E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

“Gjenialiteti dhe energjia e tij ishin burim i inovacioneve të shumta që i pasuruan dhe i avancuan jetët tona. Bota kështu u bë pakrahasueshëm një vend më i mirë, për shkak të Steve”, thuhet tutje në kumtesë.
Lamtumire IJobs









Themeluesi dhe ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple, Steve Jobs, i cili zbuloi dhe në mënyrë brilante prezantoi shumë pajisje që e transformuan teknologjinë e sotme - duke filluar që nga kompjuteri e deri te iPod, dhe nga iPad e deri te iPhone, ka vdekur të mërkurën, në moshën 56-vjeçare.

“Jemi thellësisht të prekur me faktin që duhet të njoftojmë se sot ka vdekur Steve Jobs”, njoftoi kompania Apple përmes një kumtese të shkurtër.

“Gjenialiteti dhe energjia e tij ishin burim i inovacioneve të shumta që i pasuruan dhe i avancuan jetët tona. Bota kështu u bë pakrahasueshëm një vend më i mirë, për shkak të Steve”, thuhet tutje në kumtesë.

"Ne që ishim me fat ta njihnim dhe të punonim me të, me humbjen e Steve humbëm një mik të dashur dhe një mentor, i cili na inspiroi. Steve pas vetes la një kompani, të cilën vetëm ai mundi ta ngriste”, nënvizohet në fund të kumtesës së Apple.

Jobs luftoi me kancerin që nga viti 2004 e deri në vitin 2009, kur iu desh t’i nënshtrohej transplantimit të mëlçisë. Në janar të këtij viti atij përsëri iu desh të merrte pushim mjekësor, për herë të tretë që prejse filluan problemet e tij me shëndetin. Si pasojë, në muajin gusht Jobs edhe zyrtarisht dha dorëheqje nga posti i njeriut të parë të kompanisë Apple.

Kush ishte në të vërtetë Steve Jobs?

Steve Paul Jobs u lind më 24 shkurt 1955, në San Francisco, nga nëna amerikane, Joanne Simpson, dhe babai sirian, Abdulfattah John Jandali. Menjëherë pas lindjes së tij nëna e jep në adoptim, edhe pse me babanë e Jobs martohet dy vite më vonë dhe me të lind edhe një fëmijë tjetër- vajzën Mona Simpson, e cila më vonë u bë shkrimtare.

Steve ndërkohë adoptohet nga Clara dhe Paul Jobs, që jetonin në qytetin Palo Alto (Los Altos), në Kalifornia. Ishte ky një çift bashkëshortor që i përkiste klasës punëtore, megjithëse edhe faktori kryesor që ndikoi në interesimin e hershëm të Steve për elektronikën. Kompjuterin e parë e pa në Qendrën e NASA, kur ishte vetëm 11 vjeç, ndërkaq punën e parë në lëmin e Teknologjisë Informative (IT) e fitoi në kompaninë Hewlett Packard, pak para se të përfundonte shkollimin e mesëm.

Pak më vonë, më 1972, Jobs pranohet në Reed College, në Portland megjithëse shumë shpejtë e braktisë shkollimin e lartë – pas vetëm gjashtë muajsh vijimi.

Pasi kthehet në Kaliforni, në vitin 1974 Jobs fillon punën në kompaninë për prodhimin e video-lojërave Atari, dhe vazhdimisht merr pjesë në mbledhjet e klubit kompjuterik Homebrew - një grup ky njerëzish që kompjuterët i kishin vetëm hobi. Gjatë gjithë kësaj kohe Steve shoqërohej nga Steve Wozniak, të cilin e kishte mik që nga shkolla e mesme, edhe pse ky i fundit ishte disa vjet më i vjetër.

Kompjuteri i tij i parë shtëpiak tërhoqi edhe vëmendjen e shumë entuziastëve tjerë, por ishte vetëm Jobs ai që vërejti potencialet e shumta të tij. Si pasojë, më 1 prill të vitit 1976 Jobs dhe Wozniak themelojnë kompaninë e tyre private Apple Computer Inc., në garazhin e prindërve të Jobs. Kapitali fillestar me të cilin dispononin ishin 1,300 dollarët e fituar nga shitja e një kombibusi dhe dy kompjuterë. Siç tregonte më vonë Wozniak, ishte Jobs ai që e emërtoi kompaninë me këtë emër, pasi që paraprakisht kishte vizituar “një pemishte me mollë”.

Një dekadë më vonë, Jobs detyrohet të braktisë kompaninë Apple, në të cilën kthehet tek në vitin 1997, kur ajo ishte afër bankrotimit. Pas kthimit të tij Apple gradualisht shndërrohet në njërën prej kompanive më të vlefshme botërore (sot Apple konsiderohet të jetë kompani e tetë më e fuqishme në botë).

Gjeniu në vepër

Duke kultivuar një sensibilitet kontra-kulturor dhe një dizajn minimalist, Jobs filloi me paraqitjen e prodhimeve sensacionale, njërin pas tjetrit,madje edhe në kohën kur bota ishte përfshirë nga recesioni global, dhe përkundër problemeve që iu shfaqën me shëndetin.

Ai ishte pjesë e ndryshimit global të të perceptuarit të kompjuterit, duke filluar gjithçka si një opsesion jo aq atraktiv për një numër të kufizuar njerëzish, e deri tek perceptimi se kompjuteri është një domosdoshmëri jetësore në punë dhe shtëpi. Gjatë këtij procesi Jobs krijoi një hapësirë jo vetëm për promovimin e teknologjisë personale, por edhe të industrisë së telekomunikimit dhe të muzikës. Një prej prodhimeve më me ndikim të Jobs u lansua për botën në vitin 2001. Atë vit Jobs prezantoi prodhimin iPod, i cili ofronte “1,000 këngë, që mund t’i fusni brenda xhepit tuaj”, siç thoshte Jobs asokohe.

Gjatë dhjetë viteve në vazhdim, kufjet e bardha dhe pajisjet minimaliste të tij njerëzit filluan t’i bartnin më shpesh sesa vetë orët e dorës. Gjatë vitit 2007, bota për herë të parë u njoh me iPhone, prezantimi i të cilit u përcoll me hapjen e shitores Apple App, në të cilën programorët nga e gjithë bota mund të shisnin aplikacionet e tyre. Ky veprim bëri që telefoni celular të mos jetë më vetëm një pajisje për komunikim personal me dikë tjetër, por edhe pajisje me të cilën mund të kryhen transaksione financiare, të shkrepen dhe rregullohen fotografi, të luhen video-lojëra, dhe të ‘shëtitet’ nëpër internet.

E në vitin 2010, Jobs prezanton edhe inovacionin e tij të fundit – iPad. Bëhej fjalë për një tablet (pllakë) kompjuter, i cili shumë shpejt u shndërrua në hit mbarëbotëror, edhe pse analistët e tregut menduan se një pajisje e tillë nuk i nevojitej askujt.

Sidoqoftë, falë kreativitetit të pafund të Jobs, në vitin 2011 Apple pozicionohet si kompania e dytë më e fuqishme në tregun e Shteteve të Bashkuara. Madje, gjatë muajit gusht, Apple për një kohë të shkurtër tejkaloi edhe kompaninë Exxon Mobil, duke u bërë kështu kompania më e vlefshme amerikane.

Paralelisht, është edhe një aspekt tjetër i karrierës së Jobs që shpesh lihet anash. Përfshirja e tij në Pixar dhe Disney. Steve Jobs ishte edhe bashkëthemelues i kompanisë filmike Pixar, në të cilën, pasi ia shiti kompanisë Walt Disney Co, u bë aksionari më i madh, me përafërsisht 7 përqind pronësi. Filmat e animuar "Toy Story" (1995), "A Bug's Life", "Finding Nemo", "Toy Stoy 2", "Cars", "Wall-E", "Toy Story 3" dhe "Up", mbase se nuk do të bëheshin kurrë po të mos ishte vizioni i Jobs, në Pixar dhe Disney.

Fillimi i fundit

Në dirigjimin e Jobs, që nënkupton edhe fshehjen e shkathët të lëvizjeve afariste, para promovimit të secilit prodhim të ri Apple krijonte një atmosferë të padurimit në botën e IT’së. Jobs personalisht posedonte një ndjenjë prej magjistari rreth asaj se çfarë dëshironte të blerësi, qoftë edhe atje ku nuk vërehej një kërkesë e madhe për prodhimet e Apple, duke krijuar kështu një mori adhuruesish që atë e konsideronin “Zot të teknologjisë dhe marketingut”.

Kur fliste gjatë prezantimeve të Apple - gati gjithnjë i veshur me xhins pantallona të shlyera, atlete dhe fanellë të zezë – adhuruesit e ‘thithnin’ secilën fjalë të tij.

Por, me kalimin e kohës, edhe investitorët e kompanisë i përcillnin me shumë kujdes – por edhe me dyshim - paraqitjet e tij në publik, ngase shqetësoheshin për shëndetin e tij. Në vitin 2004 Jobs ishte diagnostifikuar me njëlloj të rrallë të tumorit malinj të pankreasit. Por, pasi iu nënshtrua deklaroi se u shërua. Gjatë vitit 2009 ai humbi shumë nga pesha, të cilën gjë fillimisht ia përshkroi disbalancit hormonal, megjithëse pak kohë pas kësaj papritmas mori një pushim gjashtëmujor.

Gjatë kësaj kohe Jobs bëri transplantimin e mëlçisë, të cilën gjë opinioni publik e kuptoi dy muaj më vonë. në janar të vitit 2011 u detyrua të marrë edhe një pushim tjetër mjekësor, por kësaj radhe shkak ishin problemet e panjohura me shëndetin. Kurrë më nuk u kthye në zyrë. nga posti i drejtorit ekzekutiv të kompanisë Apple dha dorëheqje në muajin gusht, edhe pse mbeti bartës i një posti të nderit, si kryetar i Këshillit Drejtues të Apple.

Në përputhje me afinitetin e tij që gjërat t’i mbajë të fshehta, në letrën lamtumirëse askund nuk e përmendi sëmundjen si arsyen kryesore për dorëheqjen e tij.

Steve Jobs, vdiq këtë të mërkurë, në shtëpinë e tij në Cupertino, të Kalifornisë, i rrethuar nga anëtarët e familjes.

Rreth vdekjes së Jobs

Babai biologjik i Steve Jobs, profesori siriano-amerikan i shkencave politike, Abdulfattah John Jandali (80), nuk e komentoi vdekjen e të birit, me të cilin nuk mbante fare raporte.

"Vërtet nuk kam se çfarë të them”, theksoi nënkryetari i sotëm i Boomtown Hotel Casino, dhe ish-profesori i Nevada University, pasi kishte dëgjuar lajmin. Në një intervistë për gazetën britanike ‘The Sun’, të muajit gusht, Jandali kishte shprehur dëshirën që të takohej me të birin: “Shpresoj që, para se të jetë vonë, ai t’më takojë. Qoftë edhe prija e një kafeje me të do t’më bënte njeri të lumtur”.

Steve Wozniak (61), i cili në vitin 1976 ishte bashkëthemelues i kompanisë Apple, në garazhin prindërve të Jobs, në Silicon Walley, theksoi se miku i tij i “mungon sa askush tjetër”.

"Kemi humbur diçka që bota s’do të mund ta kthejë më”, tha ai pas marrjes së lajmit, duke sqaruar se me Jobs ishte parë për herë të fundit para tre muajve, pas daljes së tij nga spitali.

I prekur me vdekjen e Jobs u shfaqë edhe bashkëthemeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates.

“Bota rrallëherë sheh dikë që ka një ndikim aq të thellë, sa ai i Jobs, një efekt ky që do ta ndjejnë edhe shumë gjenerata që do të vijnë. E për ata si ne, që patën fatin të punojnë me të, ky ishte një nder tmerrësisht i madh”. theksoi ai.

E, Mark Zuckerberg, themelues dhe drejtor ekzekutiv i rrjetit social Facebook, tha: "Steve, faleminderit që ishte mentor dhe mik imi. Të falemnderit që dëshmove se ajo që ndërtove mund ta ndryshojë botën. Do të më mungosh”.

Përveç komenteve të shumta të këtij lloji, nga Larry Page (bashkëthemelues dhe drejtor i Google), Dick Costolo (Twitter), Jerry Yang (Yahoo),etj, ndaj vdekjes së Jobs reaguan edhe shumë burrështetas e politikanë. Presidenti Barack Obama ishte i pari ndër ta.

"Steve ishte në mesin e novatorëve më të mëdhenj amerikanë - i guximshëm për të menduar ndryshe, i patrembur për të besuar se mund ta ndryshojë botën, dhe i talentuar për ta bërë këtë gjë... Mbase s’mund të ketë nderim më të madh të suksesit të Steve se fakti që pjesa më e madhe e botës mësoi shumëçka nga pajisjet që ai i zbuloi”, u shpreh Obama.

Edhe presidenti rus, Dmitry Medvedev, që njihet si adhurues i madh i produkteve Apple, shkroi një kujtim në Twitter për Jobs: “Njerëzit si Steve Jobs janë ata që e ndryshojnë botën tonë”.

Publikuar: 07.10.2011 | 15:17
Lexuar: 734 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime