E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Chauvin e Raby kanë mbërritur t’i japin më shumë hapësirë projektit të tyre për një histori të artit fotografik shqiptar. Ata kanë kuruar ekspozitën “L’ȃge d’or de la photographie albanaise.
Rapsodėt e dritės









Elsa Demo

Imazhi përfaqësues i epokës së artë të fotografisë shqiptare është zgjedhur kësaj radhe Jeune femme musulmane e Pjetër Marubit, viti 1884. Në të vërtetë në gjithë prezantimet e viteve të fundit që studiuesit Loïc Chauvin dhe Christian Raby i kanë bërë fotografisë sonë, nga fillimet deri në Luftën e Dytë Botërore, është evidentuar në afishe takimesh e kopertinash një grua, herë me kostumin katolik të Shkodrës, herë me kapelë si tek gratë në Evropën perëndimore ndërmjet luftërave, e herë tjetër si kjo vajzë e re myslimane në periudhën e fundit otomane. Autorët janë kryesisht të qarkut të Shkodrës.

Chauvin e Raby kanë mbërritur t’i japin më shumë hapësirë projektit të tyre për një histori të artit fotografik shqiptar. Ata kanë kuruar ekspozitën “L’ȃge d’or de la photographie albanaise. La dynastie des Marubi et les raphsodes de lumière 1858-1956”. E inauguruar më 4 tetor 2011 në Paris në Shtëpinë Evropiane të Fotografisë, qëndron hapur deri më 8 janar 2012.

Nga ekspozitat në Shqipëri, në qytet Shkodër, Berat, e Tiranë, te takimet prezantuese në Francë, e deri në botimin e albumit me 100 imazhe pothuajse të panjohur nga mjeshtërit pionierë të fotografisë shqiptare, dy studiuesit Chauvin e Raby vazhdojnë t’i bëjnë jehonë kërkimit shumëvjeçar e të vështirë në arkivat e Shqipërisë.

Kanë zgjedhur 60 imazhe që tregojnë një trashëgimi të pasur, unike për rajonin ballkanik. Zgjedhja e kuratorëve është e tillë që përmes portreteve të heronjve dhe figurave anonime, peizazheve dhe jetës së përditshme, të reflektohet gjendja politike e kohës, “një vështrim i shoqërisë kundrejt vetvetes”. Fillesat me Pietro Marubin, një italian që hapi studion e parë fotografike në Shkodër më 1858, lulëzimi në tri breza i dinastisë me këtë mbiemër, që la një trashëgimi “nëpërmjet të cilës Shqipëria po përpiqet sot të rizbulojë identitetin kombëtar”.

Marubët kanë më shumë zë në aktivitetet në Francë por ekspozita paraqet imazhe me vlerë edhe nga Kolë Idromeno, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Shan Pici, Lilo Xhimitiku. Bashkë me fotografët anonimë që nuk janë pak, përbëjnë historinë e fotografisë shqiptare, një model të së cilës Loïc Chauvin dhe Christian Raby e kanë skicuar me albumin e botuar në maj të këtij viti “Albanie 1858 – 1945, un voyage photographique”, Botimet “Ecrits de Lumière”. Është në qarkullim edhe në Tiranë.

Kolë Idromeno përfaqësohet me “evolucionin femëror”: Gra malësore në fund të shek. 19-të; grua katolike shkodrane; grua ortodokse. Në një portret të vitit 1900, një grua e re me flokë të gjatë të lëshuar, paraqitet me njërën këmbë mbi stol. Duket kërciri i veshur me çorape të zezë deri në gju, duket dantella e bardhë e jupon-it nën fustan. Mban orë dore dhe rruaza në grykën e zbuluar. Krejt i ndryshëm ky model nga bashkëkohëset që pozojnë për një personalitet të kulturës dhe arteve figurative shqiptare, Kolë Idromeno. “Shoqëria shqiptare e kohës vinte për të dalë në fotografi përpara ca sfondesh të pikturuara që paraqisnin më së shumti një dekor fshati”, shkruajnë Loïc Chauvin e Christian Raby te Shqipëria një rrugëtim fotografik, 1858-1945. “Pas vitit 1904, Kel Marubi vazhdonte të fotografonte në studio si parinë dhe personalitetet edhe kryengritës, malësorë e katundarë, por e linte studion për të fotografuar skenat e jetës së përditshme dhe veprimtarinë e ethshme politike të Shqipërisë së asaj kohe.”

Shan Pici në vitet ’30 fotografon edhe ai gra malësore. Por me interes janë portretet e burrave, portrete punëtorësh, fytyrat dhe veshjet e të cilëve kanë gjurmë të jetës qytetase dhe raporteve të reja njerëzore që iu reflektojnë diçka prej skllavërie të re. Edhe Dedë Jakova, të dy këta pasardhës të Kolë Idromenos, ndjek këtë linjë të Shkodrës qytet i madh. Studiuesit francezë kanë evidentuar gjurmë të veprimtarisë fotografike në Tiranë, Durrës e Gjirokastër, në Berat me Lilo Xhimitikun, në Elbasan me Sotir Beun, në Korçë me Dhami Burdën e Thimi Racin. I njihet kontributi Margaret Hasluck-ut, antropologe, fotografe që jetoi 13 vjet në Shqipëri.

Një art i zhvilluar në të njëjtën kohë me lindjen e fotografisë në botë dhe me pretendime novatore përtej niveleve që lejonin kushtet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare prej mesit të shek. XIX deri në vitet dyzetë të shek. XX. Një pasuri e sfiduar me heshtje, thonë studiuesit. Heshtja dhe harresa që mbajti regjimi i Enver Hoxhës ndaj paraardhësve, është arsyeja pse kjo trashëgimi ruhej por nuk promovohej. Edhe ata që e njihnin, duke ndërprerë komunikimin me këtë pasuri, e harruan.

Publikuar: 08.10.2011 | 15:07
Lexuar: 643 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime