E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kristian Legierski është homoseksuali i parë i zgjedhur në një institucion polak. Çdo ditë sfidon tabutë dhe thashethemet e një shoqërie dikur shumë konservatore dhe homofobike, por që ka nisur të ndryshojë
Poloni, ndryshimi i mentalitetit konservator tė shoqėrisė ka nisur









Shumicën e herëve, kur dikush lufton për një kauzë të vështirë, është i destinuar të humbasë. Kristian Legierski, 33 vjeç, ka kaluar një jetë të tërë duke mbrojtur të drejtat e gejve, të lezbikeve, biseksualëve dhe të transëve që jetojnë në Poloni. Por nuk është inatçor dhe as fanatik. Është një biznesmen i suksesshëm dhe një aktivist shumë i “ndjekur” nga mjetet e informacionit. Ka luftuar shumë për të arritur aty ku është sot: këshilltar bashkiak në Bashkinë e Varshavës. Jo keq si fillim. Kristian është politikani i parë gej i deklaruar në Poloni. Edhe pse bën pjesë mes themeluesve të një partie të vogël ekologjike, kandidoi në zgjedhje me një nga partitë më të mëdha në vend, Aleanca e Majtë Demokratike. Babai i tij është me origjinë nga Mauritania, ndërsa e ëma vjen nga fshati i largët i Koniakow-it. Që fëmijë, Kristian ka qenë pjesë e një grupi valltarësh dhe këngëtarësh folkloristikë dhe ka përthithur kulturën katolike vendase: “Atëherë në vende si këto tonat njerëzit nuk ishin armiqësorë kundrejt pakicave me orientim ndryshe seksual, thjesht sepse nuk arrinin të perceptonin as ekzistencën e tyre”, tregon ai. Para se të transferohej në Varshavë për të frekuentuar universitetin, Legierski nuk kishte folur kurrë për orientimin e tij seksual në familje. Por sapo e bëri, si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri, gjërat u bënë shumë të lehta për të. “Tashmë e kanë kaluar. Sigurisht që nuk u gëzuan, madje as sot nuk kanë dëshirë të flasin. Kjo gjë për ta gjithmonë ka qenë e sikletshme”, shpjegon. “Jam i bindur se kur njerëzit njohin dikë nga i cili më parë kishin frikë apo e urrenin, gjërat ndryshojnë. Me familjen time ndodhi e njëjta gjë. Nuk bëra asnjë deklaratë zyrtare. Por ata e dinin, dhe unë e dija që e dinin. Nuk kemi folur kurrë për këtë, por me kalimin e viteve raporti mes nesh u përmirësua”. Pasi fitoi vendin në bashki, Legierski ishte për disa kohë në qendër të vëmendjes. Gazetarët e ndiqnin për ta intervistuar, por pyetjet nuk lidhen asnjëherë me projektet e tij politike. “Isha fenomeni i momentit: një gej i zgjedhur në Poloninë konservatore, katolike dhe homofobe. Të bën të kuptosh se deri në çfarë pike kemi arritur apo jo?”

Solidaritet i munguar

Në orën dy pasdite, lokali ku ulet gjithmonë popullohet shumë, ndërsa tregon historinë e tij askush nuk e shqetëson. Për këshilltarin bashkiak bota e politikës nuk është ndryshe nga ajo e aktivizimit, për të cilën është bërë një pikë referimi. “Nuk jam një politikan i mirëfilltë, thjesht një këshilltar për një parti opozitare”. Për të vazhduar rrugën e tij në politikë Legierskit iu desh të hiqte dorë dhe nga drejtimi i një emisioni radiofonik në një nga radiot më të mëdha në Poloni. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, Legierski doli hapur dhe nuk u fsheh asnjëherë. Edhe pse asnjëherë nuk foli për orientimin e tij seksual në Varshavë, të gjithë e njihnin historinë e tij. “Tashmë më kanë transformuar në një stereotip të gejve. Për ta nuk jam asgjë tjetër se aq. Takoj njerëz të cilët janë të bindur se në këshill flas gjithmonë për probleme që lidhen me homoseksualitetin”. Por ai është i bindur se fitoi falë projektit të tij politik dhe jo falë rolit të tij në komunitetin gej apo atë të lezbikeve. “Jam shumë i sigurt se zgjedhja ime nuk ka lidhje fare me mobilizimin e njerëzve për të zgjedhur një njeri me prirje tjetër seksuale. Në botën tonë ky lloj solidarizimi nuk ekziston. Shumë gej dhe lezbike nuk shkojnë as për të votuar. Ndihen të margjinalizuar dhe nuk shohin asnjë arsye për të qenë aktivë politikisht. Më pëlqen t’i bind se qyteti u përket edhe atyre. Duhet të lëvizin që t’u ndihet zëri dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, përndryshe kurrë nuk do t’i kenë ato që duan”. Në komunitetin gej të Varshavës nuk ekziston solidaritet politik, por ka një kompaktësi sociale, arkitekt i së cilës është Legierski. I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Varshavës, në vend që të niste karrierën si avokat ka zgjedhur për të administruar “Madame”, një lokal nate që me kalimin e viteve është bërë një pikë referimi për dashamirësit e artit, për gejt dhe për të gjithë ata që nuk ndiheshin të përfaqësuar nga kultura dhe politika tradicionale. Qëllimi i Legierskit është aprovimi i një ligji që njeh martesat e homoseksualëve në Poloni, por kjo është një çështje që i përket politikës kombëtare. Gjithsesi sot mentaliteti i Varshavës ka ndryshuar shumë, dhe kjo “ëndërr” e tij mund të realizohet shumë shpejt. “Në internet ka shumë urrejtje, por në rrugë nuk jam ndeshur kurrë me situata të pakëndshme”, përfundon ai.

Publikuar: 12.11.2011 | 11:52
Lexuar: 337 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime