Të dy kandidatët kanë mesazhe me nuanca të qarta fetare që kalojnë mirë të krahu fetar evangjelist i partisë, mirëpo në vit zgjedhor ku çështje parësore me siguri do të jetë ekonomia ata kanë gjasa minimale për të fituar nominimin e partisë.
Robert Nesimi
Kur para tre viteve demokratët i shkaktuan humbje të thella në zgjedhje partisë republikane, një mori analistësh parashikuan se republikanëve do tiu duhej një kohë e gjatë për ta rimarrë veten pas asaj që konsiderohej si debakël i udhëheqjes së Bushit. Por sot duket se analistët kanë gabuar rëndë, pasi demokratët po përballen me një parti republikane të rilindur, energjike dhe të motivuar për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.
Këtë vjeshtë, përderisa Obamës i duhet të përballet me problemet e mëdha ekonomike, republikanët kanë filluar serinë e debateve dhe votimeve që duhet të kurorëzojnë një kandidat të tyrin për president. Fakti se të tetë kandidatët që momentalisht garojnë për nominim ofrojnë një vizion krejtësisht të ndryshëm për Amerikën, flet se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një përplasje e madhe ndërmjet dy vizioneve të ndryshme dhe mund të ridefinojnë në mënyrë dramatike kahjen se kah lëviz Amerika.
Në vija të trasha të gjithë kandidatët republikanë kanë mesazh të ngjashëm, plotësisht të kundërt me politikat aktuale të Shtëpisë së Bardhë. E megjithatë debati brenda-republikan është tepër i gjallë dhe dinamik, ngase secili kandidat ka qasjen e vet unike për zgjidhjen e problemeve aktuale të vendit dhe përfaqësojnë rryma të ndryshme të partisë. Për shembull, kongresmenja Mishel Bahman (një nga themelueset e Partisë së Çajit fraksion ekstrem i djathtë i partisë) dhe ish-senatori Rik Santorum u kushtojnë më tepër rëndësi çështjeve sociale dhe morale, ndërsa qëndrimet e tyre ekonomike janë më tepër ad-hoc, pa plane konkrete.
Të dy kandidatët kanë mesazhe me nuanca të qarta fetare që kalojnë mirë të krahu fetar evangjelist i partisë, mirëpo në vit zgjedhor ku çështje parësore me siguri do të jetë ekonomia ata kanë gjasa minimale për të fituar nominimin e partisë.
Diçka më larg çështjeve sociale, por me plan ekonomik pastër të djathtë është pozicionuar biznesmeni Herman Kain, që propozon nivel të rrafshtë prej 9% për të gjitha llojet e tatimeve. Zgjedhja eventuale e tij si kandidat do ti shkaktonte telashe të mëdha Obamës, sepse përveç faktit se ka përvojë më të madhe në ekonomi Kain është zezak dhe mund të tërheqë një pjesë të madhe të votës zezake që tradicionalisht votojnë demokratët.
Kandidati Njut Gingriç, ish-spikeri i Dhomës së përfaqësuesve të Kongresit në kohën kur kryetar ishte Klintoni, angazhohet për reduktim drastik të fuqive të qeverisë federale, me kalimin e ingerencave shteteve përbërëse të SHBA-ve dhe sektorit privat. Gingriç njihet si Njeri i Ideve dhe është padyshim kandidati më me përvojë, por jeta kontroverse private nuk kalon mirë te baza tradicionaliste e partisë, që e bën të vështirë zgjedhjen e tij si kandidat eventual.
Dy kandidatë tjerë, Ron Pol dhe Xhon Hantsmen, duken si figura të vetmuara në këtë fushë.
Kongresmeni Ron Pol është shembull i gjallë i filozofisë Hajekiane, që kërkon reduktimin më drastik të fuqive të shtetit në çdo lëmi (përfshi këtu arsimin, shëndetësinë, kontrollin e ndotjes së ambientit etj.). Por përveç moshës 76 vjeçare, elektorati republikan vështirë se do të mund të gëlltitë në tërësi mesazhin e tij, që poashtu kërkon kufizim drastik të Rezervës Federale - bankës qendrore amerikane, legalizimin e drogës, ose tërheqjen totale të ushtrisë amerikane nga çdo bazë në botë (ai fajëson militarizmin amerikan për sulmet terroriste). Pol sipas të gjitha gjasave nuk do të nominohet si kandidat për president, por ka rol të veçantë si figura e vetme që përfaqëson krahun libertarian të partisë dhe si vetëdije e partisë pasi njihet si politikan i rrallë që asnjëherë nuk ka ndërruar qëndrimet. Nga ana tjetër ish-guvernatori i shtetit Utah, Xhon Hantsmen, ka arsye tjera pse të ndihet i izoluar.
Megjithëse ka dosje të mirë të aktivitetit djathtist dhe si ish-ambasador në Kinë është më i kualifikuari për tu përballur me rrezikun ekonomik kinez, Hantsmen poashtu përqafon ide që janë anatema për një numër të madh republikanësh, siç janë rreziku nga ngrohja globale ose teoria e evolucionit. Hantsmen përfaqëson krahun e moderuar të partisë, por si duket do të ketë rast më të volitshëm në të ardhmen, sepse këtë rradhë ky krah kryesisht mbështet kandidatin Mit Romni.
Nëse garës nuk i kyçet edhe ndonjë kandidat tjetër, kandidati i ardhshëm republikan do të jetë guvernatori aktual i Teksasit, Rik Peri, ose ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni. Në përgjithësi këta janë kandidatët më kompetentë për të adresuar problemin momental numër një papunësinë, por përndryshe ata dallojnë shumë nga njëri tjetri. Rik Peri është i dashuri i konzervativë socialë, jugorëve, evangjelistëve fetarë dhe deri vonë i Partisë së Çajit.
Në planin ekonomik ai mund të lavdërohet se duke qenë ai guvernator Teksasi ka gjeneruar 40% të të gjitha vendeve të punës në SHBA, por atij mund ti shkaktojë problem qëndrimi i butë ndaj imigrantëve ilegalë dhe fakti se do të ishte kandidat më i dobët përballë Obamës, sepse është vështirë të thuhet nëse Amerika do të zgjedhë përsëri një kryetar konzervativ nga Teksasi. Mit Romni ndërkaq është favorit i establishmentit republikan, që sheh me droje bazën ultrakonzervative republikane dhe partinë e Çajit.
Me qëndrimet e tij më centriste, anketat tregojnë se Romni është më i pranueshëm për votuesit e pavarur dhe se do të fitonte garën eventuale kundër Obamës. Por Romni nuk shihet me shumë simpati nga baza republikane. Për evangjelistët pengesë mund të jetë feja e tij mormone, ndërsa për Partinë e Çajit fakti se në Masaçusets ai ka sjellë reformë shëndetësore të ngjashme me atë që bëri Obama në plan nacional. Megjithatë Romni ka prezentuar plan solid për rimëkëmbjen e ekonomisë, politikë të shëndoshë fiskale dhe ka premtuar se do të revokojë reformën shëndetësore të Obamës. Për momentin ai duket si kandidati më i përshtatshëm republikan për të udhëhequr sulmin republikan për rimarrje të Shtëpisë së Bardhë.
Dihet se politika e jashtme amerikane është konstante pavarësisht se kush është kryetar, prandaj ajo me siguri do të ngelet e njëjtë edhe karshi Maqedonisë. Atëherë shtrohet pyetja: a duhet të na interesojnë fare zgjedhjet në Amerikë? Përgjigja ime do të ishte po, pasi vota e ardhshme prezidenciale do të tregojë më së miri se kah po lëviz Amerika, e kjo nuk mund të mos ndikojë në pjesën tjetër të globit. Arsye edhe më e rëndësishme pse zgjedhjet duhet të ndiqen me kujdes nga politikanët dhe analistët tanë është vetë përplasja ideologjike në mes dy partive.
Me gjithë dallimet që kanë në detale, të gjithë kandidatët republikanë janë të bashkuar në antagonizmin kundrejt politikave demokrate, premtojnë revokim sa më të shpejtë të reformës shëndetësore, disciplinë fiskale, ulje të borxhit federal me anë të shkurtimeve të buxhetit e jo rritjes së tatimeve, zvogëlim të ndjeshëm të administratës dhe reduktim të aktiviteteve të qeverisë federale.
Është poashtu për tu shënuar se për gjendjen aktuale ata konsiderojnë po aq fajtore administratën e Bushit dhe të gjithë mundohen të paraqiten si pasardhës të Reganit. Nëse mund të thuhet se në dy dekadat e fundit Amerika ka lëvizur në të majtë duke tentuar të shndërrohet gjithnjë e më tepër në shtet social të ngjashëm me demokracitë europiane, vrulli republikan tregon se ajo mund të jetë e gatshme të rikthehet djathtas.
Në këtë sens ajo edhe më tej paraqet rast unik në botën demokratike. Përderisa partitë e djathta europiane janë zbutur aq shumë saqë rëndë dallohen nga partitë e majta, Amerika tregon se vizioni i djathtë është gjallë e shëndoshë. Kjo ideologji që sheh shtetin si gjenezë e jo si zgjidhje të problemeve dhe që kërkon reduktimin e fuqisë së tij në minimum, në Europë ka gjatë kohë që është braktisur, ndërsa te ne as nuk është provuar ndonjëherë. Është për tu mahnitur dhe për çdo respekt që të paktën në një vend në botë ekziston një trup aq i madh votuesish që kërkon që shteti të bëjë më pak, e jo më shumë për ta.
Çdo shtet ndryshon dukshëm vetëm pas krizave të mëdha. Në Amerikë ndryshim radikal ka sjellur Depresioni i Madh që shënoi fillimin e epokës së Kontratës së Re të Ruzveltit. Duke marrë parasysh se kriza e sotme është më e madhja pas Depresionit, nuk është për tu habitur nëse zgjedhjet e ardhshme prezidenciale shënojnë fillimin e një kontrate tjetër dhe lindjen e një Amerike të re. Sido që të jetë, për të gjetur shembull të gjallë të ideologjisë së tyre të pastër, djathtistët tanë të vërtetë duhet të drejtojnë shikimin përtej oqeanit.