"Busheku me rrapat shekullorë është një nga pikat historike e turistike më të bukura, duke u cilësuar si një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit", thotë Agroni, një banor i zonës.
Miranda Sadiku
- Vjeshta është në fundin e saj, por ne kete stinë herë me shira dhe herë me diell, vazhdon të kete qindra turistë në qytet. Vetëm pak ditë më parë, kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, priti rreth 250 turistë nga Polonia, por nuk ishin këta të fundit në këtë fund vjeshte të dytë.
- Interesi për të vizituar pikat turistike mbetet në vëmëndjen e tyre
"Dikur turistët pyesnin se a ishte e mirë rruga për të shkuar në Bushek dhe sot teksa përshkojnë këtë rrugë, duket se mbeten të kënaqur me premtimin se do të vijnë sërisht këtu", thotë Gentiani, i cili herë pas here shoqëron turistët drejt kësaj pike turistike.
Vetëm pak ditë më parë kjo rrugë do të kthehej lehtësisht e kalushme për mjetet, falë një fondi akorduar nga qeveria, rruge qe nis në Elbasan dhe përfundon në Gjinar, e cila përshkon edhe pikën turistike të Bushekut.
Në këtë fund vjeshte kjo pikë turistike me mjaft histori ka pritur edhe shumë dasmorë dhe nuse, të cilat ruajnë kujtimet e tyre buzë liqenit të mbuluar me gjethet e vjeshtës.
"Busheku me rrapat shekullorë është një nga pikat historike e turistike më të bukura, duke u cilësuar si një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit", thotë Agroni, një banor i zonës.
Por ndryshe nga ato vite, sot Busheku nuk njeh më vetëm elbasanllinjtë, ai vizitohet nga turistë të huaj nga vende të ndryshme të botës.
Emigrantët që jetojnë në vende të ndryshme, nuk largohen nga qyteti pa i çuar miqtë e tyre në Bushek, ka edhe nga ato të rinj të huaj që të mbledhur grup ngrejnë çadrat buzë rrapeve të tij dhe kalojnë një natë të mrekullueshme në klimën e pastër dhe ujin që vjen nga mali.
- Infrastruktura ndihmon ne shtimin e turisteve
"Rruga e shtruar me asfalt, rrepet shumëshekullorë, uji i i kristaltë që buron në këmbët e atij shkëmbi masiv, i jep një gjallëri të jashtëzakonshme kësaj qendre turistike", thotë Xhorxhia, e cila ka ardhur nga Amerika me Ardin, të fejuarin e saj.
Në analet e vjetra turke Busheku quhej Buzurshek, disa gjuhëtarë duan të thonë se emri Bushek mund ta ketë prejardhjen nga "buzë sheut" ( buzë rrjedhjes, që nënkupton lumin Shkumbin). Kjo qendër me vlera të mëdha turistike dikur priste e përcillte karvane tregëtarësh që përshkonin rrugën Egnatia.
Arkeologët kanë zbuluar këtu gjurmët e një kishe që mund të quhet nga më të hershmet për këto treva. Rrapet që bëjnë hije, për pushuesit e ardhur kanë historinë e tyre, sipas së cilës, kalorsia turke zgjodhi për vendqëndrim në sulmin që do të kryente kundër Sopotit pikërisht Bushekun dhe hunjtë ku u lidhën kuajt zunë rrënjë dhe u shndërruan në rrape.
Busheku ndodhet në jug të qytetit në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik me prurje 70 litra në sekondë qe del rrëzë një shkëmbi gjigand. Kjo pikë ndodhet në fshatin Shushicë të Komunës me të njëjtin emër, rreth 9 km larg qytetit të Elbasanit.