi, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 20 korrikut ka vendosur të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth imunitetit të deputetëve, presidentit, kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar.