Sipas propozimit është paraparë rritje e shpenzimeve kapitale për 28 për qind, ndërsa më shumë mjete do të ketë edhe për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.
Buxheti për vitin 2012 u miratua sot nga qeveria. Deri vitin e ardhshëm, shteti do të shpenzojë 2 miliard e 747 milion euro ndërsa do të mbledhë 2 miliardë e 585 milion euro. Deficiti buxhetor është 163 milion euro ose 2,5 për qind e prodhimit bruto vendor.
Për 28 për qind ka rritje të investimeve kapitale që do të mbërrijnë 442 milion euro. Nga kjo shumë, diçka mbi 100 milion ose 25 për qind do të dedikohen për projekte të rëndësishme për shqiptarët. Ministri i financave Zoran Stavrevski refuzoi të përgjigjet se a ka marrëveshje me partnerin qeveritar nga radhët e shqiptarëve BDI, për këtë shumë.
Buxheti është buxhet i Republikës së Maqedonisë, dhe në të ka projekte që i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e vendit. Në Spitale hyjnë maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serb, romë etj. Gjithashtu, edhe autobusët i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët, po ashtu edhe shkollat.
Edhe në të gjitha projektet e tjera, rrugët, dhe çdo gjë tjetër që bëjmë, vlerësojmë se bëhet fjalë për projekte të cilat janë me rëndësi të njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, dhe kështu do të punojmë edhe në të ardhmen, deklaroi Zoran Stavrevski, ministër i financave.
Megjithatë, nga BDI-ja thonë se shuma e tillë e buxhetit, e ndarë për projekte të rëndësishme për shqiptarët, tregon se është ruajtur ndarja e drejtë.
Me një konsensus ndërpartiak ndërmjet partnerëve të koalicionit janë diskutuar prioritetet, pozicionet me qëllim që të kemi një buxhet të balancuar në aspektin politik në kuadër të elektorateve ashtu siç kemi premtuar, gjegjësisht këtu mund të gjenden edhe elementet... ku përndryshe flitet që projektet me rëndësi për vendbanimet me popullsi dominonte shqiptare apo të përkatësive tjera etnike të reflektohen edhe në buxhet, deklaroi Fatmir Besimi, BDI.
Besimi theksoi se paratë janë përqendruar në projekte të infrastrukturës, rrugë, sisteme të ujësjellësve, si dhe në projekte të rëndësishme në kulturë dhe arsim. Më shumë para për 2012, 2 milion euro morri sheshi Skënderbeu, pas kësaj vijojnë me 500 mijë euro Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, dhe 731 mijë euro për Teatrin Shqiptar në Shkup.
Para janë ndarë edhe për rrugët rajonale, 650 mijë euro për Kumanovë-Likovë-Haraçinë, 750 mijë euro për fshatin Izvor të Kërçovës dhe rajonin Boshkov Most në Dibër. Para do të ketë edhe për projektemë të mëdha infrastrukturorem, përfshi korridorin 8 dhe hekurudhën Lindje-Perëndim.
Viti i ardhshëm do të jetë viti i definimit dhe sqarimit dhe gjetjes së financave për korridorin 8, u shpreh Fatmir Besimi, BDI.
Ndërkaq, me buxhetin për vitin 2012 paralajmërohet se do të rriten edhe rrogat e administratës dhe pensionet. Rritja e ekonomisë planifikohet për 4,5 për qind ndërsa inflacioni për 2,5 për qind.