Mbi 27.160 nxënës të tetëvjeçares sot dhe nesër do të regjistrohen në shkollat e mesme publike në Maqedoni, në të cilat sipas Konkursit për vitin 2009/2010 ka 37.536 vende të lira ose 38,2 për qind më shumë se numri i semimaturantëve.
Mbi 27.160 nxënës të tetëvjeçares sot dhe nesër do të regjistrohen në shkollat e mesme publike në Maqedoni, në të cilat sipas Konkursit për vitin 2009/2010 ka 37.536 vende të lira ose 38,2 për qind më shumë se numri i semimaturantëve.
Nxënësit duhet të parashtrojnë fletëparaqitje për regjistrim me pullë postare prej 50 denarëve, dëftesa origjinale nga klasa e pestë deri te e teta dhe certifikatë të lindjes, pa marrë parasysh datën e dhënies.
Rezultatet e paraqitjes do të publikohen më 18 qershor, ndërsa në shkollat ku do të ketë numër më të madh të nxënësve të paraqitur nga vendet e lira më 24 qershor do të ketë testim kualifikues. Paraqitja e dytë në afatin e parë regjistrues është më 29 dhe 30 qershor, ndërsa rezultatet do të publikohen më 1 korrik. Afati i dytë regjistrues në shkollat e mesme është më 19 gusht, ndërsa një ditë më vonë do të publikohen rezultatet.
Në pajtim me Ligjin për arsim të mesëm të obligueshëm që zbatohet nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Njësitë e vetqeverisjes lokale e rriti numrin e vendeve të lira që t'u mundësojë nxënësve mobilitet më të madh dhe fleksibilitet në zgjedhjen e profesionit për të cilin përcaktohen.
Numri i paraleleve është rritur edhe në arsimin e mesëm gjimanzist, por edhe në ato profesionale. Numri i përgjithshëm i tyre është 1.104 paralele, prej të cilave 703 paralele janë për mësim në gjuhën maqedonase, 375 për mësim në gjuhën shqipe (87 më shumë nga viti i kaluar), 25 paralele në gjuhën turke (tetë më shumë se viti i kaluar) dhe një paralele për mësim në gjuhën serbe.
Shkollën fillore në gjuhën shqipe e kanë mbaruar 9.178, por ka 12,750 vende të lira, respektivisht 38,9 për qind më shumë se numri i tyre, në gjuhën maqedonase shkollën fillore e kanë kryer 17.360 nxënës, por ka vende për 23.902 ose 37,6 për qind më shumë, në gjuhën turke tetëvjeçaren e kanë kryer 581 nxënës, ndërsa janë siguaruar 850 ose 46,2 për qind më shumë vende dhe për 13 nxënës të cilët e kanë ndjekur mësimin në gjuhën serbe ka 34 gjegjësisht 21,4 vende më shumë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pero Stojanovski dje në konferencën për shtyp i përkujtoi prindërit në obligimin ligjor që t'i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla të mesme, sepse në të kundërtën do të paguajnë gjobë prej 1.000 euro.
Inspektorati shtetëror arsimor vitin e kaluar ka parashtruar padi kundërvajtëse kundër prindërve në 22 komuna. Prej tyre më shumë ka në komunat Tetovë (424), Gostivar (208), Kumanovë (130), Strugë (112) dhe Saraj (105).
"Presim që këtë vit numri i nxënësve të cilët do të regjistrohen në arsim të mesëm të jetë më i madh se viti i kaluar, për shkak se me parashtrimin e padisë kundërvajtëse një numër i madh i prindërve kërkuan t'i regjistrojnë fëmijët e tyre në arsim të mesëm me vonesë. Qëllimi i Ligjit për arsim të mesëm të obligueshëm shkon pikërisht në drejtim të sigurojnë 100 për qind përfshirje të nxënësve, të cilët kryejnë shkollën fillore dhe vazhdojnë në shkollën e mesme", theksoi Stojanovski, duke shtuar se MASH-i edhe mëtej do të punojë në afërsinë e shkollave deri te të gjithë nxënësit, për çka hap edhe paralele të disperzuara në vendet e largëta të banuara dhe i përmirëson kushtet për nxënësit me hendikap.
Ministri përkujtoi se nga viti shkollor 2009/2010 të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të marrin libra falas, e jo vetëm për fëmijët nga familjet që marrin asistencë sociale, siç ishte në vitin e kaluar. Transport falas do të kenë nxënësit e shkollave të mesme në vitin e parë dhe të dytë, gjegjësisht ata të cilët janë regjistruar nga miratimi i ligjit për arsim të mesëm të obligueshëm. Për realizimin e tij, buxheti i MASH-it është rritur për 44 për qind në pjesën e bllok-dotacioneve dhe me dedikim, të cilat dërgohen deri te komunat.