Pasi interpretoi deri në fund rolin e gruas së guximshme që nuk e la vetëm për asnjë moment burrin e saj të përfshirë në një sërë skandalesh, tani ish-gazetarja e famshme e televizioneve franceze është gati për të drejtuar në Francë blogun e famshëm amerikan të lajmeve Huffington Post.

Ajo ka qenë pothuajse sa i shoqi në qendër të vëmendjes gjithë këta muaj. Anne, brenda një kohë të shkurtër u kthye në imazhin e gruas model që nuk e braktisi të shoqin kur të gjithë i kthyen shpinën. Politologe, shkrimtare dhe gazetare televizive, Anne u bë e famshme për talk-shown e saj, një takim klasik çdo të diel në mbrëmje në vitet 80, që transmetohej në TF1, para edicionit kryesor të lajmeve të mbrëmjes. Thuhej se transmetimi kishte mbi 12 milionë telespektatorë, një audiencë besnike, ndërsa mes protagonistëve kishte figura të shquara e lider botërorë duke nisur nga Mitterrand e duke vazhduar më pas me Le Pen, Shimon Peres, Sharon, Bill Clinton, Gorbaciov. 63-vjeçarja që rridhte nga një familje e rëndësishme hebreje u martua me D.S.K në vitin 1991. Për këtë të fundit, kjo ishte martesa e tretë. Pas emërimit të bashkëshortit si ministër i Financave në vitin 1997, Anne, që shpesh është krahasuar edhe me Larry King dhe Charlie Rose, për të evituar konfliktet e interesit, braktisi punën e saj në ekranin e vogël, duke mbajtur vetëm disa detyra të vogla në edicionin e lajmeve të TF1. Por tani zonja Strauss-Kahn, po nxiton të gjejë lirinë e saj, të paktën atë profesionale. Anne Sinclair mund ti rikthehet shumë shpejt profesionit të saj, asaj të gazetares duke drejtuar edicionin francez të Huffington Post-in. Pasi interpretoi deri në fund rolin e gruas së guximshme që nuk e la vetëm për asnjë moment burrin e saj të përfshirë në skandalin e përdhunimit të kamerieres, tani ish-gazetarja e famshme e televizioneve franceze është gati për të drejtuar në atdhe blogun e famshëm amerikan të lajmeve Huffington Post. Sipas miqve të saj, Sinclair u propozua nga bankieri Matthieu Pigasse, mik i familjes Strauss-Kahn, aksioner i Le Monde dhe ortak i filialit të ri transaplin të HuffPo. Gazetarja franceze është takuar me Arianna Huffington, gjatë udhëtimit të kësaj të fundit në Paris, tri javë më parë, dhe duket se është shumë e interesuar për këtë ofertë. Gjithsesi, për momentin asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Mes të tjerash, emri i Sinclair ka krijuar që tani disa pakënaqësi në redaksinë e ardhshme të sajtit, të lidhur jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me të përditshmen historike. Sigurisht, gazetat franceze janë mësuar me konfliktet e interesit politiko-sentimental.
Paris Match sapo i ka dedikuar një portret në kopertinë Valérie Trierweiler, shoqja aktuale e François Hollande dhe gazetare e të përjavshmes. Por bashkëshortja e Dominique Strauss-Kahn e ka çështjen pak më të komplikuar. Mbi burrin e saj vazhdojnë të dalin thuajse çdo ditë akuza të reja. Pas arkivimit të rastit amerikan dhe denoncimit të gazetares Tristane Banon 5, tani ka dalë në skenë edhe hetimi për përfshirjen në një rrjet prostitucioni të organizuar nga "Dodo la Saumure", nikname i një ndërmjetësi të arrestuar në Belgjikë. Sipas gjyqtarëve, pasi ka frekuentuar disa hotele me drita të kuqe në Lille dhe Paris, ish-drejtori i FMN-së i ka kërkuar edhe "Dodo" ti dërgonte disa shoqëruese direkt në Nju Jork. Pikërisht këtë javë, D.S.K do të dëgjohet nga prokurorët për këtë çështje. Prej vitesh, Sinclair është tërhequr pas kuintave, duke bërë vetëm rolin e bashkëshortes shembullore në krah të burrit të saj. E famshme për intervistat e saj politike gjatë viteve 80 dhe 90-të, me shikime të akullta dhe veshjet që magjepsin miliona spektatorë, ka vendosur të braktisë ekranin e vogël për të ndjekur karrierën e të shoqit. Kur u transferuan në Uashington, u mor vetëm një periudhë shumë të shkurtër me gazetari. Shkruante në një blog, por pas shpërthimit të skandalit D.S.K hoqi dorë menjëherë. Do ta kuptoni se rrethanat më detyrojnë të hesht, ka shkruar në postin e fundit drejtuar lexuesve, duke shtuar vetëm: Shihemi së shpejti. Në gjithë këta muaj ruajti qetësinë dhe vendosmërinë për të shpëtuar nderin e martesës së saj. E vetme kundër të gjithëve. I mbijetuam një tërmeti të madh, dhe tani asgjë nuk mund të na ndajë, ka rrëfyer në një biografi të sapopublikuar. Një grua e fortë apo e nënshtruar? Sjellja e saj ndau opinionin publik, duke tërhequr si admirimin ashtu edhe kritikat ndaj qëndrimit që mbajti. Ndërsa çdo ditë dalin histori të reja për dredhitë e bashkëshortit të saj, ndoshta Sinclair ka vendosur se është momenti të kalojë në anën tjetër të llogores. Të rikthehet e të shkruajë lajme në vend që të jetë burimi i tyre.