Numri dy i Ministrisë së Arsimit tha se Marrëveshja e bashkëpunimit që u firmos dje në Prishtinë do të duhet të kthehet në një iniciativë rajonale që do të përfshinte të gjithë shqiptarët që jetojnë në gadishullin ballkanik.
Iniciativa që nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtën abetare, sot është përshëndetur edhe nga Safet Neziri.
Numri dy i Ministrisë së Arsimit tha se Marrëveshja e bashkëpunimit që u firmos dje në Prishtinë do të duhet të kthehet në një iniciativë rajonale që do të përfshinte të gjithë shqiptarët që jetojnë në gadishullin ballkanik.
Është iniciativë fisnike, e cila abetare nuk ka elemente nacionaliste, nuk ka komponentë politike por ka komponent fisnike që çdo popull në botë dëshiron të arsimohet dhe të shkollohet në gjuhën e vet.
Besoj që në bazë të asaj që do të firmosen marrëveshjet mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe për një të ardhme shumë të afërt mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, besoj që do të iniciohen këto ide për një abetare të përbashkët edhe besoj që nuk do të ketë rezerva nga asnjëra palë që një iniciativë e tillë të refuzohet eventualisht, tha Safet Neziri, zv/Ministër i Arsimit.
Ndërkohë nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thonë se janë të gatshëm për të pranuar iniciativën për një abetare të unifikuar. Kryetari i LASH-it Nuhi Dardhishta thotë se në konkursin që do të shpallet për të bërë abetaren e unifikuar të kenë të drejtë të konkurrojnë edhe autorë shqiptarë nga Maqedonia.
Nuk mendoj se ka ndonjë shqiptarë në Maqedoni apo ndonjë prej përfaqësuesve tanë në institucione që do të jetë kundër kësaj abetare, por vetëm duhet që përfaqësuesit shqiptarë të gjejnë rrugën që të arrijnë së bashku që më 1 shtator të vitit 2012 të kemi një abetare të përbashkët.
Unë mendojë se kjo çështje do të arrihet pasi shqiptarët janë 34 % në arsimin fillor në Maqedoni dhe numri vetë tregon që do të arrihet që sidomos shqiptarët e Maqedonisë, Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një abetare të përbashkët , tha Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.
Nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë, do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtën abetare. Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos dje në Prishtinë nga ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Myqerem Tafaj dhe Ramë Buja.
Pas marrëveshjes së firmosur është ngritur edhe një grup pune që do të punojë për unifikimin e programeve mësimore mes dy vendeve. Sipas marrëveshjes, ky proces nis me Abetaren dhe do të vazhdojë më tej me të gjitha tekstet shkollore.