E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kur themi rock n’roll, Franz Liszt nuk është me siguri emri që na vjen ndërmend. Por pianisti klasik, lindur para 200 vjetësh, ishte për shumë arsye rock star i parë i të gjitha kohërave.
Franz Liszt, rock star-i i parė nė histori






Në repertorin e skenave më të rëndësishme të botës, gjatë gjithë vitit 2011 do mbizotëronin veprat e Liszt-it. Filloi që më 1 janar, në koncertin tradicional të Vjenës, kur për herë të parë, përveç Straus-it u luajt Mephisto Waltz Liszt. Dhe vazhdon gjatë gjithë vitit si një garë e bukur midis artistëve, midis skenave prestigjioze, konferencash e workshop-esh kudo në botë. Por posteri që më shumë më intrigoi ishte ai që pashë në Berlin, “Liszt, ky rock star!”. Fillimisht e vlerësova si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e publikut të moshës së re, por dalëngadalë e kuptova pse Liszt me të drejtë është quajtur rock star.

Në mesin e shek XIX, Franz Liszt, pianisti dhe kompozitori i madh hungarez po tërhiqte vëmendjen e publikut, si në sallat e koncerteve ashtu dhe në sallonet mondane, me performancat e tij virtuoze. Flitej për zonja që pothuajse e sulmonin atë, që hidhnin shallet dhe dorezat e mëndafshta në skenë dhe që mbledhin bishtat e cigareve që ai ka pirë për t’i ruajtur si relike, lot që rridhnin, kacafytje afër telave të këputur të pianos. Europa nuk kishte parë një gjë të tillë më parë, ishte një fenomen që poeti i madh gjerman, Heinrich Heine e quajti "Lisztomania".

Njerëzit ishin të mahnitur nga Liszt, jo vetëm sepse ai ishte vërtet shumë i zoti në piano, por dhe se ai revolucionarizoi artin e të performuarit. Liszt kishte një personalitet shumë dinamik. Ai i bënte njerëzit për vete, jo në mënyrë sensuale, por dramatike. Ai kishte aftësinë që kanë liderët e mëdhenj, kishte aftësinë të bënte për vete audiencën.

Përpara Franz Liszt-it, askush s’e mendonte që një pianist i vetëm të tërhiqte vëmendjen e një salle të madhe koncertale. Në vitet 1830 Liszt ndërmerr një tur nëpër Europë për të vënë në jetë idetë e tij të reja për koncertizmin pianistik. Një nga vendimet e rëndësishme ishte p.sh., për të mos përdorur asnjëherë më partet në një koncert recital për piano.

Deri në atë kohë gati paragjykohej dikush që luante përmendsh në publik. Chopin e konsideronte pothuajse arrogante që studentët e tij të luanin pa nota, a thua se pjesën e kishin shkruar vetë...! Ndërsa Liszti mendonte që të luash në piano, sidomos gjithë mbrëmjen para një audience, ishte një event teatral, dhe nuk kërkonte vetëm angazhim muzikor, por dhe fizik në skenë.

Ai e vendosi pianon në skenë në profil, në mënyrë që audienca të shikonte ekspresivitetin në fytyrën e tij. Ai lëvizte bukur kokën në kohën që interpretonte, flokët e gjatë deri në supe vallëzonin, dhe pothuajse stërkalat e djersës nga lëvizjet e vrullshme arrinin gjer në publik. Ai ishte i pari interpretues që merrte me vete nëpër sallat e ndryshme të koncerteve pianon e tij. Çdo gjë që lidhet me recitalin modern pianistik që njohim tani, që nga Richter, Glen Gould, e deri te Lang Lang është bërë për herë të parë nga Liszti. Bile, dhe emri “recital” është krijuar nga ai!

Sipas bashkëkohësve, Liszt ishte “Zoti” i pianos! Ai kishte një teknikë të mrekullueshme, arrinte të përdorte çdo tast të pianos, nga i pari te i fundit, të krijonte një mënyrë virtuoze të të luajturit në piano që nuk ishte parë dhe ku pianoja tingëllonte si një orkestër.

Ishte aq i fuqishëm interpretimi i tij, sa mbas një recitali pianoja pothuajse jepte shpirt, kështu prodhuesit e pianos filluan të punojnë për të ndërtuar një piano që mund të përballonte “uraganin” Liszt. Dhe, kështu u krijua pianoja moderne që kemi sot.

Por dhe pse arriti të kishte në jetën e tij gjithçka që muzikantët e tjerë ëndërronin, ai nuk kënaqej kollaj. Natyrisht, flasim për një njeri kompleks që ishte gjithnjë në kërkim, që kishte konsideruar të bëhej prift në adoleshencën e tij, dhe që nuk mund thjesht të kënaqej me suksesin që kishte para konteshave. Gjithashtu, ishte koha kur arriti të kuptojë se sa sipërfaqësore ishte një pjesë e mirë e publikut. Kështu, pas një farë kohe vendosi të tërhiqet nga jeta skenike si solist.

Pas koncertit recital e shohim të jetë i interesuar nga dirigjimi, duke arritur të riformulojë dhe këtë rol. Ai filloi të punojë në mënyrë individuale me muzikantët e orkestrës për të arritur tingëllimin që kërkonte.

Para Liszt-it, dirigjenti ishte dikush që lehtësonte ekzekutimin, që i bënte njerëzit të fillonin në të njëjtën kohë dhe t’i tregonte hyrjet secilit. Liszt është dirigjenti i parë modern, që i jep formën që do muzikës dhe që e bën orkestrën të luajë si një instrument i vetëm.

Liszt është krijuesi i ‘Poemës Simfonike’, veprën njëkohëshe me program që do ishte kaq e suksesshme dhe do frymëzonte dhe kompozitorët e tjerë si Dvorzhak, Smetana, Shtraus etj. Ishte i pari që integroi në një kohë formën muzikore, më parë çdo vepër e plotë duhet të ishte 3 ose 4-kohëshe. Liszt krijoi jo vetëm poemën simfonike njëkohëshe, por dhe koncertin instrumental njëkohësh, sonatën njëkohëshe. Koha tregoi që ky do ishte shtegu i ri më interesant për kompozitorët e mëvonshëm, ndryshe nga bashkëkohësi i tij, Brahms, që mbajti linjën klasike të trashëguar nga Haydn, Mozart e Beethoven.

Liszti shkroi rreth 1400 vepra gjatë jetës së tij. Pati një ndikim shumë të madh te kompozitorët e mëvonshëm, duke filluar nga Wagneri, dhëndri i tij, i cili mori nga Liszt idenë e famshme të lajtmotivit e deri natyrisht, te kompozitorët hungarezë, Bela Bartok dhe Zoltan Kodaly.

Impakti kulturor që pati ‘lisztomania’ vazhdon sot në forma të tjera. Në 1975, Ken Russell është regjisor i filmit të Hollywood-it, ‘Lisztomania’, ku Roger Daltrey luan Franz Lisztin. Vetëm para disa vjetësh, grupi francez i rock-ut ‘Phoenix’, publikoi këngën “Lisztomania”.

“Unë e dua pianon klasike, kështu që dua dhe Liszt-in”, - thotë Thomas Mars, këngëtari i grupit ‘Phoenix’. Grupi, madje, regjistroi dhe videon në shtëpinë e Liszt-it, në Bayreuth, Gjermani.

Në 22 tetor 2011, pikërisht ditën e 200-vjetorit të lindjes së Liszt-it në të gjithë botën luhet Liszt. Dhe në Tiranë, në sallën e Teatrit të Operës, pianistja Rudina Ciko luajti sonatën e Liszt-it. Ndërsa Orkestra e Philadelphias pati një mysafir special, atë që më shumë se çdo muzikant klasik është sot afër famës së rock star-it, pianistin me famë botërore, Lang Lang. Natyrisht që ai do luante Liszt, albumi i tij i fundit quhet “Liszt: My Piano Hero”.

Në intervistën që dha para shfaqjes, Lang Lang thotë, e kam dëgjuar Liszt-in për herë të parë kur isha 2 vjeç. Po shikoja Tom and Jerry, dhe ata luanin në piano ‘Rapsodinë Hungareze nr.2’, të Liszt-it, dhe kështu u dashurova me pianon dhe me Liszt-in.

Duke qenë pianiste, ishte pothuajse e detyrueshme për mua të luaja Liszt këtë vit. Në vështirësinë e të zgjedhurit, sepse çdonjëra vepër është intriguese, vendosa të luaj një vepër që nuk është ekzekutuar më parë këtu, por që dhe në skenat e mëdha botërore luhet rrallë. Dhe jo vetëm sepse paraqet vështirësi të mëdha teknike e interpreative, por dhe se ka një atmosferë të zymtë, gati-gati diabolike. Është ‘Totentanz’ (Dance macabre), që në shqip do ishte ‘Vallja e Vdekjes’. Do ta luaj më 4 nëntor, ora 19.00, me orkestrën e Radiotelevizionit, dirigjente Deniola Kuraja.

Janë një radhë variacionesh me temën të marrë nga Korali Gregorian, korali mesjetar kishtar, dhe pikërisht tema “Dies Irae”, ‘Dita e gjykimit’. Është shkruar në një periudhë kur Liszt intrigohej gjithnjë e më shumë nga binomi jeta dhe vdekja. Nuk e di pse më vijnë ndër mend prapë simbolet e rock star-ëve të sotëm.

Kjo temë e zymtë dhe e frikshme, siç i takon të jetë me këtë emër, përpunohet në 6 variacione dhe në të gjitha ngjyrat e mundshme. Çdo variacion zbulon karaktere të ndryshme, njeriun e sinqertë, murgun që lutet, ushtarin e guximshëm, vajzën e re. Të gjithë përpara fatit të përbashkët, gjykimit final.

Për miqtë që më njohin si një optimiste të pandreqshme, ishte pak e çuditshme zgjedhja ime. Por unë nuk dua ta shikoj ‘Totentanz’-in si një vepër të zymtë. Për mua është një muzikë e mrekullueshme, me një tingëllim të jashtëzakonshëm dhe mesazhi që për mua Liszt na përçon është që jeta duhet vlerësuar, çdo ditë e saj është e çmuar, duhet jetuar dhe vlerësuar si një dhuratë. Sepse, siç thotë një fjalë e urtë gjermane, të gjithë do të vdesin një ditë. Ndoshta... edhe unë.

Dhe pse shpesh është e vështirë, është shumë bukur të luash Liszt. Muzika të rrëmben, melodia është e bukur, emocioni shkon shpejt te spektatori dhe efekti është i menjëhershëm. Është koha kur para publikut të Tiranës të luhet muzika e Liszt-it, rock star-it të parë.

Publikuar: 05.11.2011 | 01:21
Lexuar: 464 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime