Steve Wozniak, miku dhe ortaku që themeloi Apple, tregon fillimin e aventurës së tyre. Rrinim zgjuar gjithë natën duke folur për atë që mund të realizonim. Ai ishte i veçantë, nuk donte të ndalej dhe kishte dëshirë që me teknologjinë të transformonte botën.
Kujtimi i Wozniak
Steve Wozniak, miku dhe ortaku që themeloi Apple, tregon fillimin e aventurës së tyre. Rrinim zgjuar gjithë natën duke folur për atë që mund të realizonim. Ai ishte i veçantë, nuk donte të ndalej dhe kishte dëshirë që me teknologjinë të transformonte botën.
Jam pak i frikësuar, thotë në telefon Steve Wozniak, ndihem në një mënyrë të çuditshme. Nuk arrij të mendoj dhe të bëj asgjë. U ndjeva kështu kur vdiq John Lennon, John F. Kennedy apo Martin Luther King. Ndien një boshllëk të madh brenda vetes. Është shumë e vështirë të sjellësh nëpër mend të kaluarën, të mendosh gjithçka që ka ndodhur. Të reflektosh për atë që provon, për atë domethënie që ka.
Zoti Wozniak, sipas jush, çfarë e motivonte Steve Jobs?
Ajo e tija ka qenë një jetë për tu pasur zili. Mendoj se Steve Jobs kishte vizione dhe shpresa për të ardhmen, e që e kishte organizuar kompjuterin Apple në mënyrë që të çonte përpara ëndrrat e tij. Shpresoj shumë që Apple të vazhdojë të gjejë liderë të tjerë të mëdhenj, si ai.
Steve Jobs ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si ne mendojmë për teknologjinë dhe si bashkëveprojmë me të. Ishte një krijues i palodhshëm. Cili ishte sekreti i tij?
Shumë të rinj, kur arrijnë sukses në biznes, fitojnë një farë pushteti. Por shumë të tjerë kufizohen duke iu përshtatur situatës, limitohen në status quo. Krejt ndryshe ishte me Steve: vazhdoi të krijonte projekte të reja, të ecte përpara të tjerëve dhe të ishte numri një në botë. Kishte një kapacitet të jashtëzakonshëm mendimi dhe e vendoste në praktikë duke bërë të lumtur shumë njerëz. Sa herë mund të ndodhë që produktet e krijuara nga një njeri i vetëm, të bëjnë të lumtur sa herë që i prek? Kur isha i ri kjo më ndodhte me televizorin, dhe me asgjë tjetër.
Na trego pak për fillimet? Kur u takuat dhe kur vendosët të punonit së bashku? Punonit të dy në Hewlett-Packard?
Nuk është tamam kështu. Steve kaloi një verë si stazhier, ndërsa unë punoja aty, projektoja makina llogaritëse. Por tani e kam të vështirë të mendoj për ato momente kaq të rëndësishme: për koncertet ku shkonim së bashku, për netët që rrinim zgjuar kur flisnim për projekte dhe për atë çka mund të realizonim bashkë.
Fillimisht e nisët punën në një garazh. Ishte pikërisht aty që ndërtuat kompjuterin e parë personal. E kuptonit rëndësinë e asaj që po bënit?
E vërtetë. Për një vit rresht punuam në një garazh, që është njëlloj sikur punon në shtëpi. Në fakt nuk kishim para. Kjo e bëri Steve shumë popullor në sytë e njerëzve. Shumë njerëz në fakt duan të besojnë se ëndrrat, ndonjë ide e mirë dhe dëshira për të transformuar botën mund të mjaftojnë aq më tepër nëse dikush është i ri dhe vjen nga hiçi. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për themeluesit e shumë kompanive të tjera, si Facebook dhe Google.
Kishit ndonjë ide për të ardhmen që ju priste?
Ajo që bënim atëherë na dukej shumë e rëndësishme, por nuk mund ta imagjinonim se ky aktivitet do të merrte përmasat që ka sot, që do të bëhej një pjesë kaq e rëndësishme në jetën e të gjithëve. Kompjuteri, ashtu si të gjitha produktet që erdhën më vonë, janë mjete që lehtësojnë komunikimin mes njerëzve. Ne nuk e kishim imagjinuar se një ditë do të arrinim të bënim gjithçka në mënyrë ndryshe: që do të uleshim përpara një tastiere, një iPad, apo një iPhone për të administruar jetën tonë profesionale. Po ashtu nuk mund ta dinim se mund të ruanim një këngë në memorien e kompjuterit tonë. Shkëndija e parë lindi thjesht nga dëshira për ta transformuar teknologjinë e sotme në teknologjinë e së nesërmes. Ja kështu mendonim. Steve nuk dorëzohej kurrë. Inatoste inxhinierët duke i pyetur çdo sekondë, a mund ta bëjmë këtë, a mund ta bëjmë atë. I shtynte të bënin më të mirën. Në fund ata dorëzoheshin duke i thënë, po mund të bëhet. E kështu, e pamundura, me idetë e tij bëhej realitet.
Ju i njihnit aftësitë e tij si biznesmen?
Askush nga ata që e njohën Steve në fillim nuk mund ta kishte imagjinuar. Dhe tani të gjithë pyesin? A do të jetë e mundur të zëvendësohet një njeri si Steve? Do të lërë një boshllëk që sdo të mbushet kurrë? Ndjesia që provohet është e njëjtë me atë të vdekjes së John Lennon. Ndihesh i humbur me pyetjen që të mundon: Po tani çtë bëjmë? Do të mundemi dot të gjejmë një tjetër si ai?
Për pak kohë Steve studioi kaligrafi. Në fakt krijoi produkte me një bukuri të jashtëzakonshme. Për të sa rëndësi kishte ky aspekt?
Macintosh përfaqëson një risi absolute. Për herë të parë çdo shkronjë mund të krijohet si një pikturë. Çdo shkronjë e çdo fjale ishte një pikturë e vogël. Mund të them se studimet për kaligrafi kishin pasur një impakt shumë pozitiv tek ai. Të njëjtën gjë mund të themi kur ishim dy të rinj në një garazh, kur duhej të përgatisnim reklamën tonë të parë për Apple I. Steve u përqendrua te fonti i shkrimit, te stili grafik që shoqëron një sërë karakteresh tipografike. Gjithçka donte ta shndërronte në diçka që mund të ndihmonte njerëzit. Prandaj e çoi Apple aty ku është sot.