Sa më e madhe të jetë fuqia e fesë në një vend, aq më e madhe bëhet edhe shtypja dhe presioni ndaj gruas.

Në moshën 6-vjeçare, në verën e vitit 1937, Nawal El Saadawi u kap me forcë nga katër gra dhe pasi i ulën të mbathurat, i sakatuan klitorin. Ishte një ngjarje që ndodhi në shtëpinë e saj në Egjipt. Ajo e mban ende mend fytyrën e gruas që mbante në duar një brisk të mprehtë dhe që e sakatoi në organin gjenital. Që kur kam qenë fëmijë, ajo plagë e thellë nuk më është shëruar kurrë, ka shkruar gruaja në autobiografinë e saj Bija e Isis. Unë qëndroja në një pellg gjaku. Pas disa ditësh, rrjedhja e gjakut rreshti dhe pash sërish atë gruan që më sakatoi, të vinte dhe të më thoshte se tani gjithçka ishte shumë mirë dhe se plaga do të shërohej. Por dhimbja do të më mbetej gjithnjë e ngulur në mish. Sot, vajza e sakatuar, si miliona të tjera afrikane, është një nga aktivistet feministe më të famshme të Afrikës dhe ka kaluar 60 vite nga jeta e saj, në një fushatë të palodhur dhe të pakompromistë me praktikën barbare të gjymtimit të femrave. Çdo vit, vihet në rrezik jeta e 2 milionë grave, nga një praktikë e tillë e vendeve myslimane. Ajo vetë ia doli mbanë që të mbronte vajzën e saj nga kjo praktikë dhe është përpjekur duke luftuar që të krijojë ndërgjegjësim te të gjithë për negativitein e një mase të tillë. Pikërisht puna e saj e palodhshme ka shpëtuar shumë e shumë gra dhe vajza nga sakatimi gjenital. Që në vitet e shkollës mjekësore jam duke luftuar kundër një praktike të tillë, por sistemi politik, veçanërisht ai i Sadamit dhe Mubarakut i kanë inkurajuar masakrime të tilla të femrës, duke inkurajuar grupet fundamentaliste myslimane. Gratë janë të shtypura në të gjitha fetë. Ajo ka shkruar 47 libra, ku ka prekur të gjitha problemet me të cilat përballet gruaja në një vend islamik, mes të cilëve edhe librin Gruaja dhe seksi i vitit 1972, për të cilin humbi edhe vendin e punës, si drejtoreshë e shëndetit publik në Ministrinë Egjiptiane të Shëndetësisë. Në fillim të viteve 80, doktoreshë El Saadawi u dërgua tre muaj në burg për krime kundër shtetit. Ndërsa ishte në burg, në letrën e tualetit, ajo shkroi kujtimet nga burgu. El Saadawi është pedagoge e feminizmit dhe çështjeve të grave dhe inkurajon që njerëzit të jenë të lirë dhe të heqin dorë nga praktika të vjetra dhe të dëmshme për shëndetin e tyre. Madje ajo është edhe kundër synetit të meshkujve, edhe pse e njëjta praktikë e ushtruar te femrat është më e rrezikshme dhe më e dëmshme. Por doktoresha dhe feministja tani është e lumtur tek sheh se janë bërë ndryshime të mëdha me periudhën e shumë viteve më parë. E ndërsa është lektore në shumë universitete në mbarë botën, ajo e ka peng në zemër se në vendin e saj, nuk e lënë që të shprehet në auditorë për mendimet dhe idetë e saj. Ajo është nga ato gra që e ka ngritur zërin edhe kur kanë ndodhur vdekje të të rejave për shkak të praktikave të tilla, duke nxitur prindërit që të mos heshtin, por të kërkojnë drejtësi. Për të është shumë e vështirë që në një vend si Egjipti, të zhduket kjo praktikë e dëmshme. Në këtë vend, 90 për qind e vajzave i nënshtrohen praktikës së sakatimit gjenital dhe mbi të gjitha, edhe në shkollë u mësohet se kjo praktikë është e mirë. Kjo praktikë ka zanafillën në shekullin e dytë para Krishtit dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite që të funksionojë në të gjithë botën. Përparimi është i ngadalshëm dhe, edhe në vendet që janë kundër, ato injorohen. Senegali është një nga vendet ku është arritur njëfarë suksesi dhe në këtë vend, pritet që deri në vitin 2015, të jetë zhdukur e gjithë praktika.
E ndërkohë, pavarësisht kërcënimeve dhe problemeve të shumta me të cilat është përballur, ajo thotë se nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga përpjekjet e një jete të tërë, për të zhdukur një metodë sakatuese dhe denigruese për vajzat e reja myslimane. Unë jam duke luftuar kundër një sistemi skllavërues patriarkal, ushtarak, kapitalist, racist. Dhe lufta ime do të vazhdojë deri në fund.