Jam mësuar me fatkeqësitë. Isha shtatë vjeç kur pashë për herë të parë një grua të vrarë. Them se jam kockë e fortë
Fëmijëria, tragjeditë familjare, arrestimi për akuzat e përdhunimit
Jam mësuar me fatkeqësitë. Isha shtatë vjeç kur pashë për herë të parë një grua të vrarë. Them se jam kockë e fortë
Roman Polanski është rrëfyer në një intervistë televizive për herë të parë që pas arrestimit në Zyrih, në vitin 2009. Regjisori ka treguar gjithçka: nga fëmijëria e vështirë e deri te burgimi për abuzim seksual me Samantha Geimer (trembëdhjetë vjeçe në vitin 1977). Polanski u është përgjigjur pyetjeve të Darius Rochebin, gazetarit të televizionit zviceran Tsr). Që nga përgjigjet e para e ndjeva se Polanski do të ishte i sinqertë, shpjegoi gazetari. Regjisori ka qëndruar ulur për 60 minuta përpara telekamerave. Lexoni më poshtë intervistën.
Çmimi i nderit në Festivalin e Zyrihut i shkoi filmit Carnage, i cili u duartrokit shumë në Festivalin e Venecias. A ka diçka ironike në këtë turne nderimesh, pas turpërimit të burgut?
Jam mësuar me këtë gjë prej 34 vjetësh. Nuk e harroj që kam qenë në burg. E kam shprehur keqardhjen time. Për këtë arsye u largova nga Shtetet e Bashkuara, sepse donin të më ripërsërisnin këtë eksperiencë. Por këtë herë ishte më e përballueshme. Nuk isha i pushtuar nga paniku i regjisorit të ri, i cili nuk qëndron kurrë në të njëjtin vend më shumë se tri ose katër ditë.
Gjatë skandalit Strauss-Kahn, ka nga ata që e kanë krahasuar me ju. Një ngjarje që trondit një jetë...
Po, po. Sigurisht.
Keni ndier keqardhje?
Po, natyrisht. Por tashmë kanë kaluar 34 vjet. Sigurisht që kam ndier keqardhje.
Sot ju mund të shkoni vetëm në Zvicër, Francë, Poloni...
Jetoj në Francë, jam francez!
Ka shumë vende që juve nuk ju lejohet të shkoni. Ndiheni i izoluar?
Jo, sepse tashmë jam mësuar. Përveç kësaj, kam udhëtuar shumë gjatë gjithë jetës sime. Ajo që vërtet ka vlerë për mua tani është të qëndroj afër familjes sime dhe të mos jem i ndarë siç ndodhi kur isha në paraburgim. Tani vlerësoj më shumë rrjedhën normale të jetës sime.
Ndonjëherë ju përshkruajnë si një xhuxh i keq dhe epsharak, ose si një gjeni i kinemasë, ndonjëherë të dyja këto së bashku...
Është një imazh i imi që doli pas vdekjes së Sharon Tate. Kjo gjë i ka pëlqyer pjesës më të madhe të mediave dhe vazhdon tu pëlqejë gjithnjë e më shumë. Për gjithë këtë, i detyrohem internetit.
Cila ishte arsyeja e ardhjes tuaj në Zvicër për herë të parë?
Çuditërisht për herë të parë erdha këtu për tia mbathur nga mediat, pas tragjedisë në Los Anxhelos, kur bashkëshortja ime Sharon Tate, shtatzënë tetëmuajshe, u gjet e vrarë bashkë me tre miqtë e mi. Para se Manson të arrestohej, isha i dyshuari kryesor i ngjarjes. Kjo gjë i kënaqi pa masë gazetarët, sepse sapo kisha përfunduar së xhiruari filmin Rosemarys baby, mbi magjinë e zezë dhe ata e lidhën menjëherë ngjarjen tragjike me filmin. Gjendja u bë e padurueshme. Një mik i imi më ftoi në Gstaad. Më tha se atje do të isha më i qetë. Në fakt në atë kohë atje ndiheshe krejtësisht i mbrojtur. Kishte tek-tuk ndonjë paparac që vinte gjatë stinës së verës, ose për Krishtlindje për të më fotografuar, por gjithçka përfundonte aty.
Nëna juaj u vra në kampin e përqendrimit në Auzhvic, kur ishte shtatzënë, e njëjta gjë ndodhi edhe me gruan tuaj Sharon Tate. Gjithmonë keni qenë i fortë. Si ia keni bërë për tia arritur një gjëje të tillë?
E dini, ia bëj shpesh vetes këtë pyetje. Ndoshta ngaqë jam krijuar prej ndonjë materiali të fortë.
E keni parë kaq shpesh vdekjen, vdekjen e të afërmve tuaj, vdekjen prej së cilës edhe ju vetë ia keni mbathur. E gjitha kjo e ndryshon mënyrën e të parit të gjërave?
Sigurisht. Kam parë vdekjen në moshë shumë të re, në geto. Herën e parë, kur isha shtatë vjeç, pashë një grua të vrarë, katër metra larg meje. Jam mësuar me vdekjen, njësoj si kirurgu me operacionet.
Ka pasur ndryshime mahnitëse gjatë gjithë rrugëtimit tuaj në jetë, madje duke filluar që nga fëmijëria kur i thatë një vajze të vogël më puth prapanicën. Kjo përcakton shumë gjëra...
Po, ishte dita ime e parë dhe e fundit në kopsht, sepse më përjashtuan menjëherë. Pas asaj dite nuk kam shkuar më në kopsht. Prindërit e mi ishin të dëshpëruar. Më pas rrugëtimi ynë ishte tepër i ndërlikuar. Në shkollë kisha një videoprojektor dhe një dërrasë të zezë që shkëlqente. Isha i magjepsur, jo aq nga ilustrimi i librave sesa nga mekanizmi i projektimit. Isha gjithmonë problemi i klasës, sepse vija duart para objektivit të videoprojektorit për të bërë figura kineze.
Po në kinema, kur shkëlqyet për herë të parë?
Motra ime e madhe më shoqëronte gjithmonë që të shihja filma. Isha shumë i vogël për të shkuar në kinema. E vetmja gjë interesante ishte salla bosh, zakonisht pasditeve dhe kur kisha ndonjë nevojë personale e bëja poshtë poltronit për të mos humbur asnjë skenë.
Më vonë prindërit tuaj u dëbuan. Ju u fshehët te një familje katolike polake.
Jetoja në një fshat vërtet mesjetar. Vetëm tërshërë kishte për të ngrënë. Familja që më mbante kishte tre fëmijë. Gruaja e shtëpisë ishte shumë e mirë, besimtare dhe këto gjëra janë shumë të rëndësishme për këdo. Më donte shumë. E pranoj që ndihesha mirë në atë familje.
A mbretëronte frika te ju atëherë, mosbesimi?
Po, sepse mund të zbulohesha. Fatmirësisht kisha një pamje vërtet prej polaku. Isha biond. Flokët akoma mund të dallohen pak, edhe pse tashmë jam thinjur. Kisha një trup të cilin edhe mund ta fshihja nëse mund të lindte nevoja.
Keni pasur shumë fat?
Po, shumë, por më kanë ndjekur edhe fatkeqësitë. Le të themi se kam pasur një fat të përzier. Duke qëndruar mes dy ekstremeve mendoj se ulje-ngritjet janë ekuilibruar.
Në filmat tuaj humori gërshetohet me situatat dramatike...
Në jetë humori gërshetohet me tragjiken! Më kujtohet në Poloni funerali i babait tim. Ishe koha kur po dilnim nga komunizmi. Vodka ishte ende në qarkullim, përdorej në të gjitha rastet. Më kujtohet që për atë rast ishin vënë në dispozicion shumë arka dhe njerëzit i boshatisën të gjitha shishet. Katër personat që mbanin arkivolin ishin bërë tapë. Unë u tërbova nga inati. Nuk dija se çfarë të bëja. Për fat të mirë në ceremoni ishin të pranishëm shumë miq të mi dhe regjisorët Wajda e Morgenstern. Më thanë se mund ta mbanin ata arkivolin, edhe pse ishte shumë i rëndë. Morgenstern dhe unë ishim të shkurtër. E ndieja që trupi i babait rrëshqiste drejt nesh dhe e gjithë pesha na binte neve. Ishin momente komike dhe dramatike në të njëjtën kohë.
Carnage është një film të cilin e keni shkruar pjesërisht kur ishit në burg. Janë kushte tepër të veçanta...
Janë kushte të mira! Nëse do të varej prej meje, do të arrestoja disa skenaristë që të vihen në punë...
Kur ishit në burg punonit mbi tavolinën që të dënuarit prisnin qepë...
Isha në përfundim të Ghost Writer. Kisha një kompjuter, por nuk më lejohej interneti. Dikush më dërgonte dvd. Shkruaja disa shënime që pastaj ia jepja avokatit, avokati ia jepte policisë, ndërsa policia ia rikthente sërish avokatit. Më pas shënimet dërgoheshin në montazh. Ishte një procedurë tepër e ngadaltë. Na kishin vendosur në një sallë ku zakonisht të burgosurit qëronin qepë për të fituar ndonjë qindarkë.
Pak më parë na thatë që ishte djali juaj që ua hoqi prangat kur ju liruan. Si është ndjenja e lirisë?
Ditët e para janë pak të çuditshme. Gjërat shihen nga një tjetër kënd, themi ne kineastët në gjuhën tonë. E imja ka qenë një eksperiencë që nuk kalon pa lënë gjurmë. Gjërat nuk janë më si më parë, të paktën në moshën time dhe shumë kohë pas atyre që kanë ndodhur.
Kam dëgjuar të thoni se në kinema, ajo që preferoni më shumë janë radhët e gjata të spektatorëve që presin te hyrja...
Sigurisht që mund të bëhen gjëra të mrekullueshme, por nëse nuk pranohen, jeta mund të jetë tragjike. Njësoj siç ishte për Van Gogh, që shiti vetëm një telajo. Ky piktor i madh, i preferuari im, pati një jetë për ne, por jo për vete. Unë nuk kam këtë qëllim, dua ta ndaj me të tjerët vizionin tim për botën.