Pasi vlerësohet pjesa politike, ku koalicioni me BDI cilësohet i palëkundur, edhe pas bojkotimit të opozitës dhe votimit të ligjeve me dy të tretat dhe me Badinterin, Komisionit nuk i shpëtojnë tensionet dhe fërkimet në terren.
Përplasjet e ndryshme që u shënuan 12 muajt e fundit, apo pakënaqësitë për projektet që favorizojnë vetëm njërën kulturë etnike në vend, kanë zënë vend në raportin e detajuar të Komisionit, ashtu siç kanë ndodhur. Pasi vlerësohet pjesa politike, ku koalicioni me BDI cilësohet i palëkundur, edhe pas bojkotimit të opozitës dhe votimit të ligjeve me dy të tretat dhe me Badinterin, Komisionit nuk i shpëtojnë tensionet dhe fërkimet në terren.
Disa incidente tendosën marrëdhëniet ndër-etnike. Plani urban Shkupi 2014 vazhdon të lëshojë shkëndija në ndjeshmërinë ndër-etnike. Anëtarët e komuniteteve minoritare vazhduan të qahen për mos respektimin e monumenteve të tyre historike dhe kulturore. Në shkurt, ndërtimi i një muzeu në formë kishe brenda Kalasë së Shkupit çoi në përplasje të dhunshme ndërmjet anëtarëve të dy komuniteteve kryesore në vend. Përfshirja direkte e politikanëve të njërës prej partive të koalicionit në këto ngjarje përbën shqetësim. Incidenti u shoqërua me shumë shprehje të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes për dhunë në internet. Ka një shqetësim në rritje se tensionet ndër-etnike mund të pasqyrohen nga grindjet ndër-fetare. Përgatitjet për censusin shkaktuan tensione politike të ndara sipas linjave etnike, evidenton raporti.
Pak progres është arritur në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës, me rekrutimin e disa përkthyesve më shumë. Gjithsesi, nuk është ngritur ende asnjë mekanizëm i qartë për të vëzhguar zbatimin e këtij ligji. Disa institucione përballen me mungesën e përkthyesve të kualifikuar dhe me përvojë. Mësimdhënia shtesë e gjuhëve të etnive më të vogla nuk është e gatshme në mënyrë të barabartë, pasi numri i teksteve të përkthyera dhe të botuara është shumë i kufizuar dhe numri i mësuesve të kualifikuar është i pamjaftueshëm, vëren raporti.
Pas festimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, me vlerësimin se ndihmoi për ta rritur dialogun mes komuniteteve në vend, vijnë problemet e mungesës së kapaciteteve për ta zbatuar siç duhet Marrëveshjen e Ohrit, si dhe problemi i punësimeve pa kriter për të mbushur përqindjen.
Është zhvilluar një kuadër institucional për mbrojtjen e minoriteteve por kapacitetet dhe efikasiteti i tij është i pabarabart. Nuk ka ende një vlerësim të përgjithshëm të qeverisë për zbatimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Pati përpjekje të kufizuara për të përmirësuar vëzhgimin dhe koordinimin mbi zbatimin e MO-së, vlerëson raporti.
Numri i përgjithshëm i të punësuarve civilë nga komunitetet e pakicës arriti shifrën 30 për qind, përfshirë shqiptarët, romët, turqit etj. Gjithsesi, më shumë përpjekje nevojiten për përmirësimin e cilësisë së procesit të rekrutimit. Rekrutimi nuk u bë gjithnjë sipas nevojave të administratës dhe sipas kualifikimit të rekrutëve. Një numër i lartë i të sapo punësuarve në administratën publike morën rroga edhe pse nuk iu ishte ngarkuar asnjë detyrë apo përgjegjësi. Përfaqësimi i minoriteteve në nivelin më të lartë mbetet shumë i ulët., tërheq vëmendjen raporti.
Në edukim vlerësohen disa hapa e strategji, por tërhiqet vëmendja për mos-zbatimin e tyre. Megjithë përpjekjet e qeverisë për të promovuar parimet e edukimit të integruar, praktika e ndarjes së fëmijëve në klasa etnike si dhe ndërrimet e gjuhëve vazhduan në një numër shkollash. Rastet e dhunës ndër-etnike në shkollat e mesme vijuan, thuhet në raport. Në marrëdhëniet e dialogun mes komuniteteve, shënohet ngritja e 20 komiteteve nder-etnike siç e kërkon ligji, por edhe ajo ne 14 komuna të tjera në bazë vullnetare.
Sidoqoftë, shumica e tyre vazhdoi të përballet me pengesa serioze siç është mungesa e fondeve, pa hapësira zyrash dhe pajisje, kompetenca të paqarta dhe përfaqësim të pamjaftueshëm të komuniteteve etnike që jetojnë në atë komunë. Si rezultat, ato mbeten jo-aktive dhe të panjohura nga publiku, evidenton raporti.
Në përfundim të kësaj pjese, theksi vihet tek mos arritja e asnjë progresi në qartësimin e implikimeve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të anuluar masat e Ligjit për përdorimin e flamujve të komuniteteve. Raporti i detajuar, së bashku me Strategjinë e Zgjerimit, publikohen nga Komisioni Evropian, me disa rifreskime të mundshme, të mërkurën më 12 tetor.
Ernest Bunguri, ALSAT-M