Madje, edhe para se presidenti Mahmoud Ahmadinejad të përfundonte sulmin e tij verbal, diplomatët amerikanë dolën nga salla në shenjë proteste dhe kishin përgatitur një deklaratë të shkruar, për të dënuar fjalimin e tij. Ishte sikur SHBA-ja ta dinte me saktësi se çfarë synonte të thoshte Ahmadinejadi.
Kur presidenti i Iranit akuzoi SHBA-në, gjatë fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Uashingtoni ka orkestruar sulmet e 11 shtatorit 2001, diplomatët amerikanë nuk u kapën në befasi nga kjo tiradë të tij. Madje, edhe para se presidenti Mahmoud Ahmadinejad të përfundonte sulmin e tij verbal, diplomatët amerikanë dolën nga salla në shenjë proteste dhe kishin përgatitur një deklaratë të shkruar, për të dënuar fjalimin e tij. Ishte sikur SHBA-ja ta dinte me saktësi se çfarë synonte të thoshte Ahmadinejadi.
Largimi i diplomatëve amerikanë zbuloi një të vërtetë të njohur, por shumë rrallë të përmendur për OKBnë: organizata ndërkombëtare, e cila u themelua në emër të paqes dhe sigurisë, është gjithashtu edhe qendër e spiunimit dhe operacioneve të fshehta, ku dikush mund të përgjojë bisedat tuaja dhe të vëzhgojë postën tuaj elektronike-apo ndoshta edhe të lexojë fjalimet tuaja paraprakisht. Fillimi i punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, që zhvillohet çdo vit, është finalja e lojërave të spiunazhit në OKB.
Udhëheqësit e huaj zbarkojnë në New York, të përcjellë nga një numër i madh i bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve për siguri. Shumë prej tyre nuk janë dërguar atje, për të ushtruar diplomaci. Ata janë oficerë të inteligjencës dhe ata vijnë për të rekrutuar agjentë nëpër hotele dhe lokalet e qeta përreth qytetit. Përderisa diplomatët brenda OKB-së shpesh joshin vëmendjen e opinionit publik, agjentët e FBI-së ndjekin agjentët e huaj nëpër qytet. Avokatët e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë nga gjykatësit leje për të përgjuar, ndërsa CIA vihet në kërkim të shtetasve të huaj, të cilët mund të dëshmohen si të rrezikshëm. I gjithë ky angazhim bën që këto disa javë të jenë tejet të rrëmujshme, në veçanti për zyrën e FBI-së në Manhattan.
Njësia e kundër-inteligjencës e FBI-së është përgjegjëse për vëzhgimin e diplomatëve të huaj në qytet. Është ky një prej operacioneve më të sofistikuara të inteligjencës në SHBA dhe FBI me këtë rast përdor programin më gjithëpërfshirës për vëzhgim elektronik, kanë theksuar ishzyrtarë amerikanë të inteligjencës, të cilët deshën të mbesin anonim. Por kjo nuk është ndonjë fshehtësi për zyrtarët e huaj të inteligjencës, të cilët janë të aftësuar dhe të trajnuar që t'i shmangën një vëzhgimi të këtillë. Iranianët, për shembull, njihen për marrjen me qira të disa dhomave nëpër hotelet përreth qytetit dhe nganjëherë, ata anulojnë rezervimin dhe rezervojnë dhoma tjera në çastet e fundit, për të fshehur vendndodhjen e tyre. Në një rast, kujton një ish-zyrtar i FBI-së, iranianët futën disa dhjetëra njerëz në një dhomë, me ç'rast zyrtarët amerikanë erdhën në përfundim se së paku njëri prej tyre ka fjetur në banjë.
Por nuk janë vetëm iranianët të pranishëm në New York. Ish-zyrtarët e inteligjencës theksojnë se izraelitët veprojnë në mënyrë të njëanshme në New York, shpesh duke shkaktuar konfuzion. Një ish-zyrtar i CIA-s thotë se është vështirë të zbulohen izraelitët, ngase ata shpesh hyjnë në SHBA me pasaporta të shteteve tjera, siç kanë vepruar në Dubai, ku agjentët e Mossadit vranë një zyrtar të Hamasit. Në këtë rast, agjentët izraelitë shfrytëzuan pasaporta të falsifikuara të Britanisë, Irlandës dhe Australisë. Agjencitë tjera të inteligjencës, si shërbimi i fshehtë britanik, i njohur më mirë si MI6, bashkëpunojnë më ngushtë me SHBA-në.
MI6 i lejohet të operojë në New York, por çfarëdo informata, të cilat i sigurojnë agjentët e saj, duhet t'i ndajnë me shërbimet amerikane të inteligjencës, thotë një zyrtar. CIA-s i ndalohet që të tubojë informata në territorin amerikan, por duke pasur parasysh se OKB-ja konsiderohet territor i huaj, kësaj agjencie i lejohet që të ndërmerr operacione të fshehta aty. Agjentëve të saj gjithashtu ju lejohet që të rekrutojnë shtetas të huaj, për të spiunuar për SHBA-në, synimi ky primar i CIA-s, në hapje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme.
Edhe përkundër qëndrimit se FBI dhe CIA janë në vazhdimësi në mosmarrëveshje mes vete, këto agjenci bashkëpunojnë ngushtë, gjatë kohëzgjatjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme. CIA dhe FBI vëzhgojnë emrat e njerëzve, të cilët ju lejohet hyrja në SHBA. Ata që hyjnë në SHBA nga vendet, në të cilat CIA dhe FBI nuk mund të operojnë, siç janë Irani dhe Koreja e Veriut, bëjnë të mundur rekrutime atraktive. Përgatitjet për këto operacione mund të zgjasin me muaj të tërë. Piketat mund të jenë të larta. Para invadimit të SHBA-së në Irak, në vitin 2003, CIA kishte nxitur zyrtarë të lartë irakianë që të dezertojnë. Një shënjestër e tillë ishte Naji Sabri, ministër i Jashtëm i Irakut.
Shtëpia e Bardhë shpresonte se ai do ta bënte këtë në mënyrë dramatike, gjatë zhvillimit të seancës së Asamblesë së Përgjithshme. Megjithatë, fillimisht CIA duhej të sigurohej se a ishte Sabri vërtetë i gatshëm që të tradhtonte Saddam Husseinin. Në shtator të vitit 2002, Sabri shkoi në New York, ku CIA ja aranzhoi një takim me një gazetar të huaj, i cili që atëherë jeton në Francë. CIA u mbështet në ndihmën e FBI-së dhe kur gazetari i telefonoi Sabrit, FBI po dëgjonte bisedën.
Sabri ju përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarit, por CIA ende nuk e dinte se a do të dezertojë ai me të vërtetë. Një ish-zyrtar i CIA-s kishte besuar se agjencia mori përgjigjën më 29 shtator 2002, kur Sabri ju drejtua Asamblesë së Përgjithshme. Ai madje kishte veshur kostumin, të cilin CIA e kishte siguruar për të, shenjë kjo se ai do të braktiste Saddamin. Por dezertimi nuk ndodhi kurrë. Sabri u largua nga New Yorku dhe më vonë mohoi kategorikisht dhe publikisht këtë episod në vitin 2006, kur NBC publikoi detaje rreth këtij operacioni. Sabri informatat i cilësoi si të "fabrikuara dhe të pabaza".