Liria e mediave dhe fjalës së lirë është parakusht për demokraci funkcionale dhe Bashkimi Demokratik për Integrim angazhohet për një partneritet me mediat duke theksuar përgjegjësinë e madhe që kanë përfaqësuesit e mediave në krijimin e opinionit publik në vend.
- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Shkup u takua me raportuesin e Komisionit për respektim të obligimeve dhe angazhimeve të vendeve anëtare të Asamblesë Parlamentare pranë Këshillit të Evropës, Robert Valter.
Bashkëbiseduesit, siç thuhet në komunikatën për media të Kabinetit të liderit të partisë, shtjelluan tema të rëndësishme politike, përfshirë zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, gjendja me mediat, si dhe zhvillimet politike pas zgjedhjeve te fundit parlamentare.
Ahmeti përsëriti qëndrimin se Marrëveshja e Ohrit mbetet prioriteti kryesor, duke theksuar se në dekadën e fundit është bërë mjaft, por perkushtimi për zbatimin e tërësishëm të fjalës dhe frymës së Marrëveshjes paqësore duhet të vazhdojë dhe te intensifikohet.
Lideri i BDI-së nënvizoi lëvizjet e fundit pozitive në këtë drejtim, siç është sjellja e ndryshimit të ligjit për përdorimin e flamurit, interpretimi autentik i ligjit të amnestisë, ndryshimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe me vlerësimin se kjo zgjidhje nuk duhet të jetë përfundimtare dhe që ky ligj duhet te avansohet edhe me tutje.
Duke folur për proceset zgjedhore në vend, Ahmeti i vlerësoi zgjedhjet e fundit parlamentare si zgjedhje të shkëlqyera dhe të vetmet me rezultat të pranuar nga të gjitha palët. Zgjedhjet e qershorit të këtij viti vendosen standarde që duhet të janë referencë për gjitha zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i BDI theksoi faktin se të vetmet zgjedhje në dekadën e fundit që kanë marrë vlerësim absolut negativ janë ato të 1 qershorit 2008, kur BDI nuk ishte në qeverisje dhe që do të mbahen mend si zgjedhjet më të rënda në Maqedoni.
Liria e mediave dhe fjalës së lirë është parakusht për demokraci funkcionale dhe Bashkimi Demokratik për Integrim angazhohet për një partneritet me mediat duke theksuar përgjegjësinë e madhe që kanë përfaqësuesit e mediave në krijimin e opinionit publik në vend.
Ahmeti edhe një herë theksoi se integrimi në NATO dhe BE është mënyra e vetme për ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimit të përgjithshem të vendit dhe të rajonit. Çdo vonesë në këto procese nuk është e dobishme për paqën dhe stabilitetin në vend e rajon dhe pamundëson prosperitetin ekonomik të vendit.