E ka nisur si studente dhe tani rikthehet si pedagoge. E vetmja shqiptare me këtë titull në Qendrën Europiane për Studimet Ndërkombëtare të Sigurisë, Marshall në Gjermani.
Flet Valbona Zeneli
Fillimisht duam të dimë se çfarë përbën qendra Marshall në Gjermani, e cila, për hir të së vërtetës, ka një reputacion shumë të madh?
Qendra Europiane për Studimet Ndërkombëtare të Sigurisë, Marshall Center, është një institucion unik i nivelit të lartë, një institucion i soft power, një bashkëpunim amerikano-gjerman, i aftë për të krijuar rrjete bashkëpunimi në rajonin euroatlantik, por edhe më gjerë. Ideja, qysh prej krijimit të Qendrës, në vitin 1993, mbas kolapsit të Perdes së Hekurt, ka qenë në ndihmën që u duhej dhënë vendeve të ish-kampit komunist në ndërtimin e institucioneve demokratike, në ndërtimin e mirëkuptimit dhe dialogut midis vendeve dhe popujve. Objektivat kryesore të qendrës janë të mbështetura tek idealet e planit Marshall, pra do ta quaja një plan të dytë Marshall për vendet e Lindjes, i bazuar te një lidership i mirë në njohuri dhe zbatim të principeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Misioni i këtij institucioni është promovimi i bashkëpunimit midis vendeve, njohja dhe kuptimi i çështjeve të sigurisë përmes dialogut dhe ndërtimi i rrjeteve të bashkëpunimit midis popujve. Qëllimi është paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajonin euroatlantik dhe më gjerë. Dhe vetë slogani i institucionit është Forcimi i partneriteteve përmes mirëkuptimit. Të tilla janë edhe sfidat e sigurisë të shekullit të 21-të, të cilat kërkojnë përgjigje dhe bashkëpunim ndërkombetar, ndërinstitucional dhe ndërdisiplinor. Ky është edhe fokusi i programeve dhe punës sonë.
Cilat janë fushat e studimit në të?
Fushat e studimit në qendrën Marshall janë ato të studimeve të sigurisë dhe të mbrojtjes, të cilat kanë një impakt të rëndësishëm në Europë dhe më gjerë. Kur flasim për studime sigurie, ato shikohen në kontekstin e sotëm gjithëpërfshirës, pra siguria civile, ekonomia, demografia, lufta kundër terrorizmit, diplomacia, të drejtat e njeriut, demokracia, lufta kundër korrupsionit, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Në këtë institucion ka aktualisht 5 kurse rezidente, të cilat mbulojnë tema të ndryshme, si studimet e avancuara të sigurisë, programi mbi studimet e terrorizmit dhe të sigurisë, seminari i ekzekutiveve të larta, programi mbi sigurinë, stabilitetin, tranzicionin dhe rindërtimin etj. Qendra ofron dhe studime Master në fushën e sigurisë për një numër shumë të vogël dhe të përzgjedhur studentësh.
Në të njëjtën kohë, qendra Marshall organizon 100-150 konferenca në vit në vende të ndryshme të botës. Shoqatat e ish-studentëve në vendet e tyre janë shumë aktive dhe kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë midis njëra-tjetrës.
Cilët janë studentët e kësaj qendre? Ka prej tyre personalitete të politikës botërore?
Studentët apo pjesëmarrësit (kjo është dhe mënyra se si quhen studentët, pasi metoda e mësimdhënies është aktive dhe bashkëpunese) janë ekspertë dhe profesionistë, të cilët vijnë nga sektorët e politikës, sigurisë, ushtrisë, ligjvënës dhe ligjimplementues. Këta vijnë nga 137 vende të ndryshme të botës. Qendra ka 9 mijë të diplomuar dhe rreth 300 ish-studentë sot janë zyrtarë të lartë në vendet e tyre, ushtarakë të lartë, parlamentarë, kryeministra, presidentë, komisionerë të BE-së, eurodeputetë, zyrtarë të lartë të NATO-s.
Edhe nga Shqipëria janë diplomuar shumë studentë, rreth 200 qysh prej krimijit të qendrës Marshall, përfshirë ministra, deputetë, diplomatë, ushtarakë të lartë.
Është një ambient me një prezencë kaq të madhe ndërkombëtare, unik për të kuptuar se si vendet dhe kulturat e ndryshme i shikojnë gjërat, ndajnë vlerat dhe interesat, forcojnë bashkëpunimin dhe lidhjet, ndajnë informacionin dhe praktikat më të mira.
Ju jeni një studiuese nga Shqipëria që angazhoheni në këtë qendër. Ka pedagogë apo asistentë të tjerë nga Shqipëria në qendrën Marshall?
Unë kam fatin, privilegjin, por edhe përgjegjësinë e madhe të jem e para pedagoge nga Shqipëria në këtë qendër. Kthehem këtu si pedagoge, pasi kam pasur fatin që para 8 vjetësh të isha studente në qendrën Marshall, një nga eksperiencat më mbresëlënëse të studimeve të mia. Është përgjegjësi e madhe, pasi nuk jam vetëm si Valbona atje, por përfaqësoj një vend, i cili, pas shumë sakrificave e mundimeve, po përpiqet të ecë dhe të integrohet plotësisht në strukturat europiane.
Si arritët ju që të jeni në një institucion kaq prestigjioz e ku jo vetëm nuk është e lehtë, por është edhe nder të jetë pjesë e stafit të tij akademik?
Qendra Marshall ka një staf ndërkombëtar shumë të kualifikuar, pedagogët vijnë nga disa vende të ndryshme partnere, shumica nga SHBA dhe Gjermania, por ka edhe nga Zvicra, Italia, Kanadaja. Për mua është fat i madh të jem përkrah profesionistëve me eksperiencë të madhe në fushat e tyre, do të jetë vërtet një eksperiencë e papërsëritshme. Unë u përzgjodha pas një procesi konkurrimi dhe seleksionimi.
A ka aktualisht studentë shqiptarë në këtë qendër?
Momentalisht ka 3 pjesëmarrës, dhe një nga emocionet më të mëdha të ditëve të para të punës sime këtu ishte kur në përfundim të sesionit të ceremonisë së hapjes së kursit erdhën më takuan të gëzuar, disi dhe të emocionuar, kur dëgjuan emrat e pedagogëve dhe mësuan që kishte një pedagog shqiptar. Janë studentë vërtet shumë të mirë.
Sa do të vijojë bashkëpunimi juaj me qendrën Marshall?
Kam një kontratë mjaftueshmërisht të gjatë, por natyrisht, gjatë kësaj kohe kam shumë sfida përpara, që kanë të bëjnë me thellimin e edukimit akademik, me njohjen nga afër të shumë problemeve dhe zhvillimeve ndërkombëtare dhe të sigurisë. Për mua është një shkollë e vërtetë.
Aktiviteti juaj kufizohet brenda qendrës Marshall, apo dhe jashtë saj? Merrni pjesë dhe në aktivitete në vende të tjera?
Siç ju përmenda dhe pak me parë, qendra Marshall nuk ofron vetëm studime këtu, por shkon dhe direkt ajo (përmes profesorëve dhe stafit të kualifikuar) në vendet të cilat kanë nevojë për ekspertizën e saj duke adresuar tema aktuale në varësi të vendeve dhe problematikave të secilit vend apo rajon. Në fillim të shtatorit, qendra Marshall organizoi në Tiranë një konferencë të suksesshme për luftën kundër korrupsionit, por ka organizuar edhe të tjera vitet e kaluara. Kjo është pjesë e punës sonë.
Jeni ambientuar në qytetin e Garmishit? Çpërfaqëson sot ky qytet për ju?
Garmishi është një qytet shumë i bukur malor (pak i ftohtë për ne mesdhetarët), por që ofron shumë. Jeta këtu në komunitet është e jashtëzakonshme, stafi i qendrës Marshall është si një familje e madhe, dhe kjo është një nga gjërat që më ka lënë më shumë të surprizuar. Respekti për tjetrin, komunikimi dhe mirëkuptimi janë bazat e punës dhe të bashkëpunimit. Jo më larg se para dy ditësh u festua Halloween, fëmijët u kenaqën, të rriturit edhe më shumë. Për mua, Iglin dhe Darion ishte hera e parë që përjetonim diçka të tillë.
Ju mungon Tirana?
Tiranën e kam afër dhe larg, sapo ndez kompjuterin në mëngjes lidhem me lajmet nga Shqipëria dhe në darkë shkojmë të flemë pasi mbyllim skypen me prindërit. Pastaj nuk është larg Tirana.
(panorama)