Sipas një studimi, rrezatimet e emetuara nga testet dhe aksidentet atomike ndryshojnë ekuilibrin normal midis dy gjinive.
Rrezatimet bërthamore ndryshojnë ekuilibrin demografik, duke shkaktuar një rënie domethënëse të lindjeve të vajzave në krahasim me djemtë. Këtë e dëshmon një studim i ri që ka nënvijëzuar të dhënat për popullsinë e Shteteve të Bashkuara dhe 39 shteteve europiane. Autorët e studimit kanë lëshuar alarmin edhe për Japoninë.
Normalisht lindin 105 djem kundrejt 100 vajzave. Është një konstante natyrale, si forca e gravitetit, thekson studiuesi Hagen Scherb. Por për sa i përket çekuilibrit natyror, autorët e studimit kanë vënë re një rritje të mëtejshme të përqindjes së lindjeve të djemve në dy rrethana. Ndryshimi i parë u verifikua në të gjitha qytetet e ekzaminuara mes viteve 1964-1975. Studiuesit ua atribuojnë këtë gjë testeve bërthamore në qiell të hapur: duke shpërthyer në lartësi të mëdha, mjetet e luftës çlironin atome radioaktive, të cilat më pas kapeshin nga rrymat e ajrit dhe shpërndaheshin në të gjithë planetin nga erërat. Vetëm në vitin 1963 shtetet kryesore bërthamore firmosën traktatin për ndalimin e provave të pjesshme, i cili kërkonte pikërisht mosprovimin e armëve atomike në atmosferë. Ndryshimi i dytë u vërejt te lindjet e djemve, por vetëm pas 1986-s, viti i aksidentit të Çernobilit. Rritja e numrit të lindjeve të djemve në krahasim me atë të vajzave, u vu re kryesisht në Bjellorusi, Ukrainë, Francë, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara një gjë e tillë nuk ekzistonte. Sa më afër është një shtet pranë Ukrainës, aq më i fortë është efekti, thotë Scherb. Sipas autorëve të studimit, kjo ka ndodhur për arsye se rrjedhja radioaktive ka ndodhur në tokë dhe jo në atmosferë.
Në të dyja rastet, ndryshimi i rrjedhës normale të lindjeve ka qenë mjaft i kufizuar, më pak se 1 për qind, por që ka zgjatur për vite me radhë. Sipas studiuesve, efekti nuk është për tu habitur, duke qenë se atomet radioaktive mund të jenë të dëmshme për shumë kohë. Duke u grumbulluar në kohë, shpërndarja e rrezatimit ka ndikuar në numrin e reduktuar të lindjes së miliona vajzave në të gjithë botën. Pra, me fjalë të tjera, kanë lindur më pak vajza nga çishte parashikuar.
Studimi nuk jep shpjegime mbi mekanizmin biologjik që mund të ketë favorizuar lindjet e djemve. Eksperimentet e mëparshme të kryera te kafshët të bëjnë të mendosh se rrezatimet dëmtojnë sidomos kromozomet X që përmban sperma. Siç dihet, spermatozoidët kanë një kromozom X ose Y, ndërsa qeliza vezë vetëm kromozomin Y. Nga kombinimi XY lindin djem, ndërsa nga ai XX lindin vajza, shpjegon Scherb.
Nuk dihet ende se për çfarë arsye kromozomet X janë më të ndjeshme ndaj rrezatimeve. Sipas shkencëtarit, një shpjegim i mundshëm është se kromozomet X janë më të mëdha se ato Y, prandaj kapen më lehtë nga rrezatimi. Dëmtimi i kromozomit X do të shkaktonte më lehtë deformime fatale për embrionin. Sipas Karl Sperling, gjenetist në Institutin e Gjenetikës Mjekësore dhe Gjenetikës Njerëzore në Berlin (i cili nuk ka marrë pjesë në kërkim), studimi i ri siguron dokumentin më bindës të marrë ndonjëherë nga efektet e rrezatimit për ekuilibrin mes dy gjinive, duke kundërshtuar bindjen aktuale, sipas së cilës ekspozimi ndaj rrezatimeve nuk ka pasoja domethënëse për njeriun.
Për komunitetin shkencor, zbulimet e Scherb janë krejt të papritura, por bazohen në të dhëna të pakundërshtueshme nga pikëpamja statistikore.
Edhe pse një pjesë e të dhënave datojnë që në Luftën e Ftohtë, studimi jep informacione që mund të jenë shumë të rëndësishme për incidentin e fundit bërthamor të Fukushimës. Sipas studiuesit Scherb, rrezatimet e emetuara nga centrali bërthamor japonez, mund të shkaktojnë rritje të numrit të lindjeve të djemve.
Nuk e dimë se sa radioaktivitet është emetuar nga Fukushima dhe si do të përhapet në botë, pohon shkencëtari. Ndoshta rrezatimi do të mbetet i mbyllur vetëm në Japoni, por nëse përhapet në ujë dhe ajër, mund të ketë efekte të ngjashme në termat e çekuilibrit mes dy gjinive, sidomos në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.