Të gjithë qytetarët dhe institucionet që posedojnë materiale të vlefshme muzeore, fotografi, dokumente, objekte tridimenzionale , pajisje ushtarake, tekstil si flamuj, veshmbathje, uniforma që nga p Kryengritja e Dërvish Carës (1844) deri tek Ushtria Çlirimtare Kombëtare, të njëjtat ti dorëzojnë pran Këshillit për ngritjen e muzeut duke filluar nga data 16 tetor.
Apel për mbledhjen e materialeve
Është bërë publike thirrja për të gjithë qytetarët, subjektet dhe institucionet e Maqedonisë dhe të rajonit për të grumbulluar materialet për ngritjen dhe pasurimin e muzeut të Lirisë në Shkup. Thirrjen publikisht e ka kumtuar kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti nën patronatin e së cilit po kryhen të gjithë punët rreth meremetimit dhe përshtatjes së Shtëpisë së Jashar Bej Kumbarës, prefektit të parë shqiptarë të Shkupit, në një muze të shqiptarëve i cili do të përfaqësoj historinë dhe bëmat e shqiptarëve në këtë pjesë të vendit. Sipas Mexhitit, ideja e ndërtimit të një muzeu vjen nga një arsye shumë e thjeshtë. Artefaktet kanë një vlerë të pa çmueshme historike për ruajtjen e traditave dhe dashurisë atdhetare për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, thekson Mexhiti. Ai shton se kjo traditë duke qenë përballë neglizhencën institucionale të Maqedonisë ka bërë që ne si pjesë e popullit shqiptarë në Maqedoni të mos kemi të ekspozuar asnjë artefakt në muzeumet e shtetit, i cili do të dëshmonte ekzistencën tonë. Kjo ishte arsye plus, shton Mexhiti. Sipas tij, veprimtaria themelore e Muzeut do të jetë ajo kërkimore-grumbulluese e materialeve të vlefshme muzeore, fotografi, dokumente, objekte tridimenzionale (pajisje ushtarake), tekstil (flamuj, veshmbathje, uniforma) etj. Të gjithë artefaktet që do të mblidhen duhet ti përkasin një periudhe të caktuar kohore në kuadër të detyrave konkrete programore të elaboratit që është punuar nga një numër i madh i historianëve shqiptarë të Maqedonisë me në krye akademik Beqir Meta nga Shqipëria i cili tani ushtron detyrën e Institutit të historisë kombëtare në Tiranë, thekson Mexhiti duke nënvizuar se periudha historike e cila do të ekspozohet në Muzeun e Lirisë, fillon nga Kryengritja e Dërvish Carës (1844) deri tek Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Mexhiti bën të ditur se meremetimi i objektit me vlerë historike ku do të gjendet edhe ky Muze Kombëtar i shqiptarëve të Maqedonisë filloi këtë muaj ndërsa pritet që të marrë formën e kryer gjatë festave të nëntorit edhe kur do të promovohet në mënyrë solemne gjatë 28 Nëntorit, Ditës së flamurit shqiptarë.
Evidentimi dhe mbledhja e materialeve do të fillojë prej më 16 Tetor 2008, dhe për të njëjtat, Kryetari i Këshillit për ngritjen e muzeut, Ali Ahmeti, do të jep certifikata falënderimi për kontributin e dhënë.
Të gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e ngritjes së muzeut me dhënien e eksponateve mund të drejtohen deri te Këshilli për grumbullimin e materialit, shton Mexhiti duke bërë të ditur se në ndërkohë është duke vazhduar procedura e legalizimit të Muzeut nga Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë në kuadër të Ministrisë së Kulturës.
Të enjten kemi takim me drejtorin e kësaj drejtorie Pasko Kuzman për ti sqaruar detajet rreth zyrtarizmit . Besoj se shumë shpejt edhe do të plotësohet dokumentacioni që kërkon ligi, thekson Mexhiti.
Edhe drejtori nga Drejtoroia për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Pasko Kuzman shton se gjatë takimit me kryetarin e Çairit do të bisedohet rreth detajeve rreth vënies së Shtëpisë së Kumbarave në korniza ligjore.
Shtëpia e Kumbaraxhive deri tani ka qenë nën mbrojtje të përkohshme ligjore. Ne kemi kërkuar nga Qendra nacionale për konservim që të përgatisin elaborat rreth Shtëpisë së Kumbaraxhive dhe nëse ajo i plotëson kushtet e njëjta të vihen nën kornizat ligjore, thekson Kuzmani.
Në anën tjetër drejtori i Qendrës nacionale për konservim Behixhudin Shehapi thotë se pret dritën jeshile nga Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që të dal në teren.
Menjëherë ekipi i arkitektëve dhe profesionistëve do të dalin në teren për të vlerësuar se nëse objekti i plotëson kushtet që të konservohet dhe i njëjti të marrë mbrojtjen ligjore. Pas kthimit nga tereni ne si qendër nacionale për konservim menjëherë do ta përgatisim elaborat që është i nevojshëm për të zyrtarizuar Shtëpia e Kumbarave, përfundon Shehapi.
Driton Dikena