Punimi i magjistraturës i Avdi Elezit paraqet punim tërësor mbi testimin empirik të CAPM-së në bursën e Republikës së Maqedonisë, me material teorik, aplikativ, problematikën që paraqet dhe sugjerime e rekomandime për përsosjen e progresin e tij në Maqedoni.
Ditë më parë në Fakultetin Ekonomik të USHT-së, me sukses e mbrojti temën e magjistraturës kandidati Avdi Elezi, asistent në këtë fakultet dhe njëherësh pjesë e Shërbimit të financave dhe kontabilitetit në USHT.
Avdi Elezi para komisionit në përbërje: Prof. Dr. Mithat Mema, kryetar, Doc. Dr. Petrit Pollozhani, anëtar dhe Prof. Dr. Seadin Xhaferi, mentor, me sukses e mbrojti temën e magjistraturës, me temë: Testimi empirik i CAPM.
Punimi i magjistraturës i Avdi Elezit paraqet punim tërësor mbi testimin empirik të CAPM-së në bursën e Republikës së Maqedonisë, me material teorik, aplikativ, problematikën që paraqet dhe sugjerime e rekomandime për përsosjen e progresin e tij në Maqedoni.
Ai është rezultat i një pune të akumuluar dhe me pasion të kandidatit, i përgjegjësisë dhe integritetit shkencor të tij për të bërë një punë të pavarur dhe kontribuar sadopak në këtë problematikë pak të hulumtuar në Maqedoni.
Studimi bën verifikimin e vlefshmërisë së CAPM (Modelit të vlerësimit të mjeteve kapitale) në tregjet e kapitalit në zhvillim duke kryer teste empirike me të dhënat e Bursës së Shkupit. Punimi ekzaminon çmimet historike ditore të 100 kompanive dhe vlerat historike ditore të indeksit MBI10 për periudhën prej janarit 2005 deri në dhjetor 2010 me të dhënat e nxjerra nga baza e të dhënave të bursës.
Kandidati ka zgjedhur interval kohor të përshtatshëm sepse përfshin tri etapa të rëndësishme që ka kaluar bursa, periudhën e gjallërimit 2005-2007, pastaj periudhën gjatë krizës financiare 2008-2009, si dhe periudhën e rikuperimit të bursës, gjatë vitit 2010. Gjithashtu, kjo periudhë është e rëndësishme sepse prej 1 janarit 2005 nis aplikimi i indeksit MBI10.
Sipas Komisionit vlerësues, kontributi i tezës në shkencën e ekonomisë dhe praktikën financiare qëndron në përmirësimin e të kuptuarit të mënyrës së vlerësimit të flukseve të keshit nga investitorët, duke pasur parasysh se ato kërkojnë profit të pritur më të lartë për investimet në letra me vlerë me risk më të lartë. Modeli i trajtuar në këtë punim iu përgjigjet kërkesave të investitorëve të bazojnë kalkulimin e profitit të synuar në baza shkencore.
Ndërkohë, në Fakultetin Filozofik, Programi studimor Psikologji, punimin e saj të magjistraturës me temë Menaxhimi i diversitetit kulturor nëpër disa kompani në rrethin e Tetovës dhe Gostivarit, para Komisionit në përbërje: Doc.dr. Arafat Shabani, kryetar, Doc.dr. Vesel Memedi, anëtar dhe Doc.dr. Musa Musai, mentor, e mbrojti Luljeta Seadini, asistente e Rektorit të USHT-së, Prof.dr. Agron Reka.
Sipas anëtarëve të Komisionit, tema Menaxhimi i diversitetit kulturor nëpër disa kompani në rrethin e Tetovës dhe Gostivarit e realizuar nga kandidatja Luljeta Seadini, vë në dukje problematika aktuale me të cilat ballafaqohen shumë organizata dhe kompani nga vende të ndryshme të botës.
Çështja e multikulturalizimit sigurisht që sfidon shumë studiues shkencorë, madje edhe vetë psikologët për të vështruar dhe observuar nga një prizëm objektiv dhe shkencor relacionet në mes të punësuarve brenda të njëjtës organizatë, por me identitete të ndryshme, qoftë etnike ose kulturore.
Tema në fjalë, vërtet ofron pikëpamje shkencore dhe objektive lidhur me të arriturat sa i përket qëndrimeve të të punësuarve në lidhje me faktorin e diversitetit kulturor në disa kompani që gravitojnë në fushën e Pollogut.
Luljeta Seadini në bazë të hulumtimeve të sajë, ka nxjerrë në pah se ekziston lidhshmëri mes qëndrimeve që kanë punëtorët në përgjithësi, menaxhmenti dhe vetë organizata sa iu përket personave me identitete të ndryshme, qoftë etnike apo kulturore, gjithnjë duke u thirrur në organizatat që kanë qenë mostër e këtij hulumtimi.
Ajo, po ashtu thekson se ka korrelacion pozitiv mes variablave, siç janë: menaxhimi i diversitetit kulturor, qëndrimi i punëtorëve ndaj personave me përkatësi të ndryshme etnike, aftësia menaxheriale dhe politika e organizatës.
Pas mbrojtjes publike të punimeve të tyre të magjistraturës, Komisionet përkatëse, vlerën lartë punën edhe të arriturat e kandidatëve në fjalë, Avdi Elezi dhe Luljeta Seadini, të cilët edhe morën gradën shkencore: Magjistër i shkencave.