Që kur presidenti Felipe Calderon nisi fushatën kundër kartelëve të drogës në vitin 2006, deri tani janë vrarë rreth 42 mijë persona. Ndër të tjera numërohen 74 gazetarë të vrarë nga viti 2000, 20 prej të cilëve janë vrarë vetëm këtë vit.
Një grup burrash të armatosur dhe të maskuar shkarkuan 35 kufoma në një rrugë në qendër të qytezës së Veracruz në Meksikë. Trupat, që gjendeshin në dy kamionë, janë braktisur në mes të ditës, atëherë kur ishin të pranishëm shumë shoferë dhe kalimtarë.
Prokurori i Shtetit, Reynaldo Escobar ka deklaruar në një televizion, se përgjegjësit e asaj që ndodhi janë anëtarë të krimit të organizuar, Policia ka identifikuar 7 nga personat e vrarë, të cilët kishin precedentë penalë për vrasje, shpërndarje droge, sekuestrim personi dhe ishin të lidhur me krimin e organizuar. Përmes këtij gjesti, kriminelët duan të japin mesazhe.
Ata, para vrasjeve makabre i torturojnë viktimat, i përdhunojnë dhe më pas ua marrin jetën me një plumb të vetëm pistolete në tëmth. Por këto duket se janë kryesisht metodat të cilat përdoren nga një kartel i posaçëm dhe i frikshëm i botës së narkotrafikut meksikan Los Zetas, një nga kartelet më të dhunshme dhe më të përgjakshme të të shtatë karteleve që merren me shpërndarjen dhe me qarkullimin e parave që vijnë nga shitja e drogës elitare.
Shifra
Që kur presidenti Felipe Calderon nisi fushatën kundër kartelëve të drogës në vitin 2006, deri tani janë vrarë rreth 42 mijë persona. Ndër të tjera numërohen 74 gazetarë të vrarë nga viti 2000, 20 prej të cilëve janë vrarë vetëm këtë vit. Dhe jo vetëm në metropolin meksikan, pra në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, vendi është shndërruar në një nga strehët më të rrezikshme të narkotrafikut si Acapulco, Monterrey, Tijuhana, Nuevo Leon. Të gjithë ata që kërkojnë që të dinë më shumë për funksionimin e botës së poshtër të narkotrafikut zhduken dhe vriten në mënyrën më barbare pa paralajmërim.
Po vriten edhe anëtarët e bandave me njëra-tjetrën, ata që tradhtojnë, ata që përpiqen të ndryshojnë dhe të shkëputen nga një jetë që e dinë që po i shkatërron, vriten ata që nuk paguajnë paratë e kërkuara nga kriminelët për lirimin e të dashurve të tyre. Kjo nuk është më Meksika e muzikës dhe e alegrisë, e këngëve, e valleve dhe e pushimeve të bukura e të lumtura. Ky vend është shndërruar në një ferr pa jetë. Turizmi ka rënë 40%. Nuk ka më ligje dhe rend. Kjo sepse Meksika është një vend në luftë, një luftë që ka shkaktuar 50 mijë të vdekur në 4 vitet e fundit dhe të gjithë janë dorëzuar para saj.
Të gjithë e durojnë me vetëmohim dhe nuk bëjnë zë. Meksikanët bëjnë si bëjnë me këtë realitet. Rezistojnë si të mundin duke hequr dorë nga të drejtat e tyre. Jo se nuk luftuan deri më tani. Jo se nuk iu drejtuan pafundësisht drejtësisë së tyre shurdhe, jo se nuk kërkuan mbrojtje, jo se nuk dolën nëpër rrugë të dëshpëruar dhe të rebeluar me atë që po ndodh me vendin e tyre. Por zëri i tyre nuk u dëgjua dhe në këtë mënyrë ata u tërhoqën dhe iu nënshtruan realitetit.
Perpjekjet
Kreu i shtetit Felipe Kalderon bëri edhe më keq se kaq, lançoi një sfidë të pamundur para karteleve që prej dhjetë vitesh zhvillojnë në vend një luftë të fshehtë, por me pasoja shumë të mëdha dhe të dukshme. Kjo luftë është e humbur, edhe për shkak të një policie shumë të keqpaguar, të keqtrajtuar, të keqtrajnuar, të korruptuar dhe të keqpërgatitur. Në vend të policisë, ai nxori në rrugë ushtrinë dhe kjo ishte një zgjidhje që u kritikua edhe nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një zgjidhje që vetëm ka përkeqësuar deri më tani situatën pa sjellë asnjë rrugë të re shpëtimi për vendin dhe njerëzit e tij.
Presidenti Kalderon është renditur tek ata që janë më pak të rrezikshëm, ata që kanë gjithçka për të fituar nga një paqe në dukje dhe nga një ekuilibër i ri: burrat dhe gratë e kartelit Sinaloa. Shtatë kartele meksikanë, mes aleancave dhe dasive, konsiderohen si disa nga grupet tregtare më të fuqishme të botës. Kryesisht merren me tregtinë dhe shpërndarjen e kokainës, por edhe të marijuanës, amfetaminës, ketaminës dhe që prej disa vitesh edhe heroinës.
Në këtë lojë janë përfshirë 280 miliardë dollarë xhiro për tu menaxhuar dhe për tu transferuar aty ku ka kërkesa më të mëdha për drogën dhe me çmime më të larta, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej dhjetë vitesh kartelet kanë dalë më vete dhe kanë zëvendësuar kolumbianët në orvatjen për të përfituar nga tregu i madh i atyre që kërkojnë drogë me shumicë. Tashmë këto dhjetë vitet e fundit droga nuk kalon më përmes meksikanëve, por prodhohet pikërisht në Meksikë.