Në punimin studimor, i cili nga komisioni u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në shkencën e medias dhe komunikimit, Tahiri përmes modeleve teorike dhe fakteve empirike konkludon se shërbimi radiodifuziv publik- Radio Televizioni Maqedonas vazhdimisht ka qenë nën kontrollin e partive politike në pushtet.
Gazetari Sefer Tahiri mbrojti me sukses tezën e doktoraturës me temë Ndikimi i partive politike ndaj politikës redaktuese të shërbimit radiodifuziv publik në periudhën prej vitit 1998-2006, në Universitetin e Nju Jorkut në Shkup.
Para komisionit në përbërje: dr. Dona Kollar-Panov (mentore), dr. Gjorgji Spasov, dr. Nano Ruzhin, dr. Nazmi Maliqi dhe dr. Emilija Canevska, Tahiri prezantoi rezultatet e hulumtimit tre vjeçar duke nënvizuar se politika ka qenë fati i keq i RTVM-së.
Në punimin studimor, i cili nga komisioni u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në shkencën e medias dhe komunikimit, Tahiri përmes modeleve teorike dhe fakteve empirike konkludon se shërbimi radiodifuziv publik- Radio Televizioni Maqedonas vazhdimisht ka qenë nën kontrollin e partive politike në pushtet.
Teza kryesore e Tahirit është se ndaj politikës redaktuese të RTVM-së kanë ndikuar partnerët e koalicionit qeveritar, për shkak se kjo media nuk ka arritur të transformohet nga shërbim shtetëror në publik.
Ndikimi politik ndaj politikës redaktuese të RTVM-së sipas Tahirit ka qenë shkaku kryesor që ka shkaktuar krizën e përhershme me të cilën ballafaqohet shërbimi publik në periudhën e pluralizmit në Maqedoni.
Faktorët kryesorë që ndikojnë në politizimin e shërbimit radiodifuziv publik-RTVM janë: moszbatimi i Ligjit për veprimtari radiodifuzive, moszgjidhja e financimit dhe ndërhyrja e shtetit në mbulimin e shpenzimeve të RTVM-së që implikon ndikim politik, ndikimi vendimtar i partive në zgjedhjen e organeve drejtuese të RTVM: anëtarëve të Këshillit drejtues, Këshillit të RTVM-së dhe drejtorit e zëvendësdrejtorit ekzekutiv dhe instrumentalizimi i shërbimit publik gjate fushatave zgjedhore dhe ditës së votimeve.
Sefer Tahiri ka punuar si gazetar e redaktor në shumë media të vendit, por edhe si analist e debatues i çështjeve politike dhe mediatike, pjesëmarrës në disa hulumtime e projekte, ndërsa aktualisht është i angazhuar në Fakultetin e komunikimit në UEJL.