Në katër të mëngjesit, bie telefoni: Alo...? Jam Bruce Springsteen....
Po, është pikërisht ai. Zëri i ashpër dhe theksi i pangatërrueshëm i artistit nga New Jersey nuk mund të ngatërrohen. Boss-i, ashtu siç e njohin të gjithë, merr në telefon nga Vjena gjatë një pushimi të shkurtër. Pak më vonë i duhet të ngjitet në skenë me E Street Band. Por në fillim artisti, që me Born to Run ka rishpikur artin e arratisjes, rokeri që ka ndriçuar me këngët e tij anën e errët të ëndrrave amerikane, pranon të tregojë disa të fshehta...
Prej disa vitesh ju zhvilloni vetëm ture pa u ndalur. Dëshironi të thyeni rekordin e Never Ending Tour të Bob Dilan-it?
E vërteta është se kam bërë disa albume jo shumë larg nga njëri- tjetri në bashkëpunim me E Street Band. Një fakt i pazakontë për mua. Kësaj here më është dashur të krijoj shumë këngë të reja për grupin. Gjatë turneut të fundit, kemi regjistruar gjithçka shpejt e shpejt dhe kështu u bë edhe disku i ri, sa hap e mbyll sytë. Për këtë arsye, nuk kemi ndaluar asnjë çast. Gjithmonë kemi pasur gjëra të reja për të treguar.
Për sa u përket koncerteve që mbahen mend gjatë. E mbani mend se ku ishit ditën e Woodstock, 42 vjet më parë?
Po, e mbaj mend mirë. Isha 20 vjeç dhe po luaja në një lokal studentor në Asbury Park për 25 dollarë nata. Nuk kam qenë kurrë një hipi, edhe pse e kisha një pamje të tillë. Kur mësova se mijëra ata të rinj do të shkonin nga të gjitha anët e Amerikës për ta ndjekur, mendova me vete: paska shumë njerëz. Kështu vendosa të qëndroja në shtëpi.
E dini se në shumë këngë tuaja flitet për njerëzit e varfër, klandestinët dhe problemet...
Përmes këngëve të mia jam përpjekur gjithmonë të tregoj botën ku njerëzit e përballojnë realitetin në të cilin jetojnë. Një realitet i largët për idealet dhe realizimin e ëndrrave. Këto janë kohë shumë të vështira. Kam hasur në periudha të tjera recesioni, kur kam shkruar The river në fundin e viteve 70, ku në SHBA, miliona njerëz ishin të papunë. Shumë këngë të albumit merrnin shtysë nga ajo situatë dramatike. Por kriza aktuale duket më e rëndë. Në SHBA flitet për një tregues papunësie shumë më të lartë se sa ishte parashikuar. Ende nuk po shihet ndonjë dritë në fund të tunelit.
Në çmënyrë një koncert roku mund ti marrë parasysh këta faktorë?
Një performues duhet të jetë i aftë ti japë publikut frymëzim dhe argëtim. Në të njëjtën kohë është thelbësore që një pjesë e show-t të ripasqyrojë atë që ndodh në jetën e njerëzve. Jemi të ndërgjegjshëm që duhet të përçojmë atë çka ndodh. Heronjtë e mi, si Woody Guthrie, Bob Dylan dhe Pete Seeger e kanë bërë para meje. Edhe unë ndiej të njëjtën përgjegjësi.
Ju mbushni 62 vjeç pas pak ditësh. Gjysmën e tyre e keni kaluar duke luajtur në një grup roku. Besoni ende në pushtetin e tij absolut?
Mendoj se roku ka qenë një lëvizje e madhe laike që ka lindur në rrugë. Jo rastësisht është zhvilluar në vitet 50 dhe 60, kur kisha dhe besimi nisën të humbisnin prestigjin. Pastaj shpërtheu në vitet 70 me kundërkulturën dhe revolucionin seksual. Por çuditërisht roku shpreh edhe një dëshirë të fortë transcendence shpirtërore. Por nëse e ka pushtetin për të shpëtuar dikë, këtë nuk e di. Sigurisht që mua më ka shpëtuar. Më ka dhënë mundësinë që të nxjerr energjitë e mia, inatin, ëndrrat dhe frustrimet.
Po besimi?
Besimin ma kanë dhënë kënga si Twist and Shout, apo Louie Louie. Roku është një vend ku njerëzit nuk mund të qëndrojnë bashkë, të ndajnë pasionet, ëndrrat, zemërimin dhe në të njëjtën kohë të vallëzojnë e argëtohen. Kjo ndodh kur në skenë është një grup i mirë që performon. E Street Band është më e mira në botë. Janë njerëz që e duan këtë punë. Kur të vdes do të ngushëllohem me idenë që kam qenë artist i madh.