Lukas Papademos, një ekonomist dhe ish-zëvendëspresident i Bankës Qendrore Europiane, u caktua të enjten si Kryeministër i Greqisë. Si njeriu që do të udhëheqë qeverinë e unitetit ka premtuar me të ardhur në pushtet se do të zbatojë kushtet e paketës së ndihmave të BE-së, me shpresë se do të shpëtojë vendin e tij nga falimentimi. Ky njoftim erdhi pas katër ditësh negociatash kaotike që nxorën në pah të gjitha grindjet dhe sherret brenda klasës politike greke.
Lukas Papademos, një ekonomist dhe ish-zëvendëspresident i Bankës Qendrore Europiane, u caktua të enjten si Kryeministër i Greqisë. Si njeriu që do të udhëheqë qeverinë e unitetit ka premtuar me të ardhur në pushtet se do të zbatojë kushtet e paketës së ndihmave të BE-së, me shpresë se do të shpëtojë vendin e tij nga falimentimi. Ky njoftim erdhi pas katër ditësh negociatash kaotike që nxorën në pah të gjitha grindjet dhe sherret brenda klasës politike greke.
Papademos, që është një njeri me mënyra të qeta dhe aspak ekspresive të shprehuri, doli nga zyra e Presidentit të vendit menjëherë pas deklaratës së shkurtër me rastin e pranimit të detyrës, një deklaratë që kishte nota optimizmi. Nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur se kriza do të zgjidhet dhe do të zgjidhet më shpejt, me kosto më të vogël dhe në një mënyrë të efektshme nëse do të jemi të bashkuar dhe të kujdesshëm. Papademos në fakt, pavarësisht optimizmit të tij, ka një detyrë shumë të vështirë dhe mbi të gjitha një kohë shumë të paktë në dispozicionin e tij për të bindur të ashtuquajturën trojka, pra Bashkimin Europian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Europiane për të dhënë transhin e radhës të paketës së ndihmës ekonomike. Bëhet fjalë për transhin prej 11 miliardë dollarësh që i duhet vendit për të dalë momentalisht nga falimentimi. Dhe pasi të bindë trojkën brenda kësaj kohe të shkurtër i duhet që të zbatojë edhe paketën e vështirë të shtrëngimeve të shpenzimeve publike, të shumëkundërshtuar nga të gjithë grekët prej muajsh të tërë. Atij i duhet që të sigurojë liderët europianë se nuk do ta përjetojnë më tronditjen e përjetuar në tetor, kur Papandreu deklaroi befas se kishte ndërmend që të organizonte një referendum në lidhje me pranimin e paketës së ndihmës financiare.
Ishte një lëvizje kjo që i inatosi liderët europianë dhe, nga ana tjetër, shënoi edhe fillimin e fundit të qëndrimit të Papandreut në pushtet. Papademos do të duhet që të përballet edhe me problematikën e buxhetit të vitit aktual, si dhe me miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, si dhe pritet që të bëjë thirrje për masa të tjera shtrënguese që do të bien në kurriz të popullit dhe që me siguri, si deri më tani, do të shkaktojnë protesta dhe rebelim të popullsisë. Atij do ti duhet që të nisë edhe bisedimet e vështira me bankat e sektorit privat që në parim kanë rënë dakord që të falin 50% të vlerës së bondeve greke që janë si pjesë e planit të shpëtimit. E si për ti shtuar edhe më problemet, të enjten, autoriteti grek i statistikave deklaroi se papunësia ka kapur vlerën e 18%, ose 3% më shumë se tre muaj më parë. Me zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet që të zhvillohen në fillim të vitit të ardhshëm, të gjitha palët janë duke u përpjekur dhe duke manovruar për avantazhe strategjike. Kandidatura e Papademos ka qenë e mbështetur nga 50 deputetë të të dyja partive, duke qenë se ai është një njeri që i përket më shumë ekonomisë dhe është më shumë një teknokrat se sa një politikan i mirëfilltë dhe ndoshta njeriu që mund ta shërojë Greqinë. Vendimi për kandidaturën e tij pati sukses vetëm pas 5 orësh negociatash shumë të gjata dhe pas premtimit të Papademos se do të merrej me rikthimin e ekonomisë së vendit në rrugën e duhur. Në fillim të javës që shkoi, gazetat raportuan se Papademos kishte parashtruar edhe disa kushte në lidhje me marrjen e pushtetit. Thuhet se ai kërkoi një mandat që do të zgjaste të paktën 6 muaj dhe jo më parë. Ai gjithashtu thuhet se kishte kërkuar edhe që anëtarët e partisë së madhe të opozitës, Demokracia e Re, të luanin një rol të rëndësishëm në qeverinë e unitetit. Megjithatë ai vetë ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë në lidhje me pranimin e postit kryeministror dhe se qeveria e re do të jetë tranzicionale dhe se prioriteti i saj do të jetë stabiliteti i Greqisë dhe qëndrimi i saj në eurozonë. Nëse ai do të ketë sukses në këtë sipërmarrje kjo mbetet për tu parë në javët dhe muajt në vijim, por disa analistë e konsiderojnë këtë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Nëse Papademos do të jetë një figurë popullore jashtë partisë, kjo gjithashtu mbetet për tu parë. Ata që e njohin mirë e dinë se ai nuk ka aftësi si orator dhe ndërkohë vetë grekët janë shumë mosbesues ndaj të gjithëve atyre që kanë lidhje me bankat. Sfidat e tij janë të mëdha dhe rruga që ai propozon për zgjidhjen e tyre sapo ka nisur.