E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ndërsa “Nobeli” i shkoi një suedezi shumë interesant dhe të famshëm, “Booker Prize” i këtij viti i shkoi një britaniku, një xhentëllmeni të vërtetë të letërsisë së shekullit, që kishte qenë disa herë i kandiduar për këtë çmim: Julian Barnes.
Julian Barnes: Njė shkrimtar nuk ėshtė kurrė vetėm






“Nobeli” i sivjetshëm për letërsinë dhe çmimi tjetër i famshëm letrar, “Booker Prize” duket se u ka shkuar dy shkrimtarëve që kishin vite që ishin në pritje të tyre, për shkak të viteve të gjata dhe të suksesshme të krijimtarive përkatëse.

Ndërsa “Nobeli” i shkoi një suedezi shumë interesant dhe të famshëm, “Booker Prize” i këtij viti i shkoi një britaniku, një xhentëllmeni të vërtetë të letërsisë së shekullit, që kishte qenë disa herë i kandiduar për këtë çmim: Julian Barnes.

Kur Julian ka shkuar dy ditë më parë drejt podiumit, në sallën e mbushur me njerëz për të tërhequr çmimin e madh, në xhepin e djathtë të xhaketës mbante një letër në të cilën kishte hedhur disa shënime për fjalimin e falënderimit. Brenda vetes kishte ndjesinë se ky fjalim i shkurtër falënderimi ishte pothuajse i ngjashëm me atë që kishte shkruar për të njëjtin rast, një dhjetëvjeçar më parë, kur sërish priste që të fitonte atë që në fakt e fitoi vetëm një dekadë më pas. Ishte një çmim për të cilin iu desh që të priste gjatë. Julian, për herë të parë u kandidua për ‘Booker Prize’ në vitin 1984, me romanin “Flaubert’s Parrot”, më pas në vitin 1998, me “England, England” dhe sërish më pas në vitin 2005, “Arthur dhe George”. Ndaj, kur më në fund iu desh që ta lexonte fjalimin e përgatitur kohë më parë, por të korrigjuar vetëm pak ditë para shpalljes së fituesve, ai më në fund u duk disi i lehtësuar që po hiqte nga supet një barrë të cilën kishte kohë që po e tërhiqte pas vetes. Madje, edhe vetë deklaroi se ndihej “shumë i lehtësuar dhe i gëzuar që po e merrte këtë çmim”. Po në atë fjalim rrëfeu një anekdotë për Borgesin e madh, i cili edhe pse priti shumë kohë për ‘Nobelin’, nuk e mori, dhe kjo e bëri që të mendonte se ndaj tij ekzistonte një komplot. Barnes tha me të qeshur se, që prej disa vitesh edhe ai kishte nisur që të mendonte se ndoshta edhe ndaj tij ishte ngritur një komplot. Për hir të së vërtetës, kanë qenë të shumtë ata që kanë pritur me vite e vite me radhë marrjen e çmimit e të shumtë janë ata që nuk e kanë marrë dhe që vazhdojnë pritjen. Sa për Barnes, ai vetë ka shkruar vite më parë se e konsideronte çmimin një “lotari” dhe një çmim që varej nga njerëz që nuk vendosnin me objektivitet, por sipas humorit të tyre të momentit. Ndaj këtë javë, atij kjo fitore do t’i jetë dukur me siguri si një fitore “lotarie”. Ndërsa 65-vjeçari është autori i një numri të madh romanesh, këtë çmim e ka fituar për romanin e tij, “The Sense of Endin”. Dikush, pas marrjes së çmimit, e pyeti nëse sipas shkrimtarit ky është romani i tij më i mirë. “Romani im më i mirë është ai që do të shkruaj, ose ndoshta ai që sapo kam mbaruar së shkruari. Nëse do të mendoja se e kam shkruar tashmë veprën time më të mirë, nuk do të gjeja asnjë forcë dhe motiv për të vazhduar krijimtarinë time. Do të ishte shumë depresionuese nëse do ta kisha një mendim të tillë për ndonjë nga romanet që kam shkruar deri më tani. Megjithatë, nëse do të më pyesnit se me cilin nga krijimet e mia kam më shumë afërsi apo afeksion, do të thosha pa dyshim që ndihem më i lidhur me “Flaubert’s Parrot”. Një ditë pas ceremonisë, Barnes nuk dëshiron që të diskutojë në lidhje me fitoren për romanin e tij, sikundër bëjnë zakonisht në mënyrë tradicionale të gjithë fituesit e çmimit prej vitesh. Ndoshta, sipas shpjegimit të botuesit të tij, ai nuk ka shumë vetëbesim dhe nuk i pëlqen që të flasë. Madje nuk ka dhënë intervista të gjata që nga viti 2008, kur i vdiq bashkëshortja. Ata ishin martuar në vitin 1979, dhe pavarësisht se ishin ndarë për një periudhë të shkurtër kohe, u bashkuan sërish. Në fakt, Barnes të gjitha librat e tij ia kishte dedikuar të shoqes dhe në fillim të tyre shkruan: ”Për Pat”. Kjo është drama e Barnes, të cilën ai që prej tre vitesh e mban në shpirtin e tij, që vazhdon t’i derdhë lot. Madje, ai publikoi edhe një ese për jetën dhe vdekjen si dhe tmerrin e saj, 6 muaj pasi e shoqja ishte diagnostikuar me tumor. Romani i fundit është i pari që autori ka shkruar pas vdekjes të së shoqes dhe në të ndihen shumë reflektimet e tij për humbjen e saj. Madje, ndihen thellësisht. Në qendër të librit që fitoi ‘Booker Prize‘ këtë vit është një njeri në vjeshtën e viteve të tij, që rrëfen për vitet e rinisë, për dashuritë dhe miqësitë e së shkuarës së tij dhe për dashurinë e parë. Romani eksploron argumente filozofike që kanë të bëjnë me personalen dhe kolektiven e njeriut si dhe për mitet dhe iluzionet që në kujtesën tonë shndërrohen në fakte. Ja çfarë shkruan në një fragment të veprës së tij të fundit Barnes:

”Sa shpesh na qëllon që të rrëfejmë historinë e jetës sonë? Sa herë na qëllon që ndërsa e tregojmë, e përmirësojmë, e ndreqim, madje dhe e ndryshojmë në variante të ndryshme. Dhe sa më e gjatë që shkon jeta, aq më të pakët janë ata që mund të na i kundërshtojnë variantet e reja, të na kujtojnë dhe thonë se jeta që po rrëfejmë nuk është jeta jonë dhe se në fakt, duke u treguar të tjerëve një gënjeshtër kemi filluar edhe ne të besojmë dhe të marrim si të vërtetë gënjeshtrën tonë”.

Julian Barnes ka lindur në vitin 1946 dhe ishte biri i dy mësuesve të frëngjishtes. Ai ka studiuar në Oksford dhe më pas ka qenë edhe gazetar, madje për 5 vjet ka qenë kritik televiziv dhe korrespondent nga Nju Jorku. Romani i tij i parë ishte “Metroland”, që sikundër edhe romani u tij i fundit, përqendrohet në një miqësi mes dy burrash dhe u publikua në vitin 1980, por ishte romani i tij i tretë, “Flaubert’s Parrot” ai që e bëri të famshëm dhe i krijoi reputacion në rrethet letrare të vendit të tij, por edhe ato botërore. Për sa i përket Britanisë së Madhe, ai sot konsiderohet si një nga tre shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë në vend, veç Martin Amis dhe Ian McEwan. Janë këta tre shkrimtarë që përfaqësojnë një brez.

Publikuar: 24.10.2011 | 19:32
Lexuar: 424 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime