Aludime, të cilat tashmë do të sqarohen me vendim gjykate, pasi aktorja e karrierës, njëkohësisht dhe deputete e PD-së, ka bërë padi penale ndaj Myftarajt.
Aktorja rrefen historine e njohjes me shkrimtarin, pas akuzave te Myftarajt per lidhje intime.
Me familjen Kadare kam miqësi prej 30 vitesh, Helena mbante në krahë vajzën time.
Me familjen Kadare kam një miqësi prej 30 vitesh. Kemi pasur hyrje-dalje familjare të ngushta dhe fëmijët tanë kanë lozur bashkë
. Teksa përsërit disa herë këtë fjali, Rajmonda Bulku duket se ende nuk e ka marrë veten nga lajmi i disa ditëve më parë, ku gazetari dhe kolumnisti Kastriot Myftaraj aludon se ajo është njëra prej protagonisteve në historitë e dashurisë së Ismail Kadaresë në librin autobiografik Kohë e pamjaftueshme të bashkëshortes së tij, Helena. Aludime, të cilat tashmë do të sqarohen me vendim gjykate, pasi aktorja e karrierës, njëkohësisht dhe deputete e PD-së, ka bërë padi penale ndaj Myftarajt. E, deri atëherë, kurioziteti është i madh, por që mund të zvogëlohet menjëherë pas kësaj interviste dhënë prej saj ekskluzivisht për gazetën Panorama
Një gazetë e përditshme në Tiranë ka botuar një shkrim me autor Kastriot Myftaraj, ku aludohet për një lidhje dashurie mes jush dhe shkrimtarit Ismail Kadare. A është e vërtetë?
Ju më pyesni, por mua më vjen zor edhe nga pyetja. Është abuzim që nuk njeh kufij, por që unë do tia tregoj shumë shpejt kufijtë nëpërmjet ligjit. Me familjen Kadare unë kam një miqësi prej 30 vitesh, kemi pasur hyrje-dalje familjare të ngushta dhe fëmijët tanë kanë lozur bashkë. Mbase nuk do të isha indinjuar kaq shumë, nuk do të isha fyer e revoltuar kaq thellë në shpirt sikur të bëhej fjalë për ndonjë thashethem tjetër, por prekjen e një miqësie të tillë nuk e toleroj dot.
Kur e keni njohur për herë të parë Kadarenë?
Nuk e mbaj mend saktë, por ka qenë viti 1978. Mbase edhe 1977, nuk më kujtohet mirë, por di që ka qenë pas xhirimit të filmit të katërt Emblema e dikurshme.
Po Helenën?
Thuajse njëkohësisht, pasi kisha luajtur në filmin me skenar të saj Nusja dhe shtetrrethimi. Megjithatë, në ato kohë sapo ishim njohur dhe me kalimin e viteve miqësia jonë erdhi dhe u forcua gjithnjë e më shumë. Tani që po flasim për Helenën, më kujtohet një episod i thjeshtë, por që nënkupton shumë për miqësinë tonë. Ime bijë, Hega, i hidhej vazhdimisht në qafë Helenës dhe kur kjo e pyeste se kush je ti?, vajza i përgjigjej: Jam Hëna. Pra, fëmijët e mi janë rritur në atë familje.
Në shkrimin e së përditshmes aludohet se lidhja ka nisur në fillim të viteve 70
Sërish me këtë? A e kuptoni se çfarë thoni?! Jam shokuar, jam shokuar, jam shokuar se deri ku shkon perversiteti mendor i disa të ashtuquajturve gazetarë apo analistë. Gjithnjë kam qenë tolerante ndaj medias, por këtë nuk kam për ta falur kurrë. Jua sqarova të vërtetën dhe çdo pyetje e juaja që i kthehet sërish kësaj teme mua më duket fyerje.
Kështu është shkruar tek e përditshmja
Përmendja emrin asaj gazete që ka shpifur, quhet gazeta Sot. Se edhe atë e kam hedhur në gjyq bashkë me Myftarajn. Por shpifjet e tij janë aq të ulëta, aq tendencioze, aq dashakeqe, sa bie në gropë me këmbët e veta. Ai fantazon, krijon halucinacione për një kohë kur unë kam qenë fëmijë. Miqësia familjare me Kadarenë ka nisur në fund të viteve 70, është forcuar pas viteve 80 dhe asgjë nga ato çfarë shkruan Myftaraj, duket qartë nën dritë të diellit që është një blof dashakeqës. Duket që nuk e di aspak jetën time. Bëjini vetë llogaritë, kam qenë fëmijë, minorene për kohën kur baltos Myftaraj dhe as e kam njohur fare Kadarenë për kohën kur ai del në konkluzione me çmenditë e tij.
Na del dhe një Kadare i akuzuar për pedofili atëherë?
Po çjanë këto, se na çmendët
?! Nuk e kam mbledhur akoma veten nga budallallëqet, tani më nxirrni të tjera.
Po fëmijët tuaj si e kanë përballuar gjithë këtë histori?
Fatmirësisht fëmijët e mi janë aq mendjehapur, sa të mos merren me thashetheme. Janë edukuar e rritur në mes intelektualësh e artistësh dhe shpifje të tilla nuk janë brumë për ta. Me një nënë aktore si unë, djali dhe vajza ime nuk marrin për bazë çdo gjë që dëgjojnë. Nuk them dot që nuk ishin të mërzitur, dhe kjo jo për faktin se çfarë kishin lexuar aty, por që më panë mua tejet të prekur.
Po bashkëshorti juaj, Fatos Pashko, si ka reaguar?
Fatosi heshti në fillim dhe e shikoja të menduar, por kur i thashë që do të bëj padi ndaj gazetës dhe Myftarajt, atëherë iu çel fytyra. E kishte pritur këtë dhe e kishte dashur më shumë se sa unë këtë padi.
Pse keni bërë padi penale, dhe jo civile?
Sepse unë nuk kam qëllim në vetvete të shtoj të ardhurat me padinë, as të pasurohem. Zgjodha padinë penale sepse ajo parashikon dëmin që më është shkaktuar mua, jam gjakosur e vrarë në shpirt. A nuk është kjo njësoj me plagosje dhe vrasje trupi?! Për mua, madje, është më tepër kjo që më bëri Myftaraj. Morali dhe psikika janë primare për mua, nuk ka pasuri që ma lehtëson dëmin shpirtëror.
Mendoni se do tju pranohet padi penale për shpifje?
Po, e parashikon Kodit Penal. Po ashtu, baza ligjore për këtë padi garantohet edhe nga nenet 59 dhe 60 të Kodit të Procedurës Penale, më saktë, neni 45 dhe 120/2 i Kodit Penal. Nuk kam bërë padi në ajër, e kam menduar mirë dhe do ti shkoj deri në fund kësaj çështjeje.
Megjithatë, Myftaraj aludon dhe e ka shkruar qartë se mund të jetë Rajmonda Bulku dhe jo që është Rajmonda Bulku
Një fjalë nuk mund ta shpëtojë Myftarajn nga faji. Kjo mund nga fundi i shkrimit nuk e justifikon shpifjen ndaj emrit tim, cenimin e dinjitetit që më është bërë. Myftaraj ose të shkojë në spital psikiatrik për ato që shkruan, ose të mbajë përgjegjësi.
Nëse ai ju kërkon falje dhe përgënjeshtron shkrimin, do ta tërhiqni padinë?
As që bëhet fjalë. Jua thashë, kësaj çështjeje do ti shkoj deri në fund dhe nuk ka rëndësi se sa kohë do të zgjasë. Është e çuditshme, në Shqipëri është shumë kollaj të baltosësh një femër, ta nëpërkëmbësh me shpifje, me çtë të vijë nëpër mend dhe askush nuk mban përgjegjësi. Kjo padi do të jetë një fitore jo vetëm ndaj personit tim si Rajmonda Bulku, por për të gjitha gratë si unë, të cilat kanë rënë viktima të thashethemeve të tilla. Ka ardhur koha që të reagojmë me të gjitha mekanizmat ligjorë. Mjaft më me përbaltje të figurave të femrave, ndërsa meshkujt krehin bishtin si fitimtarë të përbaltjes!
Ju jeni deputete e PD-së dhe Kryeministri Sali Berisha ishte i pari që në vitin 2008 mori iniciativën kundër heqjes së padisë penale ndaj mediave dhe gazetarëve. A jeni konsultuar me Berishën para se ta dorëzoni padinë në Gjykatën e Tiranës?
Jo, nuk jam konsultuar.
I bie që keni marrë një iniciativë kundër vendimit të Berishës?
Aspak, nuk kam marrë asnjë vendim kundër tij. Unë kam marrë një vendim që ka të bëjë me Rajmondën e 30 viteve më parë. Një vendim për përbaltjen e figurës sime që nga adoleshenca, rinia, martesa, familja e Rajmonda aktore. Nuk kam bërë një padi si Rajmonda deputete e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe as po merrem me akuza që kanë të bëjnë me profesionin si politikane, por si grua. Si një nënë që i është cenuar familja. Si një mike që i është cenuar shoqëria. Si një femër që i është cenuar feminiliteti. Derisa nuk ka pasur ndonjë reagim nga Grupi Parlamentar demokrat rreth këtij vendimi, do të thotë që edhe ata e kanë kuptuar linjën e padisë sime.
Pas gjithë kësaj historie, si kanë reaguar miqtë tuaj?
Në mënyrën më të mrekullueshme. Më kanë telefonuar pa fund duke më thënë se janë pranë meje, njerëz që i njoh, por edhe që nuk i njoh. Celulari im është tejmbushur nga mesazhe të intelektualëve më elitë të Tiranës dhe disa prej tyre kanë qenë të cenuar si unë nga i njëjti person. Pra nga Myftaraj. Ata më thoshin vazhdimisht që të mos ia vija veshin, ta lija të fliste çtë donte, por unë isha e vendosur. Më pas, kur bëra padinë, më kanë përgëzuar të gjithë dhe më thanë: Shumë mirë ia bëre, veç mos e lër pa e çuar deri në fund.
Po familja Kadare, jeni në dijeni si ka reaguar rreth kësaj padie?
Di të them vetëm kaq, që janë gëzuar që e bëra atë padi.