Angelina Jolie ka një axhendë shumë të ngjeshur: misionet humanitare, debutimi si regjisore, gjashtë fëmijë... Fati im është që kam një burrë që i bën të gjitha. Është i bukur, inteligjent dhe më kupton që në ajër

Angelina Jolie ka një axhendë shumë të ngjeshur: misionet humanitare, debutimi si regjisore, gjashtë fëmijë... Fati im është që kam një burrë që i bën të gjitha. Është i bukur, inteligjent dhe më kupton që në ajër. Angelina është një nga ato gra që të ndryshojnë jetën. Gjëja më e mirë që kam bërë në jetë është se e kam bërë mamanë e fëmijëve të mi, nënvizoi Brad Pitt në Toronto, ku prezantoi filmin e ri Moneyball. Angelina ishte në krah të tij, dorë për dore. Një tjetër konfirmim që janë çifti më i pëlqyer i botës së yjeve. Duken të lumtur, pavarësisht lajmeve që qarkullojnë se çifti është në një krizë ndarjeje. Aktorja në këto ditë po përgatit një debutim të ri, atë si regjisore në filmin In the land of blood and honey, që zhvillohet gjatë luftës në Bosnjë. Kur e ke përballë nuk është vetëm bukuria e saj që të prek. Mbi të gjitha ka një zë shumë të bukur, që duket sikur të hipnotizon. Një zë i qartë, i vendosur, sensual dhe joshës. Angelina Jolie është një grua që rrezaton qetësi. Janë zhdukur pothuajse të gjitha shenjat e shqetësimeve që e mundonin para se të bëhej nënë. Ka gjetur ekuilibrin brenda vetes. Ajo është një femër që nuk ka frikë nga asgjë dhe nuk humbet në fjalë të kota. Ndoshta ka qenë kjo arma e suksesit që i pushtoi zemrën Brad Pitt, me të cilin ka gjashtë fëmijë: tre të adoptuar dhe tre natyralë: Maddox që vjen nga Kamboxhia, Zahara nga Etiopia, Shiloh Nouvel, e lindur në Namibia, Pax Thien, i adoptuar në Vietnam, dhe binjakët e lindur në Nicë në vitin 2008, Knox Léon dhe Vivienne Marcheline. Angelina është edhe ambasadore e vullnetit të mirë të UNHCR-së, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Brenda pak viteve e kemi parë të shkojë gjithandej, në Sierra Leone, Tanzani, Vietnam, Afganistan. Vetëm pak javë më parë ishte në Misurata, në Libi, mes kryengritësve kundër regjimit të Muammar Gaddafi-t. Pasi xhirova Lara Croft në Kamboxhia dhe pashë kushtet e tmerrshme ku jetonin ata njerëz, vendosa të angazhohesha për të ndihmuar të tjerët, tregon. Iu përkushtua aq shumë kësaj kauze, sa në vitin 2006, ajo dhe Pitt, themeluan Jolie/Pitt Foundation, që financon vazhdimisht organizata humanitare. Një angazhim që ka ardhur duke u rritur dalëngadalë teksa familja ime zgjerohej. E shihja si një detyrë ndaj fëmijëve të mi.
Le ta nisim nga fëmijët. Nuk është e vështirë të rrisësh gjashtë?
Është pak, por kur e shoh që janë të lumtur dhe nuk u mungon asgjë, kjo më bën ti harroj të gjitha. Për ta nuk ka rëndësi kush janë, nga vijnë dhe nëse prindërit e tyre janë të famshëm apo jo...
Si prind, a jeni një guidë për ta?
Deri në një farë pike. Nuk dua që fëmijët e mi të influencohen nga konteksti ku unë dhe Brad jemi të famshëm apo nga fakti se disa prej tyre kanë një të kaluar ndryshe dhe janë adoptuar. Mendoj se prindërit janë gjithmonë të përgjegjshëm për mënyrën se si fëmijët e perceptojnë botën që i rrethon. Nuk e di nëse do të më pëlqente ta quaja veten guidë. Më mirë thjesht një nënë shumë e mirë.
Ndoshta edhe për të kënaqur fëmijët vendosët të dublonit filma me kartonë të animuar? Duhet të jetë shumë argëtuese...
Është e mrekullueshme. Unë dhe Brad kemi dashur gjithmonë të bëjmë filma që fëmijët tanë mund ti shohin, edhe pse janë ende të vegjël. Është pak a shumë si një lojë brenda familjes. Por në të njëjtën kohë të gjithëve në familje na pëlqejnë filmat e animuar. Në fakt jemi rritur në epokën e këtyre filmave. Brad tregon se në fëmijëri i shihte pas darke dhe kjo ishte një nga zakonet më të bukura të fëmijërisë së tij.
I pyesni shpesh fëmijët se çfarë mendojnë për filmat që xhironi?
Ata nuk mund të shohin gjithçka që bëjmë. Shumë skena nuk u përshtaten. Gjithsesi një pjesë të mirë e shohin, dhe me të vërtetë që janë si një test i rëndësishëm për të kuptuar audiencën.
Ju prej kohësh jeni konsideruar një seks simbol. Fakti që jeni edhe nënë, sipas jush, a e ka ndryshuar perceptimin që publiku ka për ju?
Sinqerisht kjo më intereson pak. Është e vërtetë se mëmësia më ka ndryshuar gjithë rendin e gjërave të mëparshme. Kur ke fëmijë dhe ngrihesh çdo mëngjes e i sheh të shëndetshëm e të gëzuar, nuk mendon për të tjerat. Vetëm kjo më mjafton për të qenë e qetë. Gjithë të tjerat janë detaje.
Ai që ju ndihmon tia dilni mbanë është Brad, apo jo?
Brad është gjithçka për mua: është një burrë i bukur, inteligjent dhe një baba shumë i zoti. Siç i thonë, i kam të gjitha të përfshira në një paketë. Jam vërtet shumë me fat.
Ju ndihmon me fëmijët?
Jo vetëm më ndihmon, është një engjëll. Është kaq i zoti sa shpesh kam dëshirë të iki me pushime e tia lë atij të gjitha gjërat. Jam e sigurt që nuk do të më merrte në telefon as edhe njëherë.
Si i ndani detyrat mes punës dhe jetës private?
Unë dhe Brad jemi të lumtur së bashku dhe ky është sekreti i familjes sonë. Është e rëndësishme për fëmijët të kenë prindër që shkojnë mirë. Kur unë punoj, Brad i çon në shkollë. Pastaj të gjithë vijnë të më takojnë në sheshin e xhirimeve. Kur punon ai, bëjmë të kundërtën. Mblidhemi në shtëpi të paktën për një vakt dhe përpiqemi të hamë mëngjes të gjithë së bashku. Shpesh është e vështirë të arrish të mbash gjithçka së bashku. Edhe gjërat e vogla janë shumë të shtrenjta për mua.