E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ai nuk ka dashur kurrë që të shkruajë autobiografinë e tij. Që kur vitin e kaluar u bë një person publik në të gjithë botën si “fytyra” e “Wikileaks”, historia e tij personale ka dominuar gazetat e botës, madje po aq sa edhe informacionet që ai dha përmes sajtit të tij.
Julian Asanzh dhe autobiografia e paautorizuar









Shfaqja e tij e beftë në qendër të vëmendjes shkaktoi jo vetëm kuriozitet, por edhe xhelozi nga një pjesë e stafit të tij të brendshëm, që pasi e panë që Asanzh u shndërrua në simbol, deklaruan se ai ua mori gjithë famën dhe për këtë u larguan. Madje, ata e akuzuan se Julian po e përdorte platformën e “Wikileaks” për një axhendë politike personale. Vetë Asanzh ishte shumë i ndërgjegjshëm për faktin se profili i tij mund të hijezonte punën që kishte bërë. Shpesh ankohej se media ishte më shumë e dhënë pas tij se sa pas punës së tij apo dokumenteve të publikuara nga “Wikileaks”. Këtë e tregojnë edhe ofertat që iu bënë për të shkruar një autobiografi. Ishin të shumta, të majme dhe shumë të shpeshta. Fillimisht australiani 40-vjeçar shfaqi shumë pak interes ndaj këtyre ofertave, sepse e dinte se kjo do t’i hidhte benzinë zjarrit. Por ama nga ana tjetër, kishte edhe një nevojë akute për para, duke qenë se autoritetet suedeze nisën që ta ndiqnin penalisht pas akuzave për marrëdhënie seksuale me forcë, nga dy vajza.

E gjithë kjo kishte një kosto monetare. Dhe, kjo ishte një pikë e fortë në ndryshimin e vendimit. Për “Canotage”, një shtëpi e vogël botuese skoceze që duket se arriti që të mundte të gjithë konkurrentët e tjerë përmes një oferte me gjashtë shifra ndaj Asanzh, publikimi i kujtimeve të tij është një hap shumë i rëndësishëm dhe me përfitim për të gjitha palët. Në dhjetorin e kaluar Asanzh pranoi një paradhënie nga kjo shtëpi botuese me vlerë jo të vogël, por edhe nga një botues njujorkez, Alfred A Knopf. “Canotage” ia shiti të drejtën 38 shtëpive botuese në të gjithë botën. Romancieri skocez, Andreu O’Hagan u “pajtua” si një asistent i Asanzhit, duke kaluar rreth 50 orë intervistash me të. Në atë kohë themeluesi i “Wikileaks” deklaronte se shpresonte që libri i tij të shndërrohej në një nga dokumentet unifikuese për brezin e të rinjve, një libër në të cilin do të shpjegohej përpjekja e tij globale për të ndryshuar marrëdhënien mes njerëzve, pra popullit dhe qeverive. Por kjo lidhje u prish kur Julian mori kopjen e parë të librit në marsin e kaluar, dhe pas kësaj ai vendosi që të mos e vazhdonte më këtë marrëveshje, duke deklaruar se “i gjithë kujtimi ishte një prostituim”.

Për botuesit, këto vërejtje të tij erdhën krejtësisht papritur. Vetëm një javë para se ai të ankohej kishte pozuar për një set fotografish, mes të cilave do të përzgjidhej njëra për t’u vendosur në kopertinë. Sipas disa burimeve, Julian kishte shprehur shumë pakënaqësi në lidhje me mënyrën e pakëndshme të paraqitjes në këtë libër të të dhënave dhe fakteve të tij autobiografike. Asanzh kishte synuar që libri të kishte diçka autobiografike dhe pjesa tjetër ishte një manifest politik, por në vend të kësaj, të dhënat biografike kishin mbizotëruar dhe ishte shkruar shumë pak për atë që Asanzh donte të thoshte në të vërtetë. Në 7 qershor ai njoftoi shtëpinë botuese “Canotazh” se donte ta prishte kontratën që kishin bërë së bashku, ndërkohë që publicisti i shtëpisë nuk donte që kjo të shkaktonte një zhurmë të madhe, por nuk hoqi dorë nga përpjekja për ta publikuar dhe në fund të fundit e bëri realitet një gjë të tillë. Tashmë libri mund të konsiderohet vetëm një “autobiografi e paautorizuar”.

Në fakt, vendimi i Asanzh për t’u tërhequr nga marrëveshja e futi shtëpinë e vogël botuese në krizë. Kjo, sepse tashmë ajo i kishte marrë paratë nga shtëpitë e tjera të cilave u kishte shitur të drejtat e autorit. Ata kërkuan që të bënin ndonjë kompromis me Julian. Kështu, i dhanë dy muaj kohë që të punonte vetë me dorëshkrimin dhe ta sillte në formën që donte, duke i bërë të gjitha ndryshimet që shikonte të arsyeshme. Por Asanzh nuk kishte asnjë dëshirë që të merrej me korrigjimin e librit. Avokatët e botuesit ngulmojnë se është e drejta e tij që të publikojë librin, për shkak se i paguan Asanzhit 400 mijë paund të cilat nuk i kanë marrë mbrapsht. Si përfundim, dje është publikuar autobiografia e Asanzh, dhe kjo pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij dhe të “Wikileaks” për ta ndaluar një gjë të tillë. Në këtë libër, Asanzh flet për herë të parë për ngjarjet që e çuan atë drejt betejës me ekstradimin, pas akuzave që i bënë dy vajza suedeze për marrëdhënie të paligjshme seksuale.

Libri, që pavarësisht kundërshtimit të Asanzh ka dalë në dritë, jep një vëzhgim të thellë të njeriut që një vit më parë u vendos në qendër të vëmendjes së shtypit, së bashku me sajtin e tij “Wikileaks”, i cili ka nxjerrë deri më tani shumë materiale të fshehta që flasin për shumë fëlliqësira të qeverive dhe politikanëve të planetit, për pak të fshehta në kurriz të popujve dhe për fytyrën e vërtetë të atyre që na qeverisin. Janë kabllograme dhe materiale të cilat janë grumbulluar nga burime që mbeten sekret dhe që vazhdojnë edhe sot të publikohen dhe të botohen në faqet e gazetave të botës. Sipas librit, Asanzh ishte paralajmëruar për veprimet që mund të ndërmerrte qeveria amerikane ndaj tij pas publikimit të kabllogrameve si dhe për të gjitha rreziqet që paraqiste veprimi i tij. Në libër ka edhe një kapitull të veçantë në të cilin ai flet dhe shpjegohet në lidhje me akuzat që i bënë dy gratë suedeze, të cilat e çuan në një betejë të gjatë dhe të kushtueshme ekstradimi. Ai pranon se kishte fjetur me të dyja, por nuk pranon pjesën e akuzës së tyre në të cilën thuhet se ato nuk kanë e dashur marrëdhënien dhe se ishte ai që i kishte marrë ato forcërisht.

Më pas jepet edhe një përshkrim i gjallë i tij si një njeri shumë idealist, që kërkonte mbi të gjitha të ndryshonte mënyrën e bërjes politikë dhe të llogaridhënies së politikanëve ndaj njerëzve. Asanzh edhe më parë ka këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme për transparencën si një nga tiparet kryesore të një demokracie të vërtetë. Julian ka pasur një vizion të qartë se, vetëm me transparencë gjërat do të funksionojnë dhe llogaridhënia do të ishte shumë e madhe. Libri fillon me një rrëfim të fëmijërisë së Julian në Australi me prindërit e tij bohemë, dhe përshkruan se si u fut për herë të parë në botën e fshehtë të hakersave dhe të kompjuterëve. Më pas rrëfen edhe se si për herë të parë pati idenë e një sajti i cili do të publikonte dokumente që merreshin në mënyrë joligjore, por që flisnin hapur për shkeljet e ligjit nga ana e atyre që na drejtojnë dhe që i kemi mbi krye.

Publikuar: 24.09.2011 | 08:52
Lexuar: 488 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime