Ka kaluar java e parë qëkur këngëtarët janë prezantuar me këngët e tyre në festivalin tashmë tradicional Kënga Magjike. Për herë të parë në këtë garë është paraqitur këngëtarja tashmë e njohur Adelina Tahiri, e cila ndjehet mjaft e kënaqur me këtë pjesëmarrje. Në intervistën dhënë Zërit ajo do të shpalosë më shumë rreth pjesëmarrjes në Këngën Magjike, aktivitetet e saj muzikore dhe jetën private.
Çfarë ju shtyri të merrni pjesë në Këngën Magjike?
Kam përshtypjen se festivali tashmë tradicional Kënga Magjike është një nga festivalet më cilësore. Gjithnjë kam dashur të jem pjesë e këtij festivali dhe fatmirësisht tani për herë të parë po paraqitem në të.
Mendoni se do të merrni ndonjë çmim?
Në këtë festival synoj të arrij shumë, nuk kam pretendim te çmimi por te suksesi i këngës që do të vazhdojë më tutje. Jam paraqitur me këngën baladë Ti mos u kthe, që është realizuar mjaft mirë dhe besoj se publiku do ta veçojë këtë këngë. Kompozimin dhe orkestrimin e kësaj balade e ka bërë Eldit Doda, ndërsa tekstin Arben Duka. Kënga ka një tematikë dashurie, që bëhet fjalë për një dashuri pa kthim.
I frikësoheni konkurrencës në këtë festival?
Sa i përket konkurrencës them se është mjaft e fortë duke ditur pjesëmarrjen e disa prej këngëtarëve të njohur. Mirëpo jam një tip që nuk frikësohem nga asgjë dhe kështu që as konkurrencës në Kënga Magjike nuk i frikësohem.
Çfarë projektesh keni për të ardhmen?
Fillimisht dua të realizoj videoklipin e baladës Ti mos u kthe, edhe nëse nuk do të arrij të marrë ndonjë çmim, kënga përsëri do të tërheqë vëmendjen e publikut duke pasur edhe videoklipin. Kam vendosur që këtë videospot ta përgatis me produksionin Max Produktion. Sa u përket skenave të xhirimit, ato do të jenë në një liqen në periferi të Tiranës dhe një pjesë do të jetë brenda në studio. Uroj që videoklipi të pëlqehet në publik.
Thuhet se do ti braktisni studimet në Shkup për të kaluar këtu në Kosovë, përse?
Kam nisur studimet në vitin e dytë për diplomaci këtu në Shkup dhe është e vërtetë se unë tash e tutje do të jem studente e Universitetit privat Iliria ku do të vazhdoj vitin e dytë atje. Arsyeja përse kam vendosur për këtë janë disa kushte që më janë ofruar nga ky universitet të cilat edhe më konvenojnë. Megjithatë, besoj se karrierën time muzikore kam përshtypje se mund ta zhvilloj edhe në Kosovë duke ditur se edhe atje kam shumë fansa dhe dashamirë të këngës sime.
Si qëndrojnë raportet tuaja me kolegët kosovarë?
Thuajse me të gjithë vazhdoj të kem raporte të mira. Artistët kosovarë janë shumë të dashur dhe të afërt.
Çfarë ka të reja në jetën private?
Sa i përket jetës private nuk kam se çfarë të them për faktin se jam ende ajo Adelina e mëparshme. /Zëri/