Në këtë Samit mes tjerëve, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Republikës së Turqisë Taip Erdogan.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi nesër në Nju-Jork do të marrë pjesë në Samitin e udhëheqësve të Ballkanit: "Një Vizion për të ardhme të përbashkët", organizuar nga Federata e Shoqatave Ballkano-Amerikane.
Siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të zëvendëskryeministrit, nëpërmjet Samitit vjetor të Udhëheqësve të Ballkanit, Federata e Shoqatave Ballkano-Amerikane shpreson të realizojë misionin e tij për të ndarë trashëgiminë Ballkanike të tolerancës dhe mirëkuptimit me udhëheqësit e botës, presidentët, kryeministrat, si dhe drejtuesit e bizneseve dhe ato fetarë, gazetarë, artistë, studiues, dhe profesionistët që mbulojnë një spektër të gjerë të fushave të ndryshme.
Qëllimi i këtij programi është të ndihmojë në krijimin e qëllimeve dhe idealeve të përbashkëta në Ballkan.
Në këtë Samit mes tjerëve, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Republikës së Turqisë Taip Erdogan.
Ndërkohë, të premten, në Nju-Jork, zëvendëskryeministri Xhaferi do të marrë pjesë në mbrëmjen gala të quajtur "Gala Awards" të cilën e organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) me rastin e 15 vjetorit të themelimit të kësaj organizate.
Këtë vit KKSHA nderon ish-kryeministrin britanik, Toni Bler me çmimin "Duart e Shpresës" - për kontributin e tij historik që dërgoi në pavarësinë e Kosovës.
KKSHA në këtë eveniment do të kujtojë dhe nderojë jetën e ambasadorit Riçard Hollbruk, një diplomat amerikan dhe i dërguari i posaçëm presidencial për Ballkanin - për guximin e tij të jashtëzakonshem diplomatik për të sjellë paqe për njerëzit e Ballkanit.
Programi gala i vitit 2011 do të përkujtojë 20 vjetorin e ripërtërirjes se marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Me fjalët e sekretares së Shtetit të SHBA-së, Hillari Rodham Klinton "ky përvjetor përkujton partneritetin tonë, na përkujton përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin për të ardhmen e Shqipërisë... derisa ne vazhdojmë të punojmë së bashku, për njëzet vitet e ardhshme dhe më shume se aq".