Në rast se njëri prej dy regjistruesve nuk dëshiron të regjistrojë një gjë të tillë, thotë Osmani, atëherë ai bën kundërvajtje ligjore dhe partneri i tij, regjistruesi tjetër duhet të japë vërejtje me shkrim për atë se nuk po respektohet ligji.
Në regjistrimin e popullsisë do të përfshihen të gjithë mërgimtarët, tha për Alsat-m nënkryetari i Komisionit Shtetëror për Regjistrim, Bujar Osmani, pak para fillimit të mbledhjes së Komisionit.
Osmani shtoi se për ekipet e regjistruesve, valide është deklarata e familjarëve.
"Ligji është i qartë në këtë drejtim, do të regjistrohen të gjithë mërgimtarët, për të cilët familjarët do të deklarojnë se janë larguar nga vendi herën e fundit 12 muajt e fundit, para fillimit të regjistrimit dhe në bazë të ligjit është e detyrueshme që regjistruesit t'i regjistrojnë ata. Fillimisht në fazën e parë nuk është detyrë e regjistruesve që të verifikojnë se kur qytetarët kanë dalë nga vendet e tyre, mjafton, valide është deklarata e familjarëve e atyre që japin të dhënat për ata njerëz të cilët nuk janë këtu dhe regjistruesit duhet t'i regjistrojnë ata njerëz" , tha Osmani.
Në rast se njëri prej dy regjistruesve nuk dëshiron të regjistrojë një gjë të tillë, thotë Osmani, atëherë ai bën kundërvajtje ligjore dhe partneri i tij, regjistruesi tjetër duhet të japë vërejtje me shkrim për atë se nuk po respektohet ligji.
Osmani tha se anëtarët shqiptarë të Komisionit Shtetëror për Regjistrim në mbledhjen e sotme do të hapin edhe çështjen e zgjerimit të afatit të regjistrimit të popullsisë.
"Anëtarët shqiptarë të Komisionit shqyrtojnë mundësinë që të kërkojnë prolongimin e afatit të regjistrimit. Nuk duam që afati i regjistrimit të kërcënojë afatin e realizimit. Mendoj se është më me rëndësi që regjistrimi të jetë i suksesshëm se sa ai të realizohet në një kohë të caktuar. Prandaj do të kërkojmë që deri 15 ditë të prolongohet afati që të mund të krijohet një komoditet ku regjistruesit të kenë hapësirë të arrijnë në çdo vendbanim dhe të regjistrojnë çdo qytetar të Maqedonisë", potencoi Osmani.
I pyetur rreth pengesave me të cilat po ballafaqohen disa regjistrues nëpër institucione të ndryshme, nënkryetari i KSHR-së, tha se secili duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve teknike e jo të bëhet pjesë e problemit, andaj kërkoi nga institucionet dhe drejtuesit e tyre që të respektojnë ligjin dhe të mos pengojnë nëpunësit shtetëror të dalin të regjistrojnë.