Kryeministri Berisha falënderoi z. Reka dhe stafin akademik të universitetit për pritjen e përzemërt e vëllazërore dhe shfrytëzoi rastin për të shprehur nderimin e tij më të thellë për të gjithë ata që themeluan në Tetovë, 16 vite më parë, Universitetin e Tetovës, duke e shndërruar këtë universitet në një tempull të vërtetë drite dhe lirie për shqiptarët në Tetovë dhe kudo në botë.
Në vijim të vizitës së tij në Tetovë, Kryeministri Berisha u ndal në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u prit nga Rektori i këtij universiteti Agron Reka, drejtues të tjerë të tij, si dhe pedagogë e studentë.
Kryeministri Berisha falënderoi z. Reka dhe stafin akademik të universitetit për pritjen e përzemërt e vëllazërore dhe shfrytëzoi rastin për të shprehur nderimin e tij më të thellë për të gjithë ata që themeluan në Tetovë, 16 vite më parë, Universitetin e Tetovës, duke e shndërruar këtë universitet në një tempull të vërtetë drite dhe lirie për shqiptarët në Tetovë dhe kudo në botë.
Kryeministri theksoi se 15 vitet e fundit, ka ndjekur në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme veprimtarinë e këtij universiteti, ka ndjekur me admirim të madh pedagogët dhe studentët e tij, edhe kur mësonin në auditorët e tij, por edhe kur mbushën malet e Sharrit për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Kryeministri siguroi se universitetet shqiptare në Tiranë dhe kudo, do të bashkëpunojnë me Universitetin e Tetovës dhe do të bëjnë gjithçka që ky universitet, së bashku me Universitetin e Evropës Juglindore, të çojnë më tej dhe të konsolidojnë vlerat e lirisë, të tolerancës, mirëkuptimit dhe vizionin evropian të shqiptarëve.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës z. Reka e falënderoi Kryeministrin për këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke u shprehur se prezenca e Kryeministrit shqiptar përmes kësaj vizite, është një nder i madh që i bëhet Universitetit. Stafi akademik e studentët e Universitetit të Tetovës ndihen më krenarë se kurrë, sepse është hera e parë që në Universitetin tonë vjen për vizitë Kryeministri i shtetit amë, njeriu që më shumë se kushdo kontribuon për arsimin, shkencën dhe kulturën kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.