E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sot, Yoko Ono është 78 vjeçe, por nga shikimi që fsheh pas syzeve të saj të errëta duket se është një grua e fortë, e cila pretendon gjithçka nga jeta. Këto 30 vitet në jetën e saj kanë rrjedhur pa John-in, por Yoko është mësuar të jetojë mirë, sepse për të vetmia nuk është edhe aq e keqe.
Yoko Ono: “Si e kuptoj tė qenėt grua”



Sot, Yoko Ono është 78 vjeçe, por nga shikimi që fsheh pas syzeve të saj të errëta duket se është një grua e fortë, e cila pretendon gjithçka nga jeta. Këto 30 vitet në jetën e saj kanë rrjedhur pa John-in, por Yoko është mësuar të jetojë mirë, sepse për të vetmia nuk është edhe aq e keqe.

Ndër kujtimet më të bukura është martesa e saj me ish-yllin e “Beatles”, John Lenon, më 20 mars të vitit 1969, ndërsa ndër kujtimet më të hidhura është mbrëmja e 8 dhjetorit të vitit 1980. Atë ditë “miti” u vra në Nju Jork nga Mark Chapman, një i çmendur që i kishte kërkuar t’i hidhte një autograf mbi diskun e tij të fundit të sapopublikuar, “Double Fantasy”.

Pasi e priti për rreth 6 orë, kur e pa që po afrohej bashkë me Yoko Ono-n, nga e cila nuk ndahej për asnjë çast, e qëllon pesë herë pas shpine, duke i marrë kështu jetën një prej yjeve më të mëdhenj të muzikë së të gjitha kohërave.

Gruaja më e dashur për John Lenon-in, që ishte afër tij në momentin e vdekjes, artistja e avangardës konceptuale, themeluesja e “Fluxus”, aktivistja e të drejtave të njeriut, për shumë edhe ajo që ndau “Beatles”, duket më tepër si një turiste e thjeshtë japoneze, sesa një artiste me botë të madhe. “Nuk e kam prezantuar kurrë veten si zonja Lenon.

Unë kam qenë dhe mbetem një artiste, thotë ajo. Ne gratë nuk vlerësohemi kurrë aq sa duhet nga meshkujt. Prandaj, shpesh nuk i bëjmë dot të lumtur. Për aq kohë sa të ketë trishtim që rrjedh nga mosvlerësimi, nuk mund të ketë lumturi për ne”, tregon artistja japoneze. Në fund, nuk harron të thotë se sekreti i jetës së saj të shëndetshme qëndron te dashuria, paqja dhe... limoni.

Ju ndiheni vetëm?

Po, jam vetëm, por nuk kam asgjë kundër vetmisë. Nuk mendoj se në fund të fundit është diçka negative. Ka shumë gjëra që mund t’i bësh e vetme, ndërsa në çift jo. Pastaj, të jesh çift shpesh mund të jetë e tmerrshme, mund të mos funksionojnë gjërat, sepse marrëdhënia të merr shumë kohë. Për më tepër, shpesh është edhe një harxhim i kotë energjie. Ndërkaq, jo gjithmonë fëmijët janë vetëm burim gëzimi, jo rrallë janë edhe shkaktarë mosmarrëveshjesh dhe ndarjesh. Nuk mendoj se mëmësia është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e një gruaje.

Po ju vetë çfarë nëne keni qenë?

Një nënë e mirë. Sigurisht jo në mënyrën tradicionale, por djali im, Sean, 35 vjeç (që e pati nga lidhja me Lenon), gjithmonë më ka vlerësuar. Ndoshta sepse nuk ka pasur tjetër, por gjithmonë më ka thënë se ndihej i lumtur në atë që unë i jepja. Këtë gjë ma ka shkruar edhe pak kohë më parë, duke më thënë: “Faleminderit nënë, që ndoqe karrierën tënde dhe më bëre të kuptoja se sa e rëndësishme ishte për ty”!

Shumë bujar, në përgjithësi fëmijët nuk janë kështu?

Fëmijët janë të përqendruar te vetja. Të thërrasin vetëm atëherë kur kanë nevojë. Edhe mua kështu më ndodh. Kur Sean më kërkon diçka, i përgjigjem dhe e pyes: “I dashur, për çfarë ke nevojë sot”? Isha shumë e lumtur kur Sean më propozoi të incizonim së bashku diskun tim të ri. Më parë si nënë, sesa si artiste, ishte e rëndësishme ideja që do të kaloja më shumë kohë me të.

Çfarë raporti është ai mes nënës dhe fëmijës?

Fëmija e do gjithmonë nënën, por nuk e kupton kurrë deri në fund. Meshkujt nuk i kuptojnë gratë. Është e njëjta lidhje që djali gjatë gjithë jetës së tij kërkon ta çojë përpara me gratë e tjera që do të takojë. Përsëritet skema e raportit mes burrit dhe gruas, mes zhgënjimeve dhe pakuptueshmërisë.

Burrat nuk i kuptojnë gratë?

Burrat kanë krijuar një shoqëri për veten e tyre, ku gratë përdoren për qëllimet e meshkujve. Gratë janë të detyruara ta fshehin pjesën e tyre të vërtetë nën “tapet”. E kështu, ne nuk jemi të lumtura dhe nuk arrijmë t’i bëjmë të lumtur as burrat. Gjëja më dramatike për gratë nuk është fakti që rrogat e tyre janë më të ulëta se ato të meshkujve, dhe as që shumë rrallë trajtohen si të barabarta, por mbi të gjitha është vetmia e asaj që nuk e kuptojnë. Pastaj, që kur në këtë botë ekziston trishtimi, njerëzit, dhe sidomos gratë, nuk mund të jenë të lumtur.

Një nga punimet tuaja më të çuditshme është trupi nudo prej mermeri i një femre që i copëzuar futej në disa kuti prej druri. Çfarë donit të thoshit me këtë?

Që kjo e jona është një shoqëri e ndërtuar me logjikën mashkullore, ku është harruar shumë shpejt se gjëja më rëndësishme është dashuria. Njerëzit mendojnë se dashuria është diçka e mërzitshme. Përkundrazi, gratë e dinë që pushteti qëndron te dashuria dhe mendojnë se falë saj bota mund të bëhet një vend më i mirë për të jetuar.

Kujtimet për John janë akoma të dhimbshme?

Kujtimet janë vetëm hija e asaj që ka ndodhur, por kurrë realiteti i asaj që ka ndodhur. Hijet të ngjallin frikë, nuk janë kurrë të qarta, por gjithmonë të errëta dhe të frikshme. Burri im, John, vdiq shumë i ri për të kuptuar atë që do të ndodhte. Unë mendoj se kam akoma shumë kohë përpara për të bërë atë që dua. Edhe pse jam vetëm.

Po mesazhi për paqe në botë?

Ka shumë mënyra për ta bërë. Çdonjëri prej nesh mund të kontribuojë në këtë mision, me qëllim që bota të ketë më shumë paqe. Imagjinoni sikur të krijoni realitetin dhe kur e bëni vazhdimisht, krijoni edhe paqen. Nëse të gjithë do ta bënim çdo ditë këtë, atëherë bota do të ishte vërtet më paqësore. Njerëzit kanë më shumë fuqi nga ç’mund të besojnë. Pjesa më e madhe e trupit tonë përbëhet nga uji. Ne jemi ujëra. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, atëherë kjo ndodh sepse uji ynë nuk është i pastër. Secili prej nesh mund ta pastrojë hapësirën e tij, vetveten, ujin e tij dhe si pasojë kjo do të sillte ujë të pastër, ide të qarta e një botë të kulluar. Është shumë e thjeshtë, mjafton që të gjithë të fillojmë të mendojmë në mënyrë paqësore. Madje edhe të ushqehemi në mënyrë të tillë.

Publikuar: 07.11.2011 | 13:12
Lexuar: 2729 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime