E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Zyrtarët europianë po përpiqen për të shmangur një mospagim të borxhit grek, i cili mund të ndikojë negativisht në bilancet e bankave europiane, në perspektivën e euros dhe një krize të re globale financiare.
Greqi, miratohet shkarkimi i mijėra nėpunėsve shtetėrorė








Qeveria greke mira- TAKIMI toi të dielën planin e diskutueshëm për të hequr nga puna mijëra nëpunës të shtetit dhe për të nënshkruar draftin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Greqia po lufton për të shkurtuar shpenzimet, për të çliruar dhënien e kredive të shpëtimit dhe për të evituar falimentimin.

Pa marrjen e 8 miliardë eurove, kësti i ardhshëm i shpëtimit, Greqia e zhytur thellë në borxhe mund të mos ketë më para as për të paguar pagat shtetërore, brenda disa javësh.

Zyrtarët europianë po përpiqen për të shmangur një mospagim të borxhit grek, i cili mund të ndikojë negativisht në bilancet e bankave europiane, në perspektivën e euros dhe një krize të re globale financiare.

Negociatorë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Europian dhe Banka Qendrore Europiane kanë vëzhguar buxhetin e Greqisë dhe planet e reformave që nga e enjtja. Ata do të vendosin nëse politikat e vendit do t’i mundësojnë marrjen e kredisë së re.

Për të bindur trojkën për lirimin e kredive, Greqia ka premtuar se do të rrisë taksat, do të ulë pagat e shtetit dhe të përshpejtojë planet për të reduktuar një të pestën e punëtorëve të sektorit publik deri në vitin 2015.

Inspektorët pritet të japin dritën jeshile për lirimin e këstit të ndihmës, për të shmangur zvarritjen e eurozonës edhe më thellë në probleme. Por, sipas “Reuters”, ata do të bëjnë edhe parashikime për periudhën 2012-2014.

Nëse inspektorët arrijnë në përfundimin se recesioni në Greqi do të vazhdojë të jetë më keq sesa ishte parashikuar, zyrtarë të BE-së kanë sugjeruar se bankat, të cilat ranë dakord për të nënshkruar në korrik mbulimin e 21 për qind të vlerës së borxhit grek, mund të jenë të detyruara të ofrojnë më shumë.

Masat shtrënguese janë shumë jopopullore dhe sindikatat e sektorit publik shpresojnë se grevat dhe demonstratat mund të thyejnë zgjidhjen e qeverisë socialiste për to. Nëpunësit civilë kanë ndërprerë bisedimet me trojkën gjatë ditëve të kaluara, duke bllokuar ministritë. Qeveria ka një shumicë prej vetëm katër vendesh në Parlament dhe mund të shkonte drejt zgjedhjeve, në qoftë se një pjesë e vogël e ligjvënësve do ta pengonin atë.

Asnjë pjesë e paketës nuk ishte më e diskutueshme sesa plani për të lënë pa punë punonjësit shtetërorë, të cilët përbëjnë një të pestën e fuqisë punëtore greke dhe e kanë të garantuar punën për të gjithë jetën, nën një Kushtetutë që e ndalon pushimin e tyre nga puna, në pothuajse të gjitha rrethanat.

Qeveria planifikon të fillojë me shkurtimin e 30.000 punëtorëve në një “rezervë pune”, deri në fund të këtij viti. Ata do të paguhen 60 për qind të pagave të tyre për një vit, pas të cilit ata do të shkarkohen. Por qeveria ende nuk ka njoftuar se si do të funksionojë plani. Zyrtarët grekë thanë se ishin pranë një zgjidhjeje në bisedimet e tyre me inspektorët mbi programin e kursimit.

TAKIMI

Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, u takua dje me Presidentin francez, Nikolas Sarkozi, për të përshpejtuar marrëveshjen e tyre për planin ekonomik të përbashkët në BE, i cili u prezantua rreth dy muaj më parë. Plani parashikon vendosjen e një platforme të përbashkët financiare për të gjithë Europën.

Propozimi “jashtë euros”

Zv/kreu i Unionit Kristian Social, një nga tri partitë e koalicionit të qendrës së djathtë të kancelares Anxhela Merkel, tha të dielën se për Greqinë mund të ishte më mirë të largohej nga eurozona, nëse nuk mund të riparojë shëndetin e saj fiskal. Aleksander Dobrindt tha për radion “Deutschlandfunk”, se dalja e Greqisë nga euro mund të ishte masa e fundit dhe Greqia do ta kishte më të lehtë ta merrte veten jashtë bllokut të monedhës së përbashkët.

40 mijë familje “të falimentuara”

Rreth 40 000 familje greke kanë pranuar se nuk arrijnë të paguajnë kreditë e tyre si pasoje e krizës ekonomike. Deklarata u bë nga zyra statistikore bankare në Ministrinë e Financave në Athinë. Pjesa më madhe e këtyre familjeve janë pensionistë dhe nëpunës të sektorit shtetëror, por edhe atij privat të lënë të papunë nga masat e kursimit dhe rritjet e taksave të bizneseve. Vetëm në Athinë janë deklaruar 7 500 familje të falimentuara, ndërsa në shkallë vendi janë 40 mijë të tilla.

Katari: Marrëveshje 1,2 mld euro për arin grek

Të shtunën në mbrëmje, në prani të Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu dhe emirit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Than, u nënshkrua një marrëveshje për hyrjen e kapitaleve investuese të shtetit arab në kompaninë greke “Ari grek”, e cila shfrytëzon minierat e arit të Kalkidikisë, në Greqinë Verilindore. Investimi do të arrijë deri në 1.2 miliardë euro dhe parashikohet të hapë rreth 1500 vende pune. “Katar Holdings” përfitoi më parë 10 për qind të aksioneve të një kompanie greke në “Europian Goldfields”, që ka në zotërim 95 për qind të aksioneve të firmës “Ari grek”, e cila këtë verë u licencua nga shteti grek për nxjerrjen e arit në Kalkidiki. “Sot vërtetohet në praktikë se sa e rëndësishme është të kompletohen në vendin tonë të gjitha reformat e nevojshme”, tha Papandreu pas nënshkrimit të marrëveshjes, e cila sipas tij ishte shenjë e “besimit ndaj shanseve investuese”, që ofron Greqia. Muajin e kaluar, rreth 500 milionë euro të tjera u investuan prej Katarit për bashkimin e bankave greke “Eurobank” dhe “Alpha Bank”.

Publikuar: 03.10.2011 | 14:17
Lexuar: 319 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime