E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Muajin e kaluar, rritja e numrit të vendeve të reja të punës ishte zero. Koeficienti i papunësisë kombëtare mbeti i njëjtë me atë të muajit korrik, 9.1 për qind. Por shifrat nuk përfshijnë personat të cilët kanë reshtur së kërkuari punë, ose punëtorët që punojmë me kohë të pjesshme, të cilët nuk kanë mundësi për të gjetur punë me kohë të plotë. Amerika ka shumë pak shpresa të dalë nga kjo gjendje.
Amerika dhe beteja pėr punėsim






Ja se çfarë sugjeron Don Peck, autori i një libri të ri të titulluar “Çështja: Si Recesioni i Madh ka ndryshuar të ardhmen tonë dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta përmirësuar atë”. Dëshmi të tjera tregojnë njerëz dhe përpjekjet e tyre për të gjetur punë në Amerikë. Dihet që amerikanët po përballen me probleme të ndryshme ekonomike. Cilat janë problemet që i shqetësojnë ata më tepër? Sondazhet e “Pew Research Center” në Uashington, kanë marrë në pyetje rreth 1 mijë veta në fillim të muajit. 43 për qind evidentuan punësimin dhe rreth gjysma e të pyeturve thanë deficiti i buxhetit federal.

Një numër i vogël përcaktuan rritjen e çmimeve dhe tregun e brendshëm financiar, si shqetësimet e tyre më të mëdha ekonomike. Tre në katër të pyetur thanë se investimet shtesë për rrugët, urat dhe ndërtime të tjera publike do të përmirësonin situatën e punësimet deri diku. Shumica thanë se duhet të zvogëloheshin taksat e bizneseve, buxheti federal dhe tatimet mbi të ardhurat personale. Por askush nuk kishte një ide të qartë rreth zgjidhjes, e cila do të përmirësonte më mirë gjendjen.

Disa ditë më parë, Presidenti Obama i prezantoi Kongresit planin e tij për rritjen e vendeve të punës. Propozimet përfshinin rritjen e asistencës për të papunët për periudha të gjata. Plani gjithashtu përfshin heqjen e taksave për kompanitë, me qëllim punësimin e më shumë punonjësve, si dhe investime për projekte lidhur me rregullimin e rrugëve dhe shkollave. Departamenti i Punës numëron rreth 12 milionë veta si të papunë. Miliona të tjera punojnë me kohë të pjesshme, teksa mundohen të gjejnë një punë me kohë të plotë. I ashtuquajtur Recesioni i Madh, zyrtarisht zgjati që nga dhjetori 2007 deri në qershor të 2009. Papunësia ishte rreth 5 për qind në fillim. Arriti deri në 10.1 për qind në fund të 2009-s. Këtë vit koeficienti i papunësisë përcaktohej deri në 9 për qind.

Ka gjasa që Shtetet e Bashkuara – si dhe bota – do të përballen me një recesion tjetër. Disa ekonomistë thonë se “një rënie e dyfishtë” do të ishte më e rëndë për mesataren e amerikanëve, sepse ekonomia është më e dobët sesa ishte recesioni i parë.

Don Peck është shkrimtar dhe kryeredaktor i revistës “Atlantik”. Në librin e tij të ri, ai evidenton se kushtet ekonomike po kufizojnë mundësinë e miliona amerikanëve. Peck tregon se brezi i amerikanëve të rinj të njohur si millenialët - ata të diplomuar nga shkollat e mesme dhe fakultete – janë ata që ndikohen specifikisht.

“Vitet e para në tregun e punës janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar rritjen profesionale dhe rrjedhën e jetës së të rinjve amerikanë. Kur të rinjtë luftojnë, kur i gjithë brezi i të rinjve lufton gjatë viteve të tyre të parë të punës – kërkimet akademike tregojnë jo vetëm se ata fillojnë të rriten profesionalisht shumë vonë, por për më tepër, nuk arrijnë atje ku duhet të ishin”.

Peck tregon se në fillim të recesionit, millenialët (të rinjtë) mendonin se çdo periudhë papunësie do të ishte afatshkurtër. Gjithashtu ekzistonte edhe një term për këtë lloj fenomeni “papunësia e për qejf” (Funemployement).

“Ideja se disa muaj papunësie ndoshta gjatë recesionit, jo vetëm që do të kaloheshin lehtësisht, por gjithashtu do të ishin muaj për qejf. Duhet të kihet parasysh se njerëzit, të cilët regjistroheshin si të papunë, nuk kishin shumë angazhime financiare”.

“Shumica e tyre rishikonin mundësinë e ndryshimit të profesionit, ose marrjen e pushimeve dhe mendoj se pjesërisht të rinjtë po mundoheshin të përfitonin nga situata negative”. Ndërsa sot, shton ai, të rinjtë kanë një mendim krejt ndryshe.

“Ideja se kjo periudhë është diçka e cila mund të shijohet lehtësisht dhe se materialisht nuk mund të ndikojë në karrierën, po vjen në rënie nga ky brez. Mendoj se sot, të rinjtë kanë një tendencë për të gjetur punë më të mirë, ata shprehin dëshirën për një punë të vetme, për një punëdhënës gjatë gjithë karrierës së tyre, më tepër sesa të ndryshojnë profesionin. Kështu që, mendoj se koncepti i papunësisë për qejf (funemployment) i cili filloi gjatë recesionit, tashmë ka mbaruar”, shton Don Peck. Në ekonominë e sotme, thotë Peck, çdo punë është më mirë sesa papunësia. “Ka ardhur koha kur të rinjtë duhet të bëhen shumë të fortë, me shpirt sipërmarrësish dhe të bindur.

Kini parasysh, se duhet të pranoni çdo lloj oferte pune që mund t’ju bëhet, sepse është shumë më mirë të punoni se të keni stigmën e papunësisë gjatë gjithë kohës”. 22-vjeçarja Xhesi Uei përfundoi fakultetin në më pak se katër vjet me medalje ari. Ajo u diplomua nga Universiteti i George Mason në Virxhinia, në degën e shkrimit akademik në muajin janar. Më pas, kaloi tre muaj, duke ndihmuar nënën e saj e cila u sëmur. Më pas, ju deshën edhe pesë muaj të kalonte duke kërkuar për një punë. Xhesi ishte me fat. Më së fundi iu ofrua një pozicion si asistente në një zyrë ligjore. “Problemi me të cilin u përballa ishte ai për të cilin ankohen të gjithë – ka punë të cilat kërkojnë përvojë, por askush nuk të merr përsipër që të japë ty përvojë”. Problemi i të pasurit ose jo përvojë, nuk është një kërkesë e re për të rinjtë. Por Xhesi Uei e shikon situatën e sotme si shumë më të vështirë se ajo për të diplomuarit para dhjetë vjetësh. “Në ato kohë mund të thoshe, epo mirë, sapo kam përfunduar fakultetin dhe nuk kërkoj shumë krahasuar me ata që kanë përvojë pune. Kështu që, kompanitë vendosnin të punësonin të sapodiplomuar dhe i trajnonin duke shpenzuar pak, por që përfitonin prej tyre”. Ditët e sotme, shumë njerëz janë pa punë dhe janë të zhgënjyer dhe preferojnë t’ju ofrojnë një pagë atyre që kanë nga pesë vjet përvojë pune sesa të sapodiplomuarve si puna ime. Ka arritur puna aty ku studentët ose nuk gjejnë dot punë, ose me atë punë që gjejnë, nuk paguajnë dot faturat”. Autori Don Peck shpjegon se një mënyrë për të rinjtë që të përmirësojnë shanset e tyre është migrimi.

“Do të doja t’i inkurajoja njerëzit, veçanërisht nëse ata jetojnë në vende ku niveli i depresionit është i lartë, të konsiderojnë rastin e migrimit në një rajon më dinamik. Mendoj se, do t’i ndihmojë ata gjatë jetës së tyre”. Dëshira për të migruar e ndihmoi Xhesi Uei-n të gjente punë. Puna është gati një orë larg vendbanimit të saj. Ajo nuk pati kohë të gjente një apartament, kështu që është strehuar në gazonierën e një shoqeje, derisa të gjejë një shtëpi. 39-vjeçari Norm Elrod nga Queens, Nju Jork, është pushuar nga puna katër herë gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Puna e fundit e tij ishte kur punonte online për një agjenci marketingu. U pushua në 2008-n. Pas kësaj, vendosi që të gjente një mënyrë për t’u bërë një kandidat më i pranueshëm për vendet e punës. Përdori burimet ‘online’, duke krijuar një ‘website’ ku mësonte aftësi të reja.

“Në këtë mënyrë u krijua ‘website’ im. E krijova, e menaxhova dhe kryesisht trajnova vetën, ose ritrajnoja veten, mësova aftësi të reja me qëllim gjetjen e punës që unë kam tani”.

Norm Elrod krijoi një blog të quajtur “Të papunët dhe më pak” (‘Jobless and Less’) - Blogu për Sfidat e Punësimit. “Shkrova për të vetmen gjë që dija, e cila ishte të qenit i papunë”. Xhesi e gjeti punën e saj duke ju përgjigjur një njoftimi ‘online’. Ndërsa Normi pohon se nuk ka pasur sukses duke aplikuar për punë nëpërmjet internetit. “Ti dërgon rezymenë tënde dhe një person duhet të kthejë përgjigje pasi ka marrë njëqind apo dyqind rezyme. Nuk ka të bëjë me faktin që ti nuk je i kualifikuar. Por sepse kompanitë marrin shumë rezyme, saqë shpeshherë kërkojnë vetëm një gjë specifike, saqë ti që aplikon, nuk e di se çfarë është”.

Këshilla e tij lidhur me personat të cilët kërkojnë punë është të mësojnë aftësi të reja dhe të njohin njerëz të rinj. “Është shumë e thjeshtë të ulësh në shtëpi dhe të dërgosh rezyme, duke shtypur butonat e kompjuterit mbi tavolinën e dhomës së ndenjjes dhe të mendosh se ndoshta dikush e ka lexuar. Por është shumë më e vështirë të dalësh dhe të takosh njerëz, të cilët i dinë gjerat, ose të drejtojnë te kontaktet e duhura. Mendoj se këtu fillon sfida e vërtetë e çdo punëkërkuesi”. Puna me kohë të plotë e bashkëshortes së tij, i ndihmoi të paguanin faturat. Gjithashtu, përdorën kursimet nga asistenca e shtetit për të papunët dhe para nga projektet për të cilat ai kishte punuar teksa vazhdonte kërkimet. Kaluan tre vjet kur njëri prej kontakteve për njërin prej projekteve për të cilin kishte punuar e drejtoi te puna aktuale. Norm Elrod punon me kohë të plotë, duke krijuar përmbajtje për ‘website’ të kompanive më të mëdha mediatike.

Recesioni i Madh ishte një kthesë e fortë që prej Depresionit të Madh në vitet 1930. Don Peck shpjegon se papunësia afatgjatë të cilën po e përjetojnë shumë punëtorë ka efekte negative jo vetëm për ta. “Kur përjeton këto periudha afatgjata papunësie, lënë gjurmë të thella te njerëzit, familjet dhe komunitetet, të cilat vazhdojnë të mbijetojë edhe pasi recesioni ka përfunduar. Kur burrat, në veçanti, luftojnë ekonomikisht, ose ata janë të papunë, gratë thjesht nuk martohen me ta, por bëjnë fëmijë me ta. Dhe shpesh ky fenomen krijon probleme të një mjedisi të paqëndrueshëm familjar, ku fëmijëve ju duhet me të vërtetë të luftojnë. “Çfarë mund të bëhet për problemet e papunësisë në Shtetet e Bashkuara?”. “Një prej mesazheve të mia kryesore në libër është se ne mund ta kalojmë këtë periudhë më shpejt nëse do të kishim vëmendjen publike”.

Me pak fjalë, ai mendon se qeveria duhet të investojë më shumë në prodhim dhe ndërtim, duke hapur fronte të reja pune. “Por gjithashtu jam i mendimit se në periudha afatgjata kemi nevojë për të krijuar aftësi të reja, si dhe për të ndërtuar strategji për studentët e shkollave të mesme, të cilët nuk shkojnë në fakultete. Koncepti i mundësisë dhe koncepti konkret se si duhet të ecet përpara në jetë, nëse dikush nuk vijon fakultetin, është harruar në ShBA, në këto 20-30 vitet e fundit. Ajo çka duhet bërë është ndërtimi i këtij koncepti dhe bërja e ditur të rinjve se duhet të kuptojnë mënyrat e reja se si të ndërtojnë aftësitë dhe se si të ndërtojnë karrierën e tyre reale”.

Publikuar: 22.09.2011 | 14:20
Lexuar: 534 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime