E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Studiuesit e Universitetit të Montrealit zbuluan se materia gri e trurit nuk përkeqësohet me kalimin e viteve, madje ndodh e kundërta. Të moshuarit e kompensojnë shpejtësinë me reagimet më të matura dhe efikasiteti është ekuivalent.
Truri pėrmirėsohet pas moshės 55-vjeēare








Lajme të mira për personat që janë mbi 55 vjeç: kush ecën ngadalë, shkon larg. Jo domosdoshmërish ata që ecin shpejt fitojnë garën. Deklarata të tilla të sjellin në mendje fabulën e famshme të Ezopit me breshkën dhe lepurin. Kjo fabul rezulton e vërtetë nëse zbatohet për trurin e njeriut: të rinjtë janë më të shpejtë në gjetjen e zgjidhjeve, por këto të fundit rezultojnë më pak efikase në krahasim me ato që gjenden nga personat 55 vjeç.

Pra, të gjithë ata që i tremben pleqërisë duhet ta mposhtin këtë ndjesi, sepse, sipas studiuesve, është një periudhë e bukur e jetës, që herët ose vonë secili prej nesh do ta kalojë. Për këtë çështje gjejmë pohim edhe në botën e shkencës: truri i 55-vjeçarëve punon më shumë se truri i të rinjve. Nuk vihet në diskutim zgjuarsia, por mënyra se si e përdorim materien tonë gri: mesa duket rritja në moshë na bën të kemi më shumë përvojë dhe të bëhemi më të mençur. Këtë gjë e thekson një studim i “Institute of Geriatrics” i Universitetit të Montrealit në Kanada. Studiuesit kanë krahasuar një sërë testesh mes dy grupeve vullnetare, njëri përbëhej me persona nga 55 deri në 75 vjeç, tjetri nga djem dhe vajza të reja. Duke analizuar reagimet cerebrale me një skaner, shkencëtarët kanadezë zbuluan se aktiviteti i trurit reagon krejtësisht ndryshe në varësi të moshës: përballë një gabimi, më të rinjtë aktivizojnë menjëherë disa pjesë të trurit për të vendosur se si ta ndreqin strategjinë dhe çfarë të bëjnë më pas; ndërkohë që të moshuarit marrin kohë, duke aktivizuar ato pjesë të trurit vetëm pasi kanë arsyetuar një copë herë. Me fjalë të tjera, pa u trembur nga gabimi, kursejnë energji dhe vlerësojnë mirë të gjithë faktorët para se të veprojnë.

Praktikisht të dyja grupet e përfunduan eksperimentin me të njëjtin rezultat, ose më saktë me të njëjtin numër gabimesh. Edhe pse grupit të më të moshuarve iu desh më shumë kohë për ta mbyllur eksperimentin, autorët e studimit theksuan se kjo gjë nënkupton një përdorim më të mirë të burimeve intelektuale që disponojmë. Të rinjtë mund të të japin përshtypjen sikur janë më të zgjuar, sepse i përgjigjen një pyetjeje ose një problemi më shpejt (lepuri i Ezopit). Por kjo mund të jetë një shenjë papërvoje, ndërkohë që reagimi i të moshuarve tregon më shumë pjekuri dhe reflektim (breshka). Pra, kjo është fitorja e eksperiencës mbi rininë. “Një tru më i moshuar është i vetëdijshëm se nuk fiton asgjë duke qenë impulsiv”, thotë profesor Oury Monchi, që ka drejtuar studimin. “Tani kemi një provë neurobiologjike, që eksperienca fitohet me kalimin e viteve, sa më shumë plaket truri, aq më shumë mëson që t’i administrojë më mirë burimet e tij. Jo gjithmonë shpejtësia të ndihmon që të fitosh garën. Për të fituar duhet të dish në veçanti se si t’i përdorësh më së miri aftësitë e tua. Fabula e breshkës dhe e lepurit tregon karakteristikat pozitive të plakjes, duke na kujtuar se një tru më i vjetër ka më shumë besim në vetvete dhe nuk u trembet kritikave”, përfundon studiuesi.

Megjithatë, para se t’i gëzoheni moshës 55-vjeçare, duhet të kujtoni se Ezopi e shkroi edhe fabulën e dhelprës me rrushtë: që kur nuk arrin diçka, për shembull të kesh rini të përjetshme, hiqesh sikur kjo gjë nuk është edhe aq e rëndësishme, ama shpirti të qan.

Rasti - Koeficienti i inteligjencës, si ndryshon me kalimin e kohës

Mendohej se mbetej i pandryshuar për gjithë jetën. Në fakt edhe koeficienti i inteligjencës mund të ndryshojë, e bashkë me të edhe dendësia e materies gri që përdorim për të kryer veprime logjike, matematike ose gjuhësore më të rafinuara. Në këtë përfundim kanë arritur neuroshkencëtarët e fondacionit britanik “Wellcome Trust”, të cilët u kanë kryer disa teste inteligjence dhe më pas u kanë bërë një rezonancë manjetike për të vëzhguar strukturën e brendshme të trurit një grupi adoleshentësh. Pyetjet rrufe iu bënë fillimisht të rinjve, kur ishin 16 vjeç, pastaj iu përsëritën katër vite më vonë. Në vend që të mbeteshin konstante, rezultatet ndryshuan për mirë dhe për keq 20 pikë (mesatarja e një testi inteligjence rrotullohet te 100 pikëshi). Studimi që është publikuar edhe në revistën shkencore “Nature” konfirmon se truri nuk është një organ rigid, siç u mësohej në të kaluarën mjekëve të rinj, por qëndron “plastik” për një pjesë të mirë të jetës. “Siç ndodh me sportin, një djalosh që është në formë të shkëlqyer në moshën 14-vjeçare, mund të mos jetë kur të mbushë 18, ose e kundërta”, shpjegon autorja kryesore e studimit, Cathy Price.

Publikuar: 14.11.2011 | 11:22
Lexuar: 380 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime