E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Cowboys & Aliens”, filmi i drejtuar nga Jon Favreau, bën bashkë Daniel Craig dhe Harrison Ford. Në moshën 69-vjeçare, aventurieri më i famshëm i Hollivudit, bën gjëra që edhe të rinjtë do të mendoheshin dy herë për t’i pranuar.
Harrison Ford: Tė punosh me jashtėtokėsorėt ėshtė e thjeshtė






Çfarë bëjnë në të njëjtin film regjisori i “Iron Man”, aktori që interpreton James Bond dhe Indiana Jones? Shumë e thjeshtë, luftojnë kundër jashtëtokësorëve. “Cowboys & Aliens”, filmi i drejtuar nga Jon Favreau, bën bashkë Daniel Craig dhe Harrison Ford. Në moshën 69-vjeçare, aventurieri më i famshëm i Hollivudit në rolin kolonelit Woodrow Dolarhyde bën gjëra që edhe të rinjtë do të mendoheshin dy herë për t’i pranuar. “Nuk ishte hera e parë që merrja pjesë në një rodeo”, thotë Ford, duke qeshur në prezantimin e filmit. Dhe nuk tërhiqet pas kur i kërkohet nëse do ta shohim në episodin e katërt të “Indiana Jones”. “Nëse George Lucas nuk do të arrijë të gjejë një ide që të bindë si Steven Spielberg ashtu edhe mua, përse jo? Do më pëlqente shumë të interpretoja sërish tek Indiana Jones”.

Fansat tuaj do të jenë të lumtur kur ta marrin vesh. Ndërkohë, cila ishte arsyeja që pranuat të luanit tek “Cowboys & Aliens”, ju mungonin filmat “western”?

Sigurisht që e bëra për para. (shpërthen në të qeshur)

Keni dëshirë të bëni shaka?

Jo, thjesht se m’u duk shumë interesante ideja për ta parë cowboy dhe indianë që bashkëpunojnë për të mundur jashtëtokësoret. Në fillim të karrierës sime, kisha interpretuar dy “western”. Ky lloj zhanri ka ngacmuar gjithnjë fantazinë time, por humbi peshë kur karriera nisi fluturimin. Ka qenë vetëm një rastësi e pafat që nuk kam bërë më shumë.

Është e vërtetë që për t’u përgatitur keni parë një sërë filmash të këtij zhanri në televizion?

Është shumë e vërtetë. Sepse unë nuk shkoj kurrë në kinema dhe i shoh filmat ulur në kolltuk. Pashë klasikët e vjetër, ata të John Ford e John Wayne, edhe pse ky film është krejt ndryshe. Gjithsesi ishte bukur kur xhironim në ajër të pastër, por edhe në studio nuk ishte keq. Unë vuaj shumë kur jam i mbyllur brenda, kam nevojë për një kontakt të përditshëm me natyrën.

Cowboy-t në film janë ndryshe nga ata klasikët, këtu luftojnë edhe me jashtëtokësorët...

E vërtetë, por kur merr përsipër rolin, nuk mund t’i mendosh të gjitha. Aktorët duhet të kenë edhe shumë imagjinatë, të tjerat i takojnë regjisorit. Por mund të them se një regjisor duhet të mbrohet nga tundimi për t’i besuar shumë efekteve speciale: 3D nuk mund ta bëjë kurrë të bukur një film të shëmtuar.

Nuk keni menduar asnjëherë të bëheni regjisor? Në moshën tuaj shumë aktorë drejtojnë dhe prodhojnë shumë nga punët e tyre në kinema...

Jo, nuk e kam menduar kurrë. Më duket një punë shumë stresuese. Pastaj nuk më pëlqen të kontrolloj gjithçka dhe të gjithë. Preferoj të aktroj dhe këtë do të bëj deri sa të mundem. Pas kësaj, nuk i dihet...

Thashethemet në Hollivud thonë se keni pasur një ofertë për të interpretuar në “Air Force One”. Është e vërtetë?

Mund t’ju them vetëm kaq, se ka diçka të vërtetë në atë që thuhet. Më tepër nuk mund të them.

Na tregoni me sinqeritet, se kush është më seksi në film. Ju apo Daniel Craig. Më mirë Indiana Jones apo 007?

Është një sfidë e bukur. Ai është rreth 25 vjet më i ri se unë. Sipas jush, kush mund të fitojë? Por mund t’ju them se Indiana Jones ka shumë veti që grave u pëlqejnë, përtej forcës fizike.

Ju keni bërë për vete aktoren Calista Flockhart, rreth 23 vjet më e re se ju. Është e vërtetë që i kërkuat të martoheshit për Shën Valentin?

Po dhe fatmirësisht pranoi. U martuam në kishë. Nuk besoj shumë te martesa, por besoj tek Calista dhe kjo më mjafton. Kemi një fëmijë 9 vjeç, Liam. Ja përse nuk mund të dal në pension.

Keni pesë fëmijë nga tre gra të ndryshme. Si arrini t’i administroni raportet me të gjithë?

Janë fëmijë të thjeshtë dhe jam shumë i lumtur nga raporti i veçantë që kam me cilindo prej tyre. Mundohem t’u kushtoj kohë dhe është një ndjesi e jashtëzakonshme t’i shohësh se si rriten.

Për ju, duket se koha nuk kalon kurrë. Si arrini të mbani trupin në formë?

Nuk kam një instruktor personal, por luaj tenis, ushqehem në mënyrë korrekte, fle herët. Për më tepër e shijoj jetën.

Jeni ende pilot i avionit tuaj personal?

Edhe i helikopterëve të mi. Fluturimi është pasioni im më i madh. Të udhëtosh sipër bukurive natyrore amerikane është një aventurë që ua këshilloj të gjithëve. Duhet të kesh dëshirë. Vetëm kaq mjafton.

Publikuar: 27.09.2011 | 09:09
Lexuar: 567 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime