E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

E pranon që ka abuzuar me gjithçka vite më parë. Pastaj, njohja me Vanessa-n dhe ardhja në jetë e dy fëmijëve, i ndryshuan jetën duke e bërë babanë shembullor dhe bashkëshortin ideal.
Johnny Depp: Pėr dashurinė hoqa dorė nga alkooli dhe droga






“E pranoj që në moshë më të re kam abuzuar me gjithçka: alkool, duhan, substanca të llojeve të ndryshme, dhe tani nuk do isha këtu e t’i përshkruaja me detaje. Rinia të lejon të rikuperohesh shumë shpejt dhe të fshish nga imazhi ekseset e një nate më parë. Kam provuar gjithçka. Ndoshta nuk do të kisha interpretuar Hunter Thompson në filmin “Frikë dhe delir” në Las Vegas, nëse nuk do ta dija se si ndihesh nën efektin e LSD apo drogave të tjera. E kam kuptuar shumë mirë mesazhin, se nëse pi një gotë më shumë se ç’duhet, shumë shpejt e sheh veten të humbasë kontrollin. Por dita të ktheja faqe dhe e fshiva të gjithë këtë nga jeta ime.

Nuk doja që fëmijët të më shihnin keq

E njoha Vanessa-n në vitin 1998, e bashkë me të Francën. Ajo më bëri të ndihem një qenie njerëzore dhe një krijesë Hollivudi. Më ndryshoi jetën dhe mua si person me ëmbëlsinë e saj që e karakterizon. E kuptova menjëherë që nuk mund të jetoja pa të. Jam liruar nga shumë gjëra të cilat më trembnin, më bezdisnin e më ngatërronin, së bashku me alkoolin, që më ndihmonte të harroja problemet e mia. Franca ishte vendi që më ndryshoi tërësisht, brenda dhe jashtë. Më sugjeroi idenë e një jete normale, ose thuajse të tillë. Pastaj erdhën fëmijët. Në mënyrë natyrale mendova se isha i detyruar që ata të më shihnin mirë, jo vetëm për të mos u rrëzuar para tyre, por edhe për të dhënë shembullin e mirë. Një fëmijë kërkon një figurë atërore të shëndetshme dhe me energji të mirë, të qeshur dhe të guximshëm për t’i treguar se është i aftë të bëjë gjithçka për të. Kështu, falë Lily-Rose Melody dhe Jack John Christopher, fëmijët e mi, mësova të jem mirë dhe ta shijoj jetën deri në fund. Tani e përqafoj fort mrekullinë e ekzistencës dhe bukurisë së fëmijëve që të kërkojnë të luajnë me ty dhe të kthehesh në moshën e tyre. Që përpara se të lindte Lily-Rose, kisha nisur të mendoja për shëndetin tim. Ishte vitit 1995 kur interpretova Juan De Marco përkrah Marlon Brando, që më nderoi me miqësinë e tij. Ai jo vetëm më kishte dhënë mësime të rëndësishme për jetën dhe më bëri të kuptoja se sa shumë e doja kinemanë. Ai më bëri të kuptoja se për të pasur shumë sukses në skenë, një aktor duhet të kujdeset për formën e tij. Të aktrosh është thuajse një sport: një aktor duhet të ketë performacën e një atleti profesionist, sepse trupi është mjeti që përdorim për të aktruar.

Duhani

Nga jeta e dikurshme më ngeli vetëm pasioni për verërat franceze. Me kujdes pi me qejf një “Bordo” të mirë apo një “Côtes du Rhône”. Po heq dorë përfundimisht edhe nga duhani. Në filmin “The Tourist”, një film thriller i vitit që kaloi, 2010, në shumë skena cigaret që pi janë elektronike. Me pak fjalë, kam vendosur t’i kushtoj shumë rëndësi shëndetit dhe të mos i vë fëmijët në pozicione të vështira me sjellje vetëshkatërruese. Dua që të ndihen të lumtur dhe krenarë për babanë që kanë. Unë dhe Vanessa kemi blerë një ishull të vogël në Polinezi, ku nuk ka asgjë përveç detit, peshqve dhe lepujve. Me fëmijët thithim ajër të pastër dhe luajmë në natyrë, mënyra më e mirë për të jetuar në mënyrë të shëndetshme të gjithë. Pas xhirimeve të filmit “The Secret Window” morëm disa ditë pushime dhe shkuam në ishull. Ishte dashuri me shikim të parë. Nuk mund ta lija ta merrte dikush tjetër, kështu që e bleva menjëherë. Parisi ka filluar të më mërzitet. Jeta në ishull më jep qetësinë për të cilën kisha nevojë. Fatmirësisht, nuk ka lodra. Fëmijët e mi kënaqen duke e soditur. Frika ime e vetme është se mos fëmijët e mi zgjedhin të bëhen aktorë.

Zgjedhja e filmave

kalon nga fëmijët 

Unë interpretoj shumë prej personazheve të mi para tyre dhe ata më përgjigjen duke më dhënë opinionin e tyre. Vajza, sa herë që punoj për ndonjë film më pyet gjithmonë: “Babi, mendon se mund ta shoh”? Natyrisht që nuk do të mund të shohë ‘The Libertine’ të paktën derisa të mbushë 16 vjeçe. As filmin që flet për Dillinger nuk do ta shohë, kjo është logjike. E përsëris, dua që fëmijët e mi të jenë të lumtur dhe krenarë për babanë e tyre. Nëse do më pyesni se çfarë pasurie dua t’i lë botës, po ju them që për momentin nuk më vjen asgjë ndërmend. Jam aktor. Ajo që dua është të lë pas diçka të mirë, për të cilën fëmijët e mi të ndihen krenarë.

Publikuar: 06.10.2011 | 21:56
Lexuar: 593 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime