Të zhveshur, me duart dhe këmbët e lidhura dhe gjoksin plot shenja goditjesh. Në qafë, shenjat e asnjë shtrëngimi, ndërsa goja e hapur në shtrembërim nga dhimbja dhe frika.
Marcela Yarce dhe Roco Gonzales Trapanga, 48 vjeç, gazetarë që prej 20 vitesh, kanë ndërruar jetë në këtë mënyrë të dhunshme. Trupat e tyre janë gjetur nga dy vajza të vogla në një nga parqet më popullore të qytetit të Meksikës. Ishte 1 shtatori i kaluar. Dy muaj më parë u zbuluan edhe trupat e tre reporterëve të tjerë. Pak më parë në të njëjtën situatë u gjetën edhe dy gazetarë të tjerë thuajse të copëtuar.
Një grua dhe një burrë. Ata u zbuluan diku në kufi me Teksasin dhe mbi trupat e tyre ndodhej tabela: Ja çfarë u ndodh atyre që shkruajnë dhe bëjnë hetime për narkotrafikun. Gazetarë jeni të paralajmëruar. Ne ju ndjekim dhe ju kontrollojmë. Gjithë gazetarët e mësipërm, për të cilët folëm deri tani, janë vetëm një pjesë e një numri shumë të madh gazetarësh që janë shndërruar në viktima të narkotrafikantëve.
Bëhet fjalë deri më tani për 74 gazetarë të vrarë në Meksikë që nga viti 2000, 20 prej tyre janë vrarë vetëm këtë vit. Dhe jo vetëm në metropolin meksikan, pra në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, vendi është shndërruar në një nga strehët më të rrezikshme të narkotrafikut si Acapulco, Monterrey, Tijuhana, Nuevo Leon.
Të gjithë ata që kërkojnë që të dinë më shumë për funksionimin e botës së poshtër të narkotrafikut zhduken dhe vriten në mënyrën më barbare pa paralajmërim. Po vriten edhe anëtarët e bandave me njëra-tjetrën, ata që tradhtojnë, ata që përpiqen të ndryshojnë dhe të shkëputen nga një jetë që e dinë që po i shkatërron, vriten ata që nuk paguajnë paratë e kërkuara nga kriminelët për lirimin e të dashurve të tyre.
Kjo nuk është më Meksika e muzikës dhe e alegrisë, e këngëve, e valleve dhe e pushimeve të bukura e të lumtura. Ky vend është shndërruar në një ferr pa jetë. Turizmi ka rënë 40%. Nuk ka më ligje dhe rend. Kjo sepse Meksika është një vend në luftë, një luftë që ka shkaktuar 50 mijë të vdekur në 4 vitet e fundit dhe të gjithë janë dorëzuar para saj. Të gjithë e durojnë me vetëmohim dhe nuk bëjnë zë. Meksikanët bëjnë si bëjnë me këtë realitet.
Rezistojnë si të mundin duke hequr dorë nga të drejtat e tyre. Jo se nuk luftuan deri më tani. Jo se nuk iu drejtuan pafundësisht drejtësisë së tyre shurdhe, jo se nuk kërkuan mbrojtje, jo se nuk dolën nëpër rrugë të dëshpëruar dhe të rebeluar me atë që po ndodh me vendin e tyre. Por zëri i tyre nuk u dëgjua dhe në këtë mënyrë ata u tërhoqën dhe iu nënshtruan realitetit.
Ish-presidenti Vincente Fox premtoi në mënyrë të vazhdueshme, kërkoi kohë dhe besim. Felipe Kalderon bëri edhe më keq se kaq, lançoi një sfidë të pamundur para karteleve që prej dhjetë vitesh zhvillojnë në vend një luftë të fshehtë, por me pasoja shumë të mëdha dhe të dukshme. Kjo luftë është e humbur, edhe për shkak të një policie shumë të keqpaguar, të keqtrajtuar, të keqtrajnuar, të korruptuar dhe të keqpërgatitur.
Në vend të policisë, ai nxori në rrugë ushtrinë dhe kjo ishte një zgjidhje që u kritikua edhe nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një zgjidhje që vetëm ka përkeqësuar deri më tani situatën pa sjellë asnjë rrugë të re shpëtimi për vendin dhe njerëzit e tij. Presidenti Kalderon është renditur tek ata që janë më pak të rrezikshëm, ata që kanë gjithçka për të fituar nga një paqe në dukje dhe nga një ekuilibër i ri: burrat dhe gratë e kartelit Sinaloa.
Në prag tashmë janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012. Lideri i Partisë së Veprimit Kombëtar ka një nevojë të dëshpëruar të fituar konsensus. Taktika ka provokuar shumë arrestime në radhët e fitimtarëve. Los Zetas kanë reaguar me një dhunë tashmë të shumëfishuar dhe shumë të dukshme. Dhjetë ditë më parë, repartet e zgjedhur nga marina meksikane arritën që të shpërbënin aparatin e tyre të komunikimit.
Bëhej fjalë për diçka shumë të sofistikuar që e bënte të vështirë, madje shumë të pamundur luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Por gjërat kanë ndryshuar shumë pak. Ata që kanë përfunduar pas hekurave të burgut janë zëvendësuar nga të tjerë shumë më të zotë dhe shumë më të pamëshirshëm. Shtatë kartelet, mes aleancave dhe dasive, konsiderohen si disa nga grupet tregtare më të fuqishme të botës.
Kryesisht merren me tregtinë dhe shpërndarjen e kokainës, por edhe të marijuanës, amfetaminës, ketaminës dhe që prej disa vitesh edhe heroinës. Në këtë lojë janë përfshirë 280 miliardë dollarë xhiro për tu menaxhuar dhe për tu transferuar aty ku ka kërkesa më të mëdha për drogën dhe me çmime më të larta, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej dhjetë vitesh kartelet kanë dalë më vete dhe kanë zëvendësuar kolumbianët në orvatjen për të përfituar nga tregu i madh i atyre që kërkojnë drogë me shumicë.
Tashmë këto dhjetë vitet e fundit droga nuk kalon më përmes meksikanëve, por prodhohet pikërisht në Meksikë. Nuk dihet se kush janë ata që u kanë marrë jetën gazetarëve që përmendëm në fillim të shkrimit, Marçelës dhe Rokos. Ata punonin për një revistë të përjavshme Kundërlinja, një revistë që sikundër e thotë edhe vetë titulli merrej me hetime të situatës së drogës, të trafiqeve të karteleve.
Drejtori Miguel Badilio, i mbyllur në zyrën e tij në lagjen e vjetër historike, në një pallat që në fakt është anonim për arsye sigurie, buzëqesh me zor. Ai thotë se gazetarët e tij kishin vite që hetonin dhe ndiqnin rrugën e narkotrafikut dhe mbi të gjitha të lidhjeve të trafikantëve me botën e politikës dhe të financës.
Bëhet fjalë për hetime që i nxirrnin të gjithë të njollosur dhe të zhytur deri në grykë në krim e në llum dhe pikërisht këta gazetarë u vranë e të tjerë si ata të guximshëm kanë humbur këto vite jetët e tyre të çmuara, pikërisht sepse guxuan që të nxjerrin në dritë të vërtetat e fëlliqura që mbajnë këtë vend peng.
Sipas tij, dy gazetarët e fundit të vrarë ishin shumë të zotë, me një guxim të jashtëzakonshëm e të rrallë dhe pikërisht ata humbën jetën në një mënyrë të tmerrshme, të vrarë dhe torturuar në mënyrën më të keqe e më çnjerëzore, në mënyrë që të ishin shembull për të tjerët. Në këto vrasje gjithnjë e më shumë vrasësit duan që të lënë gjurmët e tyre dhe bashkë me to edhe mesazhet përkatëse.
Para vrasjeve makabre i torturojnë viktimat, i përdhunojnë dhe më pas ua marrin jetën me një plumb të vetëm pistolete në tëmth. Por këto duket se janë kryesisht metodat të cilat përdoren nga një kartel i posaçëm dhe i frikshëm i botës së narkotrafikut meksikan Los Zetas, një nga kartelet më të dhunshme dhe më të përgjakshme të të shtatë karteleve që merren me shpërndarjen dhe me qarkullimin e parave që vijnë nga shitja e drogës elitare. Shkaku i gjithë kësaj dhune është fakti se ata janë ish-ushtarakë që kanë vrarë dhe prerë gjatë gjithë jetës.
Ata nuk i kursejnë aspak plumbat e dhunën dhe janë krejtësisht të pamëshirshëm. Këta janë edhe frika më e madhe jo vetëm e gazetarëve, por edhe e njerëzve që kërkojnë që të jetojnë në një jetë më të lirë dhe më të sigurt. Ata vendosin me dhunë dhe i mbajnë fitimet e tyre me dhunë, duke e shndërruar Meksikën në një ferr të vërtetë dhe në një vend ku tashmë nuk mund të jetohet më.