Që në fëmijëri i është dashur të mësohet me dhembjen. Aung San, babai i saj që ishte edhe Babai i Kombit birman, u vra në vitin 1947, menjëherë pas fitores kundër anglezëve dhe japonezëve, në periudhën kur vogëlushja Suu Kyi sapo kishte mbushur dy vjeçe.

Që në fëmijëri i është dashur të mësohet me dhembjen. Aung San, babai i saj që ishte edhe Babai i Kombit birman, u vra në vitin 1947, menjëherë pas fitores kundër anglezëve dhe japonezëve, në periudhën kur vogëlushja Suu Kyi sapo kishte mbushur dy vjeçe. Ishte e ëma Khin Kyi, një grua me bukuri përrallore, e cila me kalimin e kohës, i dha së bashku me pjesën e fundit të emrit, vetëdijen e brishtësisë së asaj ëndrre të papërmbushur, pavarësisht dëbimit të pushtuesit të fundit. Kur në vitin 1988 sëmundja e së ëmës e risolli në atdheun e saj Rangoon, u trondit nga vala e një revolte studentore kundër regjimit të lindur nga sakrifica e njeriut që e solli në jetë. Suu Kyi e kuptoi se duhet të kishte ndjekur të njëjtën rrugë, jo më kundër armiqve të jashtëm të popullit të saj, por kundër atyre të brendshëm. Në ndryshim nga e zakonshmja, Aung San zgjodhi që ti luftonte pa armë, duke u frymëzuar nga Buda dhe Gandi. Pikërisht nga ky rikthim në atdhe u bazua edhe filmi që regjisori Luc Besson i kushtoi asaj (filmi titullohet The Lady) dhe që hapi Festivalin e Romës.
Dhuntinë e paqes Suu Kyi e kishte trashëguar nga e ëma. Si ambasadore e qeverisë birmane, në vitin 1960 u transferua në Indi së bashku me 15-vjeçaren Suu Kyi, e cila sapo kishte përfunduar studimet në një shkollë të krishterë të Rangoon-it. Fituesja e ardhshme e çmimit Nobel për Paqen studioi në disa kolegje të ndryshme para se të frekuentonte Fakultetin e Shkencave Politike në Delhi. E transferuar në Oksford, interesi i saj u rrit edhe më shumë për degën e ekonomisë dhe filozofisë, ndërkohë që gjithnjë ishte e vetëdijshme se një ditë, ndoshta vendi do të kishte nevojë për të dhe njohjet e saj; madje edhe kur shkoi në Nju Jork për të punuar në OKB, pasi u dashurua me një student të ri anglez, që quhej Michael Aris. U martua me të në vitin 1972 dhe së bashku u nisën për në mbretërinë himalajane të Butanit. Një vit më vonë në Londër, lindi djali i parë Alexander, ndërsa në vitin 1977, në Oksford, lindi djali i vogël Kim.
Në Angli, jeta rridhte larg tensioneve që ndërkohë po shkatërronin Rangoon-in, me studentët që vdisnin rrugëve të vrarë nga ushtria e diktatorit Ne Win, ish-shok i të atit në luftën për rezistencë. Ishte sëmundja e së ëmës - si një thirrje e fatit që e vuri përballë zgjedhjes, e cila do ti ndryshonte pjesën tjetër të jetës. Në shtëpinë e saj pranë liqenit Inya, Aung San kuptoi se momenti të cilit i ishte trembur aq shumë, nëse jo tani, tashmë kishte ardhur. Duhej ti bashkohej bashkëkombësve të saj, pa u kthyer më pas. Vitet e kaluara në Angli tashmë mbeten vetëm një kujtim në Butanin e largët, gjatë udhëtimeve në kërkim të historisë, të besimit dhe artit budist të Azisë së bashku me të shoqin, e po ashtu edhe periudhat e magjishme të rritjes së fëmijëve.
Michael Aris ishte një burrë i ri, bukurosh, njohës shumë i mirë i besimeve të lashta të Tibetit. Ishte martuar me të pavarësisht pengut, i cili që në fillim peshonte në lidhjen e tyre. Unë të dua, por nëse populli im më thërret, ta dish që është detyra ime ti shërbej, i kishte thënë Aung San para se ta pranonte si bashkëshort. Çuditërisht djali i tyre lindi a thua se ky moment nuk do të kishte ardhur kurrë. Aris shkruante në parathënien e një prej librave më të famshëm të gruas së tij, Të lirë nga frika, se vitet e martesës së tyre dhe lindjes së fëmijëve, kishin qenë më të bukurit që një çift i dashuruar mund të dëshironte. Për këtë arsye nuk e harroi kurrë fytyrën e Suu Kyi kur pas një telefonate nga Rangoon-i, bashkëshortja e tij u kthye në heshtje nga dollapi i rrobave dhe mori valixhen që të bëhej gati. E ëma po vdiste dhe vendi ishte në prag të një revolte. Ky ishte fundi i qetësisë dhe fillimi i një kalvari të gjatë e pa mbarim. Që atëherë Michael dhe fëmijët e panë shumë rrallë, vetëm kur regjimi shpresonte që ardhja e tyre ose mungesa e gjatë mund ta bindnin të linte Birmaninë dhe të shkonte pranë tyre. Mirëpo as edhe një herë The Lady, siç e quajnë të gjithë tani, nuk u lëkund nga kjo çështje sentimentale. Madje as kur burri i saj i dashur po vdiste nga kanceri. Ajo e dinte mirë se po të shkonte në Angli nuk do ta lejonin kurrë që të rifutej në atë shtet. Aung San u kënaq duke shfletuar në mendje albumin e fotografive të një lumturie të humbur dhe intime, si ajo e publikuar në këto dy faqe. E dinim se nuk do të kthehej më kurrë mes nesh, shkroi Aris, por nuk mund ta shkelja premtimin, duhej të respektoja paktin tonë. Asgjë në botë, madje as dashuria jonë, nuk do ta ndalonte. Nga 1988 deri në 1999-n, viti i vdekjes së Aris, dhe kur Aung San u bë simboli i një kombi të persekutuar, e pa familjen vetëm pesë herë. Takimi i fundit ishte për Krishtlindjet e vitit 1995. Fëmijëve nuk u mjaftonin kurrë letrat dhe telefonatat e rralla që kontrolloheshin nga funksionarët e regjimit, për të shtuar edhe më shumë dhimbjen dhe mallin e largësisë. Në shtëpinë e saj burg dhe në qelitë e burgut të Insein-it, Suu Kyi po e paguante shumë shtrenjtë këtë situatë, me vdekjen e shumë miqve dhe shokëve të luftës.
Sakrifica e dashurive të afërta dhe të largëta, dalja në shesh përkrah studentëve, masakrat dhe arrestimet, ishin çmimi që duhej të paguante për të fituar nga populli zgjedhjet e vitit 1990, kundër një regjimi që ishte bërë tepër i besueshëm për pushtetin e tij. Por shumë shpejt gjenerali Ne Win, përgjegjës për atë gabim vlerësimi, u shkatërrua nga burra të tjerë të juntës që ishin rritur në shkollën e tij mizore. Ky ishte fillimi i makthit më të gjatë nga ditët e lirisë kombëtare dhe kur Suu Kyi u arrestua. The Lady u izolua nga bota, më shumë se 15 nga 21 vitet e ardhshme. Qindra aktivistë që u mbijetuan persekutimeve, torturave dhe masakrave morën rrugën e azilit politik. Shumë prej ish-shokëve të saj nuk u kthyen më pas, por këmbëngulja dhe vendosmëria e lideres së tyre, për të qëndruar aty, e pamposhtur, duke duruar burgosjen dhe angaritë e kundërshtarëve, i vlejtën mirënjohje të brendshme dhe ndërkombëtare, si çmimi Nobel për Paqen në vitin 1991, i marrë në emër të fëmijëve të saj. Di që, nëse nëna ime do të ishte këtu, do t'ju falënderonte, por edhe do t'ju kërkonte të luteshit, që kundërshtarët dhe të shtypurit të hidhnin armët e tyre dhe t'i bashkoheshin ndërtimit të një kombi të themeluar mbi njerëzimin në një shpirt paqeje, tha Alexander në fjalimin e pranimit të çmimit në Oslo.
U deshën dy dekada që ato fjalë të fillonin të kishin një kuptim në historinë e kohëve të fundit të Birmanisë. Jemi në fillim të një procesi ndryshimi, ka thënë së fundi Aung San Suu Kyi, pas ftesës për darkë që ka marrë nga Presidenti i ri Thein Sein, pothuajse një vit nga lirimi i saj. Më në fund liderja e opozitës mundi të përdorte fjalët si optimizëm, pavarësisht 1800 disidentëve politikë ende të mbyllur nëpër qelitë e regjimit, dhe dyshimit që ish-gjenerali në drejtimin e qeverisë së re civile po kërkon thjesht zgjerim të sanksioneve ndërkombëtare dhe karrigen e radhës të shoqatës së rëndësishme të vendeve lindore perëndimore Asean.
Gjenerali Than Shwe lejoi një votim jo demokratik në nëntor të 2010-s, ndërkohë që vetë qëndronte në heshtje në prapaskenë, pa ndërhyrë me hapjet e para të turpshme të njerëzve që ai vetë drejton. Është e qartë se duhet ende shumë kohë drejt demokracisë.
Ngjarjet duket sikur i japin të drejtë zgjedhjeve të gruas, sakrificave që i është dashur të bëjë Suu Kyi dhe ato që kanë bërë shumë familje të shokëve të saj të luftës. Kur djali i dytë Kim shkoi për ta takuar në Rangoon, para një viti, kishte bërë tatuazh në trup simbolin e lidhjes kombëtare për demokraci. Një shenjë e dukshme e respektit për zgjedhjen e së ëmës. Kim e di se fotografitë e venitura të një lumturie familjare të humbur janë pjesë e historisë, faqe të një albumi që familja e tij ndan me 54 milionë birmanë të tjerë.