Ai nuk para pëlqen që të rishikojë filmat në të cilët ka interpretuar, duke thënë se bëhet fjalë për diçka të së shkuarës dhe se atij i pëlqen që të ecë gjithmonë përpara. Për ata që nuk e kanë parë asnjëherë Paul Bettany, takimi me të nuk është aspak befasues. Paul është i tëri ai që kemi imagjinuar: i gjatë, shumë i gjatë madje, elegant, shumë simpatik dhe mbi të gjitha me një sharm dhe humor që të bën për vete.

Por ajo që të befason është pikërisht ajo që nuk dimë për të. Paul ka qenë boksier në rininë e vet të hershme, dhe gjatë asaj kohe ka thyer së bashku me trupin edhe shpirtin, sidomos pas një goditjeje që mori në zemër. Por tashmë e ka lënë pas atë përvojë dhe është shndërruar në një djalosh të shëndetshëm, si nga fiziku edhe nga zemra. Është i qetë, i qeshur dhe me shumë vetëbesim. Ai është mbi të gjitha i lumtur dhe i dhënë pas fëmijës së tij dhe veçanërisht pas më të voglit, të ardhur në jetë vetëm pak muaj më parë: Keni fëmijë të vegjël? Janë të adhurueshëm. Unë më parë mendoja se nuk do të isha një baba i mirë, ndërkohë që nuk mund të jetoj dot pa ta. Vetëm se në tre vitet e para të jetës ata janë sa të adhurueshëm, aq edhe të vështirë për të dy prindërit. Paul është jo vetëm një baba që adhuron fëmijët e tij, por edhe një bashkëshort i lumtur. Madje jo pa shkak rrëfimin për të e nisim nga familja, duke qenë se për të ajo vjen e para, para karrierës dhe para çdo ambicie profesionale dhe personale. Së bashku me të shoqen, prej 8 vitesh, aktoren e famshme Jenifer Connley, ai jeton në qendër të Nju Jorkut. Çifti i marrë me dashuri të madhe kanë tre fëmijë, dy djem, njëri prej të cilëve vjen nga martesa e parë e Jenifer dhe një vajzë, vogëlushen që sapo ka ardhur në jetë. Bettany gjatë kësaj kohe është marrë vetëm me princeshën e tij të vogël, ndërkohë që ka preferuar që ti pakësojë angazhimet e tij profesionale, edhe pse është në kulmin e karrierës së vet. Një nga filma që e bëri të famshëm është Broken Line, një film që e ka bërë me dashuri, sepse ishte krijim i një mikut të tij. Ndërsa filmi i dytë, të cilin gjithashtu e ka interpretuar me shumë pasion dhe i ka dhënë jo pak vlerë, është Margin Cal ku interpreton edhe Kevin Spacy. Por tani thotë se të gjithë pasionin që ka pasur për të bërë filma, për të sjellë personazhe të reja dhe interesante në ekran ia ka zënë dëshira për të lindur dhe rritur fëmijët e tij, krijesat më të mrekullueshme në botë. Ai thotë se pikërisht kur ke fëmijët e tu në duar e kupton se të gjitha ambiciet e tua, të gjitha pasionet, ëndrrat dhe sakrificat mund ti lësh mënjanë për tiu kushtuar engjëjve dhe krijesave që ke sjellë në jetë, duke i quajtur ato të vetme kryevepra për të cilat ia vlen që të sakrifikosh. Tani ai është rreth të dyzetave dhe ndihet i realizuar.
Ai është rritur në Londrën perëndimore dhe në moshën 19-vjeçare me pasionin e madh për aktrimin u regjistrua në një shkollë drame. Dëshira e tij për të aktruar vinte nga fëmijëria, gjatë të cilës shpesh i qëllonte që ti realizoheshin shumë dëshirat që kishte. Madje që në moshë të mitur i kishte premtuar vetes se kur të rritej do të bëhej aktor dhe këtë dëshirë e realizoi. Por sigurisht me kalimin e kohës, nga fëmijëria deri në rini, kjo dëshirë ishte ndër të paktat, të cilat nuk kanë ndryshuar tek ai, dhe mbi të gjitha një dëshirë që sa vinte e bëhej edhe më e madhe. Vetë Paul rrëfen se i ndiqte me shumë emocion të gjitha shfaqjet teatrale gjatë rinisë së tij dhe kishte një dëshirë të papërmbajtur për ta parë veten protagonist në skenë me publikun përballë. Përpjekjet dhe paksa edhe fati, ishin ato që i dhanë famë këtij aktori bukurosh dhe me trup të bukur. Në vitin 2000, ai interpretoi në filmin Gangster nr. 1, një film shumë të dhunshëm që fliste për Londrën e viteve 60. Këtu kishte një rol të vogël dhe në vitet në vijim pati gjithashtu role sekondare në shumë filma të tjerë, pa e parë kurrë veten në pozicionin e protagonistit. Kështu interpretoi në A Knights Tale apo në filmin shumë të famshëm që mori edhe çmimin Oskar, A beautiful Mind. Pikërisht pas këtij filmi që e solli në vëmendje të të gjithëve, nisën që ti vijnë edhe rolet e para kryesore. Fillimisht ishte filmi Wimbledon, në të cilin ai luan rolin e një lojtari tenisi. Në fakt është më shumë një dramë e lehtë pasionante që nuk la shumë gjurmë, por që gjithsesi e futi në listën e aktorëve që mund të interpretonin edhe role të rëndësishme nëse do ti paraqitej një ditë fati. Në të njëjtin vit ai interpretoi edhe në filmin e Lars Von Trier Dogville. Për të kjo ishte një përvojë e tmerrshme. Ai nuk e ka pëlqyer aspak këtë film dhe rolin e tij dhe është penduar që pranoi ta bënte. Por vetë rrëfen se jo vetëm që nuk ndjeu asnjë lloj kënaqësie personale dhe profesionale, por madje ndjeu dhe shumë neveri. Jo pa qëllim ai nuk e ka parë kurrë të përfunduar këtë film dhe madje është betuar se nuk do ta shohë kurrë dhe se mbi të gjitha është përpjekur që ta fshijë nga kujtesa. Ai thotë se të gjithë janë habitur me këtë vendim të tijin për të mos e parë filmin, por ai e di mirë se cila është arsyeja. Por kjo përvojë e papëlqyeshme është kapërcyer tashmë dhe ka pasuar nga përvoja të tjera shumë të mira. Bettany, që është marrë me boks dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të bësh sportistin, por edhe aktorin, thotë se ai nuk e ka marrë kurrë aktrimin si një sport. Të aktrosh do më shumë elegancë se të bësh sport, thotë ai. Ka disa lloj aktorësh. Disa që janë pjesë e të njëjtit film me ty e marrin filmin si një garë, në të cilën duhet që të konkurrojnë me të gjithë për të shkëlqyer dhe për të vënë më në dukje yllin e tyre. Të tjerë janë më të qetë dhe shohin vetëm punë e tyre. Pikërisht unë jam pjesë e kësaj kategorie të dytë. Jam i qetë, i përqendruar në rolin tim, edhe në rastet kur është një rol i vogël, por e di se ai është imi dhe se nuk jam aty për të konkurruar apo në gjuhën e sportit garuar me aktorin kryesor, thotë Bettany. Si për çudi në CV e tij ka shumë role psikopatësh, ose personazhesh me fiksime. Këtë e vë re edhe kur e ke përballë. Në disa momente sytë e tij hapen shumë dhe të duket sikur do të shpërthejnë. Kur e pyesin se si e shpjegon ai një gjë të tillë thotë se është një zakon që e ka që nga fëmijëria dhe se nuk e ka hequr dot kurrë, por pastaj me të qeshur të siguron se ai vetë, edhe pse ka interpretuar role psikopatësh, është një njeri shumë normal dhe se për këtë mund të pyetet edhe gruaja e tij. Megjithatë, Paul ka edhe një anë shumë pragmatike në punën e tij. Ai thotë se ka dëshirë që të bëjë filma, sepse do të jetojë mirë, që fëmijët e tij të kenë gjithçka, që ata si familje të kenë një shtëpi të mirë dhe të ardhme të sigurt. Kam bërë një numër filmash që nuk më kanë pëlqyer, por ama, nga ana tjetër, edhe pse kam tradhtuar veten dhe profesionin, kam qenë i qartë se do të kem fitime me të cilat do të mbuloj shpenzimet e mëdha që i duhen një familjeje të madhe në qendër të Nju Jorkut. Unë kam ndërmend që të bëj shumë fëmijë e me se vallë do ti rris ata nëse do të bëj naze për filmat që më ofrohen?
Megjithatë tashmë është paksa i tërhequr dhe shkaku për këtë është mbi të gjitha martesa e tij me Jenifer. Të gjithë thonë se është martesa më e fuqishme dhe më e fortë në Hollivud dhe se ata të dy janë me të vërtetë një çift model. Bettany reagon kështu: Epo o Zot i madh, vërtet e thonë këtë? Epo mirë, unë di tju them se kam 8 vjet i martuar, që me parametrat e Hollivudit është 50 vjet, pra për të gjithë kjo lidhja jonë e gjatë dhe e qëndrueshme është bërë shumë intriguese. Unë di të them vetëm se kam bërë një zgjedhje shumë të mirë. Kaq.